Ditët e Mbretëreshës Teuta 2025- Mbrëmje historie, arti dhe miqësie

24/11/2025
Autor: Iliria
156 pregleda

Ditët e Mbretëreshës Teuta 2025

Mbrëmje historie, arti dhe miqësie

Në një atmosferë solemne, të mbushur me emocion, kujtesë dhe krenari, më 11 nëntor 2025, në Shtëpinë e Gazetarëve në Zagreb, u mbajt manifestimi “Ditët e Mbretëreshës Teuta 2025”, i kushtuar humanistes së madhe britanike dhe mikes së popullit shqiptar – Edith Durham.

Manifestimi u zhvillua në një frymëmarrje rinore, në ritmin e dashurisë dhe në frymën e bashkimit, duke shndërruar mbrëmjen në një festë të kujtesës kolektive dhe të përkatësisë kulturore.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje, kryetarja e Shoqatës, gazetare dhe regjisore Shenida Bilalli, ndau çmimet prestigjioze “Mbretëresha Teuta 2025” për individë dhe institucione që kanë kontribuar në forcimin e miqësisë shqiptaro-kroate dhe në promovimin e vlerave kulturore e arsimore. Ndër të nderuarit ishin:

  • ish-presidenti i Kroacisë Stjepan Mesić,
  • Ministria e Arsimit e Republikës së Kroacisë,
  • Qyteti i Zagrebit,
  • dramaturgia e Teatrit Kombëtar Kroat Sanja Ivić,
  • dhe Nurije Avdiu, mësuesja e parë e gjuhës shqipe në Kroaci.

Kjo mbrëmje shënoi gjithashtu një moment simbolik: 35-vjetorin e themelimit të Shoqatës “Mbretëresha Teuta” dhe 20-vjetorin e regjistrimit të saj zyrtar – një çast ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e komunitetit shqiptar në Kroaci u bashkuan në një akt dinjitoz.

Në ceremoni morën pjesë shumë të ftuar të nderuar: ambasadorja e Republikës së Shqipërisë Donika Hoxha, përfaqësues të Ambasadës së Kosovës, ish-kryeministrja kroate Jadranka Kosor, përfaqësues të pakicave  Qytetit të Zagrebit, të Ministrisë së Arsimit të Kroacisë, si dhe të Këshillit për Pakicat Kombëtare të Kroacisë, me mbështetjen e Presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović.

Ndër të pranishmit ishin edhe politikanet Morana Paliković Gruden dhe Gordana Sobol, kryetarja e nderit e Shoqatës dr. sc. Ana Perajica, si dhe personalitete të njohura nga fusha e kulturës, shkencës dhe diplomacisë.

Pjesa shkencore – Edith Durham në dritën e historisë dhe gruas

Programi shkencor thelloi më tej kuptimin e trashëgimisë së Edith Durham përmes kumtesave të studiuesve të njohur.
Armand Plaka, publicist dhe studiues nga Shqipëria, foli për ndikimin e Edith Durham në formësimin e perceptimit ndërkombëtar për çështjen shqiptare, veçanërisht në kontekstin e politikës së jashtme evropiane në fillim të shekullit XX. Ai theksoi se Durham, përmes shkrimeve dhe dëshmive të saj të palodhura, u bë zëri i ndërgjegjes në kohë kur e vërteta për Ballkanin shpesh fshihej ose shtrembërohej.

Alketa Gashi, studiuese dhe aktiviste nga Kosova, u ndal te këndi i vështrimit të Durham për gratë shqiptare, me theks të veçantë te gratë e Lugut të Drinit (Leka Duganxhini). Duke u mbështetur në shënimet e Durham, Gashi solli në pah forcën, dinjitetin dhe qëndresën e grave shqiptare, të cilat, përkundër strukturave patriarkale, ishin bartëse të identitetit, ruajtëse të gjuhës dhe heroinat e heshtura të përditshmërisë. Durham nuk i pa ato vetëm si dëshmitare të historisë, por si krijuese të saj.

Kumtesa të çmuara mbajtën gjithashtu Fazliu dhe Andrea Feldman, të cilët lidhën faktet historike me sfidat bashkëkohore të kujtesës kulturore dhe identitetit.

Programi artistik – Vallëzimi si lutje, kostumi si histori

Programi artistik u pasurua me një ekspozitë të përbashkët  per Edite Durham të ideatorit Korab Morina, autorit Dorian Koçi dhe bashkëpunëtores Albulena Bilalli, ndërsa mbrëmja u moderua me hijeshi nga Oreb nga Kroacia dhe Alketa Gashi nga Kosova.

Një emocion i veçantë u përçua përmes performancave të grupit të vallëzimit Illire të cilat ishin kushtuar tri figurave të mëdha të historisë shqiptare:

  • Edith Durham, e sjellë në skenë përmes një performance të heshtur dhe të ndriçuar me ndjenjë,
  • Mbretëresha Teuta, e paraqitur si udhëheqëse e mençur, luftëtare e guximshme dhe nënë e popullit të saj,
  • dhe Nëna Terezë, simbol i dashurisë dhe sakrificës, e interpretuar përmes një koreografie që fliste me heshtje për dhembshurinë dhe përkushtimin njerëzor.

Programi u pasurua edhe nga vajzat e reja nga Kosova – Zëri i Kosovës, të cilat, të veshura me kostume tradicionale shqiptare të mrekullueshme, mahnitën publikun me bukurinë, dinjitetin dhe krenarinë që përçuan. Prania e tyre ishte si një urë e gjallë mes rrënjëve dhe krahëve, mes së kaluarës dhe së ardhmes.

E gjithë kjo u realizua me mjeshtëri nën regjinë dhe koreografinë e njohur të Shenida Bilallit, e cila me vizionin e saj artistik, saktësinë dramaturgjike dhe forcën emocionale, e shndërroi çdo skenë në një ceremoni të denjë për emrin Teuta. Regjia e saj nuk ishte thjesht teknike – ishte fije e artë që lidhi historinë, artin dhe bashkësinë.

Një dimension të veçantë artistik i dha mbrëmjes edhe aktori i njohur kroat Robert Kurbaša, me interpretimin e tij të ndjerë dhe të fuqishëm.

Falënderim dhe mesazh bashkimi

Në përmbyllje, organizatorët shprehën mirënjohje të thellë për të gjithë anëtarët dhe bashkëpunëtorët e Shoqatës, duke theksuar se përkushtimi, energjia dhe uniteti i tyre e shndërruan këtë mbrëmje në një çast krenarie, arti dhe miqësie midis popullit kroat dhe atij shqiptar.

Falenderojmë Këshillin për Pakicat Kombëtare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë i cili financon revistën “Iliria” 2005. - 2025.