Muzgun e Prishtinës e ndriçuan dritat e ndezura të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, e cila shkëlqente dhe jehonte nga himni i Kosovës dhe i Shqipërisë, nën interpretimin e bukur të pianistes së mirënjohur Ermira Lefort nga Zvicra dhe sopranos Besa Llugiqi nga Kosova, artiste e mirënjohur në Europë, e cila me zërin e saj magjik fitoi simpatinë e publikut. Salla ishte mbushur plot me gazetarë, politikanë, artistë, përfaqësues të të drejtave të njeriut, adhurues të historisë së “Mbretëreshës Teuta”, mbi 500 vetë, personazhe të shquar nga jeta publike në Kosovë, Europë dhe botë.
Manifestimi madhështor u organizua nga Klubi i femrave shqiptare të Kroacisë dhe Klubi Mbarëkombëtar “Mbretëresha Teutë”, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Këshillin për Pakicat Kombëtare në Qeverisë Kroate dhe televizionin e RTK-së. Spektali artistik “Ti nuk je vetëm”, me karakter antiko-historiko- social, kushtuar grave të dhunuara gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, mblodhi në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës femra nga të gjitha trojet shqiptare e të vendeve tjera. Programi artistik filloi në skenën atraktive në hollin e Biblotekës Kombëtare të Kosovës, e cila i ngjante një arene romake e rrethuar në sfonde me motive Ilire. Aktorët dhe Ansambli i Baletit, duke i rënë fort trumpetave, paralajmëruan ardhjen e Mbretëreshës Teuta.

Ushtarët Ilirë, djem të bukur shqiptarë të Kosovës, të veshur me kostumet me ngjyra të arta e të kuqe, qëndronin me krenari në skenë, duke lajmëruar me zë unik ardhjen e Mbretëreshës Teuta, e cila hyri në mënyrë pompoze nën shoqërimin e balerinave. I veshur si luftëtar romak, naratori Ali Topalli rrëfen dhe zbulon të vërtetën historike për Teutën: “Pas vdekjes së Mbretit Agron, gruaja e tij Mbretëresha Teuta, merr fronin e një prej të mbretërive më të fuqishme të Ilirisë. Mbreti Agron pas një fitore u helmua nga militanti i tij, Demetrius Hvaranin, grek, i cili pas vdekjes mori flotën Ilire duke fituar dashurinë e Teutës me qëllim që të pushtonte Mbretërinë Ilire.”
Balerinat e bukura të grupit “Ilire”, me në krye Mretëreshën Teuta, ishin yjet e spektaklit në “Ditët e Teutës në Prishtinë 2019”. Ato shoqëroheshin nga kërcimtaret e grupit “Ledi’s Dance”, të cilat me kostumet atraktive. Gjatë mbrëmjes ato shpalosën tre performanca me koreografi të Shenida Bilalli dhe asistentes së saj Vjollca Llugiqi, balerinë e parë e Baletit Kombëtar të Kosovës realizuan: “Teuta në fron”, “Teuta luftëtare” dhe “Teuta e tradhëtuar”. Performancat për Teutën, ishin të mbushura me plot emocione dhe me mesazhe historike. Ato u përcjellën me muzikën instrumentale shqipe “Baresha”, të kompozitorit Rexho Mulliqi, nën egzekutimin e grupit “Etno Classic” dhe Shaqir Hotit nga Kosova, duke marrë duartrokitje të gjata.
Manifestimin solidarizues për gratë e dhunuara, e drejtoi modertorja e mirënjohur e RTK-së, Alketa Gashi. Me traditën 15-vjecare të mbajtjes së manifestimit kulturor “Ditët e Mbretëreshës Teuta”, çdo vit realizohet tradicionalisht në Zagreb, Zadar, Shibenik, Dubrovnik, Ulqin e Prishtinë me titull “Ti nuk je vetëm”. Po ashtu në këtë eveniment u hapën 2 ekspozita: Revistës dy-gjuhësore “Iliria” nga Kroacia dhe ekspozita nga Shqipëria e “121 jetë suksesi në 121 foto” nga Albanian Excellence.
Prezantimi i grave të shquara nga Kosova filloi me Sanije Gashi, kryeredaktore e revistës së parë për femra në Kosovë, “Kosovarja” dhe e revistës “Teuta”. Sanije Gashi ka punuar për 50-vjet si gazetare, publiciste, editore. Ajo është autore e librave: “Ecje nëpër kujtesë”, “Tregime jete të grave me karrierë” dhe “Krime në Kosovë”. Programi vazhdoi me interpretimin e “Aries së Mrikës”, opera e parë shqiptare e kompozitorit Preng Jakova, nga solistja kosovare Shpresa Gashi.
Skenat e baletit vazhduan te prezentojn çastet më të rëndësishme të mbretërimit të Teutës, si mbretëreshë dhe luftëtare. Gjatë sundimit të saj, ajo pati nën kontroll lëvizjet e anijeve në detin Adriatik dhe Jon, duke taksuar mallrat romakë. Ajo premton se nuk do ti sulmojë anijet nëse romakët paguajnë taksat por mospagesa e tyre dhe kundërshtimi i ilirëve solli luftën ndërmjet Romës dhe Mbretëreshës Teutë. Koncepti i kësaj mbrëmjeje u realizua me mbështetjen e fortë të antareve të ftuara nga Anglia, Gjermania ,Italia, Suedia, Zvicra, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Dr. Feride Rashiti nga KRCT-Kosovë, Vasfije Krasniqi nga SHBA, heroinë për të drejtat e grave dhe Ramize Myrtezi Shala, autore e librit. Nga Shqipëria mori pjesë Brunilda Paskali, këshilltare e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Në fjalën e rastit, kryetarja e shoqatës ndërkombëtare “Mbretëresha Teuta”, kryetarja e Klubit të grave Shqiptare të Kroacisë “Mbretëresha Teuta” dhe kryeredaktore e Revistës “Iliria”, Shenide Bilalli, u shpreh: ”Motivi kryesor i mbajtjes së ‘Ditëve të Teutës në Prishtinë 2019’ i është kushtuar femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, duke emëruar manifestimin ‘Ti nuk je vetëm’ për të përkrahur 20 mijë viktima të dhunës, si obligim i institucioneve dhe i gjithë kombit. Motivi tjetër është lidhshmëria e historisë së Mbretëreshës Teuta, me fatet e femrave të Kosovës. Fati i Teutës pak është i njohur dhe edhe sot nuk dimë shumë për të. Pas humbjes të mbretërisë ilire, ushtarët romakë vendosen të hakmerren dhe të dhunojnë, e ajo për mos të rënë në duart e tyre u hodh nga shkëmbi i Risanit. Historia e tmerrit mbi populin tonë po përseritet nga Ilirët deri në ditët e sotme. Për këtë duhet ta çmojmë veçanërisht femrën shqiptare, sepse ajo ruajti familjen dhe kombin tonë” – përfundoi fjalimin Bilalli.
Brunilda Paskali – këshilltare e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në fjalimin e saj përkrahu gratë e dhunuara dhe në vazhdim u shpreh se: Mirëpresim “Mbretëreshën Teuta” në Shqipëri, Tiranë e Shkodër, atje ku i takon vendi, duke vazhduar mbështetjen e Bilalli për punën e deritanishme me Shoqatën “Mretëresha Teuta”.
Çmimet “Mbretëresha Teutë” u ndanë
Çmimi i parë ju dha Vasfije Krasniqi Goodman, si Ambasadore e guximit dhe e simbolit të 20 mijë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Çmimi i dytë ju dha dr. Feride Rushitit, për kontributin e çmuar në çështjen e të drejtave të njeriut dhe për gratë e përdhunuara gjatë luftës në Kosovë. Çmimi tretë ju dha Ramize Martezi Shala, autores së librit “Unë e përdhunuara” për kontributin e çmuar në gazetarinë shqiptare e për mbështetjen e grave të dhunuara.
Çmimi i katërt ju dha Flora Nikolla, gazetare, për kontributin e çmuar në vlerësimin e zonjave shqiptare. Medaljen “Mbretëresha Teuta” e mori Shuhrete Tahiri –Sulejmani e cila vazhdoi rrugën e Vasfije Krasniqi. Çmim mori edhe trupa e baletit dhe balerina e parë Vjosa Llugici, për ruajtjen e vlerave kombëtare artistike. Kori i Prishtinës “Nexhmije Pagarusha” me në krye dirigjenten Nazlie Beadini, pasuruan programin me këngë origjinale të Nexhmije Pagarushes, duke zgjuar interesin e publikut. Dy ansamblet folklorike, pasuruan me kërcime dhe kostumet e bukura programin artistik.
„Monologu i Teutës” – lexuar nga artistja , ishte ndërtuar mbi simbolikën e ringjalljes së saj, duke u kthyer pas 23 shekujsh me mesazhin dhe porosinë për të rinjtë të cilët braktisën Kosovën dhe Shqipërinë: “Mos e lëshoni Kosovën e mos e braktisni Shqipërinë”. Gjatë monologut, regjizorja e programit, Shenida Bilalli, e mbushi sallën e Bibliotekës Kombëtare me flamuj kuq e zi, duke vendosur flamurin e Kosovës në mes, si simbol krahasimi të vuajtjes, sakrificës dhe gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës. Skenën e bukur artistike e plotsoj me flamur “Anamorava” – Viti, me në krye Arianit Hetemi, i cili me kërcimin e jashtëzakonshëm dhe mesazhin “Ka kush të mbron Kosovë, gra dhe fëmijë”, la mbresa tek publiku.
Veçojmë performancën e hyrjen e “Mbretreshes Teuta” ne salle, realizuar nga djemtë dhe vajzat e Ansamblit “Zëri i Kosovës” nga Fushë-Kosova, nën drejtimin e Nurije Avdiu, mësuese e parë e shkollës shqipe në Zagreb, tani Drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Fushë-Kosovë. Programi përfundoi me “Arien e Shkodrës”, kënduar nga solistja nga Shkodra me banim në Zvicër Gentjana Tafili, shoqëruar në piano nga pianistja e bukur Ermira Lefort. U mbyll kështu në Prishtinë edicioni i 15-të kulturor “Ditët e Teutës”, i cili u mbajt në datat 18 – 19 tetor 2019. Një program për gratë e përdhunuara shqiptare, përshkruar nga mesazhi kuptimplot “Ju nuk jeni vetëm”, me të cilin u solidarizuan artistë, balerina, gazetarë e muzikantë nga shumë vende të botës, të cilët përmes letrave, artit dhe kulturës kundërshtuan fenomenin e dhunës.
Mirënjohje e veçantë për organizim e veprimtarisë i shkon “Studio Ganidizajn” nga Gjilani, me pronar Gani Kryeziu, i cili mbështeti përgatitjen e çmimeve “Mbretresha Teuta” posaçërisht për Vasfije Krasniqi.











