Intervista u realizua nga: Shenida Bilalli
Danijela Barišić, në fund të gushtittë vitit 2019, mori detyrën e Ambasadores së Republikës së Kroacisë në Prishtinë. Para se të vinte në Kosovë, ajo ka mbajtur postin e Ambasadores së Republikës së Kroacisë në Maqedoni. Ajo ka punuar në Zyrën e Presidentit të Republikës së Kroacisë që nga viti 1995. Nga viti 2001 deri në fund të vitit 2008 ishte udhëheqëse e Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun, pas së cilës u emërua Ambasadore e Republikës së Kroacisë në Bullgari. Nga viti 2012 deri në largimin e saj në pozitën e Ambasadores së Republikës së Kroacisë në Maqedoni, ajo ishte zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë.
E lindur në Shibenik, ajo u rrit dhe u shkollua në Split. Në intervistën ekskluzive për revistën „Iliria“ zonja Barišić tregon se si ndihet në botën e diplomacisë dhe rolin e ambasadores.
Iliria: Zonja Barishiq, përse vendosët për diplomaci? A është diplomacia për femrat?
Danijela Barišić: Diplomacia në fakt ishte një vazhdimësi e natyrshme e ngjarjeve pas trembëdhjetë vitesh pune në zyrën e Presidentit të Republikës së Kroacisë. Do veçoja periudhën nga viti 2001 deri në vitin 2008, ku si shefe e Departamentit të informacionit, me fjalë të tjera zëdhënëse, pata mundësinë të marr pjesë në takime dhe ngjarje të shumta dypalëshe dhe shumëpalëshe të politikës së jashtme. Ishte një përvojë e paçmuar gjatë së cilës pata mundësinë të njihem drejtpërdrejt me zyrtarë të lartë, por edhe me funksionimin e organizatave ndërkombëtare rajonale, shumëpalëshe dhe me diplomacinë në përgjithësi. Po kështu, ajo ishte edhe periudha kur Kroacia po arrinte qëllimet e saja strategjike, duke iu bashkuar NATO-s dhe BE-së, kohë kur ne kryesonim Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si një anëtar jo i përhershëm. Jam jashtëzakonisht krenare që pata mundësinë të jem personalisht pjesë e proceseve të rëndësishme, një përvojë e paçmuar që më ndihmoi më vonë në detyrat e mia si ambasadore.
Së fundi – besoj se diplomacia është thirrje, pa marrë parasysh nëse jeni femër apo mashkull. Duke qenë se diplomacia është një profesion me traditë shumë të gjatë, do të thoja se ajo u krijua, në një kohë kur ishte vërtet punë mashkullore, ndaj edhe sot ka momente kur si femër, më duhet të bëj më shumë përpjekje dhe të jem më këmbëngulëse në mënyrë që sfidat ti kapërcej me sukses.
Iliria: Jeni Ambasadore e Republikës së Kroacisë në Kosovë për plot tre vite. Cila është përvoja juaj me Kosovën, Prishtinën, njerëzit, traditën, mënyrën e jetesës, mentalitetin dhe bashkëpunimin?
Danijela Barišić: Ky është mandati im i tretë si Ambasadore. Edhe në dy mandatet e mëparshëm kam qenë Ambasadore në vende të Evropës Juglindore, kështu që nuk më janë të huaja as mentaliteti dhe as tradita, pavarësisht se secili vend ka specifikat e veta. Si Ambasadore e Kroacisë në Kosovë, ndjej një qasje vërtet miqësore në të gjitha nivelet, që nga njerëzit e thjeshtë e deri tek të gjitha nivelet e qeverisjes. Besoj se qytetarët e Kosovës e shohin dhe ndjejnë se Kroacia i mbështet aspiratat e tyre euroatlantike. Kështu që kjo qasje “derdhet” edhe në jetën e përditshme. Disa muaj me parë, vitin e kaluar, Presidenti, Kryeministri dhe Ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes kroate vizituan Kosovën. Përveç kësaj, janë jo pak kosovarë që vijnë për të punuar në Kroaci sezonalisht ose për periudha më të gjata. Janë mbi 13 mijë shqiptarë që jetojnë në Kroaci, fakt që krijon parakushte të shkëlqyera për bashkëpunim mes dy vendeve, si dhe për marrëdhëniet ndërmjet dy popujve. Përveç kësaj, kroatët kanë shtatë shekuj që jetojnë në Janjevë dhe Letnicë, si diaspora më e vjetër kroate. Fatkeqësisht, në tridhjetë vitet e fundit, për shkak të rrethanave objektive (persekutimi i regjimit të Millosheviçit, lufta në Kroaci dhe së fundi në Kosovë), sot kanë mbetur shumë pak prej tyre, vetëm rreth 150, ndërsa të tjerët jetojnë në Kroaci. E gjithë kjo kontribuon në marrëdhënie shumë të mira dhe bashkëpunim të shkëlqyer.
Iliria: Marrëdhëniet gjeopolitike territoriale ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë me shekuj janë shumë të mira, duke filluar që nga mbretëresha Ilire Teuta, të cilën populli shqiptar e lavdëron si të tyren dhe si mbretëreshën e pasardhëve të tyre. Mbretëresha Teuta ka lindur në Shkodër dhe sundoi ishujt qëndrorë dalmat dhe Šoltën. Pse šoltanët e quajnë ishullin e tyre ishullin e Mbretëreshës Teuta?
Danijela Barišić: Legjenda thotë se mbretëresha Teuta kishte fortesën e saj në bregun jugor të Šoltës, mbi Gjirin Senjska. Kur kam luajtur në Šolta si fëmijë, (babai im i ndjerë ishte nga Šolta), një nga vendet tona të preferuara për të luajtur ishte “Kështjella e Mbretëreshës Teuta”, d.m.th. mbetjet e fortesës. Atëherë na dukej se ishim pjesë e një përralle në të cilën rolin kryesor e luante mbretëresha dhe kështjella e saj.
Iliria: Keni lindur në Shibenik dhe fëmijërinë e keni kaluar në Goricën e Shibenikut, afër katedrales së Shën Jakovit. Qyteti është shembull i një bashkëpunimi të hershëm ndërmjet Kroacisë dhe popullit shqiptar në shekullin e 15. Pak dihet se një nga ndërtuesit e katedrales është skulptori i njohur shqiptar Andrej Alleshi, së bashku me me Jurij Dalmatincin!
Danijela Barišić: Kam lindur në Shibenik dhe pjesën më të madhe të katër viteve të para të jetës sime e kalova me gjyshërit e mi nga nëna që jetonin në atje. Në atë kohë nuk kishte çerdhe, kështu që ishte e natyrshme që të qëndroja me gjyshërit para se të shkoja në kopshtin e fëmijëve në Split, ku jetoja me prindërit e mi.
Gjithësesi, gjyshërit jetonin në Goricë dhe dritaret e banesës së tyre shikonin katedralen e Shën Jakovit dhe Gjirin e Shibenikut. Për Juraj Dalmatincin dhe Andrija Aleshin kemi mësuar në shkollë. Nuk e dija se profesioni im në jetë do të ishte diplomacia dhe se përmes vokacionit tim do të kisha mundësinë të zbuloja lidhjet historike midis popullit kroat dhe atij shqiptar.
Iliria: Kroacia është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës? Marrëdhëniet dypalëshe janë miqësore si dhe bashkëpunimi rajonal. Cili është roli i Kroacisë në procesin e integrimit evropian dhe në bashkëpunimin mes dy vendeve?
Danijela Barišić: Stabiliteti dhe siguria e Evropës Juglindore është interes kyç i Kroacisë. Me fjalë të tjera, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi një fqinjësi të sigurt dhe të qëndrueshme për prosperitet ekonomik, duke pasur parasysh se Kroacia si shteti më i ri anëtar i BE-së, ka mbledhur një përvojë të madhe përmes procesit të anëtarësimit. Jemi të kënaqur që këtë përvojë e kemi aplikuar në ngritjen e kapaciteteve administrative, reformave në fusha të ndryshme, si dhe duke e tranferuar atë edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku natyrisht bën pjesë edhe Kosova. Deri tani në Kosovë kemi realizuar më shumë se 200 projekte në fusha të ndryshme dhe aktualisht ekspertët kroatë janë duke punuar në dy fusha jashtëzakonisht të rëndësishme – drejtësi dhe ekonomi.
Iliria: Kroacia mbështet në mënyrë të përhershme rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian, NATO-s dhe Partneritetit për Paqe? A mendoni se sot Kosova është gati dhe se i ka plotësuar të gjitha kushtet për kandidaturë në BE?
Danijela Barišić: Secili shtet individualisht vlerëson dhe vendos se në cilin moment do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ku është shumë e rëndësishme të konsultohet me partnerët, pra me shtetet e tjera anëtare, për të marrë mbështetje për të gjithë procesin, d.m.th. për të krijuar rrethana për zhvillimin e qetë të procesit në drejtim pozitiv.
Iliria: Gjatë agresionit rus në Ukrainë Kroacia falënderoi Kosovën, e cila ishte në të njëjtën anë me BE-në, SHBA-në dhe Kroacinë, për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. A po flasim për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes në Ballkan?
Danijela Barišić: Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi në mënyrë të pakthyeshme pamjen gjeopolitike të Evropës dhe botës. Rendi ndërkombëtar i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ekziston më. Është vërtetuar shumë herë deri më tani se ky rajon, Ballkani, mund të përfaqësojë burim jostabiliteti, ku Rusia mund të gjejë hapësirë për krijimin e destabilitetit. Për këtë arsye, ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova menjëherë dhe plotësisht ju bashkua shteteve demokratike të BE-së dhe NATO-s, për vendosjen e sanksioneve, si dhe për pritjen e gazetarëve nga Ukraina, veprime për të cilat ne i jemi mirënjohës Kosovës.
Iliria: Qeveria e Kroacisë ka marrë vendim për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë në operacionin për mbështetjen e paqes të KFOR-it në Kosovë? Përse nuk ishte e lumtur Serbia?
Danijela Barišić: Kontingjenti i parë i ushtrisë kroate është dërguar në misionin e KFOR-it në bazë të vendimit të Kuvendit kroat në korrik të vitit 2008. Në atë kohë u dërguan 20 ushtarë, ndërsa sot kontingjenti i 38-të i Ushtrisë Kroate në KFOR-it përfshin rreth 150 anëtarë të HV. Interesi kombëtar i Kroacisë është stabiliteti dhe siguria e rajonit. Kroacia është anëtare e Aleancës së NATO-s dhe kontribuon për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon përmes misioneve. Stabiliteti dhe siguria duhet të jenë në interes të të gjitha vendeve të rajonit sepse përfitojnë të gjithë, ndaj nuk shoh arsye për pakënaqësi apo ankesa.
Iliria: Kroacia dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike, bashkëpunim të fortë ekonomik, ku janë nënshkruar edhe shumë marrëveshje për bashkëpunim në drejtësi, ekonomi, dhe kulturë. Kroacia deri më tani nuk i ka hequr vizat për kosovarët. Pse?
Danijela Barišić: Kroacia është një vend anëtar i BE-së dhe është në proces të anëtarësimit në zonën Shengen. Si rrjedhojë ajo është pjesë e politikës së përbashkët të vizave të BE-së. Kroacia vazhdimisht avokon për liberalizimin e vizave, gjegjësisht heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, por kjo vendoset me konsensus nga të 27 anëtarët e BE-së. Njoftimi i Republikës Çeke si kryesuese e BE-së për vendosjen e kësaj teme – liberalizimin e vizave për Kosovën në agjendë – është sigurisht një sinjal pozitiv dhe besoj se një vendim pozitiv do të merret në të ardhmen e parashikueshme.
Iliria: Bashkimi Evropian nuk e ka liberalizuar regjimin e vizave me Kosovën pas samitit BE-Ballkani Perëndimor? Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të zhgënjyera, Ukraina në luftë, ndërsa Moldavia mori statusin e kandidatit para vendeve të Ballkanit Perëndimor!
Danijela Barišić: Agresioni rus kundër Ukrainës, siç e thashë tashmë, ndryshoi krejtësisht pamjen gjeopolitike të Evropës dhe botës, me fjalë të tjera, ndodhemi në rrethana krejtësisht të ndryshme. Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, besoj se e dini se Kroacia ka përkrahur me vendosmëri dhënien e statusit kandidat për Bosnjë dhe Hercegovinën dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, pikërisht duke pasur parasysh këto rrethana të ndryshuara dhe duke pasur parasysh nevojën për një hapje më të fortë të perspektiva evropiane. Kur bëhet fjalë për katër vendet e tjera të BB, më lejoni t’ju kujtoj – Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut hapën negociatat me BE-në në Qershor pas disa vitesh, Mali i Zi dhe Serbia po negociojnë. Për këtë arsye Kroacia mbrojti një ndryshim në marrëdhëniet me BiH dhe Kosovës, por për këtë kërkohej konsensusi i të 27 shteteve anëtare. Përveç kësaj, ne e dimë nga përvoja kroate se procesi i negociatave është i gjatë dhe kërkues, që do të thotë se nëse një vend zbaton reformat në mënyrë transparente dhe sistematike, ai mund të përshpejtojë rrugën e tij. Por, po aq nga përvoja kroate, procesi i negociatave është një proces transformues dhe një proces i ndërtimit të institucioneve shtetërore nga i cili përfitojnë më së shumti qytetarët e vendit negociator, natyrisht, nëse ka një elitë politike që e sheh rrugën drejt anëtarësimit në BE-së si një mundësi për të siguruar prosperitet ekonomik dhe demokratik për qytetarët e saj.
Iliria: Një numër i madh i kosovarëve po kërkojnë të largohen nga Kosova dhe të shkojnë në vendet e treta, a e dini numrin e përafërt të aplikantëve për vizë?
Danijela Barišić: Nuk kam të dhëna se sa kosovarë po aplikojnë për vizë për t’u larguar, por Kroacia ka lëshuar rreth 4000 leje pune për qytetarët kosovarë këtë vit, kështu që mund të supozohet se kanë aplikuar për vizë për të hyrë në Kroaci. Dëshiroj të përmend se viza kërkohet edhe për vizita afatshkurtra (turizëm, kulturë, shëndetësi, etj.), dhe rreth 3000 qytetarë kosovarë kanë kërkuar viza për këto qëllime në vitin 2022.
Iliria: Në Zagreb 2020 u arrit në konkluzionin për forcimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e migracionit dhe sigurisë. Si është bashkëpunimi me Kosovën dhe a është ulur numri i emigrantëve kosovarë dhe shqiptarë në Kroaci?
Danijela Barišić: Ky dokument ka të bëjë me parandalimin e migrimit ilegal, luftën kundër kontrabandës së migrantëve dhe sigurinë kufitare. Është një nga një seri dokumentesh të miratuara nga BE-ja pas shpërthimit të krizës së emigrantëve në verën e vitit 2015.
Me sa di unë, Kosova, si vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunon kur bëhet fjalë për migrimin ilegal. Gjithashtu, nuk kam të dhëna nëse ka emigrantë të paligjshëm shqiptarë dhe kosovarë në Kroaci. Mirëpo, në vitin 2013, ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës është nënshkruar një marrëveshje për ripranimin, pra një marrëveshje për dorëzimin dhe pranimin e personave, hyrja apo qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm.
Iliria: Bashkëpunimi në trafik dhe infrastrukturë ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës po bëhet më i fortë. I dukshëm është edhe prania e madhe e biznesit dhe kompanive kroate në Kosovë. Sa është i pranishëm bashkëpunimi ekonomik i Kosovës dhe prodhuesit e saj në Kroaci?
Danijela Barišić: Duke parë të dhënat statistikore të Entit Shtetëror të Statistikave të Republikës së Kroacisë, vërehet një disbalancë, dmth në vitin 2021 Kroacia ka eksportuar mallra në Kosovë në vlerë prej 112 milionë euro dhe ka importuar mallra në vlerë prej 6.5 milionë euro, kështu që besoj se përgjigja është e vetë-imponuar.
Iliria: Bashkëpunimi ekonomik, veçanërisht në fushën e transportit, hekurudhor dhe infrastrukturës, po përmirësohet, por linja ajrore Zagreb-Prishtinë edhe sot nuk funksionon. Pse?
Danijela Barišić: Keni të drejtë, për fat të keq linja ajrore, me gjithë tentativën për të krijuar linja nga dy kompani private, nuk u ngrit në dhjetor të vitit të kaluar. Kur bëhet fjalë për kompanitë private, ata vetë e dinë nëse ka interes dhe rentabilitet, ndaj mbase pyetja duhet drejtuar atyre.
Iliria: Shërbimi Kroat i Punësimit bashkëpunon me partnerë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vende të tjera. Sa është numri i shqiptarëve sezonalë në Kroaci dhe çfarë pune bëjnë më së shumti?
Danijela Barišić: Siç e thashë tashmë, Kroacia ka lëshuar rreth 4000 leje pune për qytetarët e Kosovës, shumica prej tyre janë të punësuar në turizëm, dhe fakti është se Kroacisë i mungon fuqia punëtore konkretisht në turizëm, kështu që ne jemi në kërkim të fuqisë punëtore. dhe po shikojnë nga vendet në rajon, rrjedhimisht edhe nga Kosova.
Iliria: Ministritë e Mirëqenies Sociale në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar koordinimin e sigurimeve shoqërore, në mënyrë që qytetarët në vendet ku jetojnë apo punojnë të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre pensionale dhe shëndetësore. Po Kosova dhe përvoja e fituar më parë e punës a pranohet…?
Danijela Barišić: Nuk jam në dijeni të ndonjë informacioni për koordinimin e sigurimeve shoqërore ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, por sigurisht që mund të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të ndryshme, duke sjellë përfitime më të mëdha për qytetarët e atyre vendeve. Kroacia ka marrëveshje dypalëshe me vende të caktuara të Ballkanit Perëndimor, dhe së fundi ka iniciuar procedurën për lidhjen e Marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës. Kjo kontratë do të rregullojë marrëdhëniet e ndërsjella në fushën e sigurimeve shoqërore, ku përfshihen të drejtat pensionale dhe shëndetësore. Jam jashtëzakonisht e kënaqur që procedura u inicua, duke pasur parasysh që pata rastin të dëgjoj për pengesat që kanë të bëjnë me njohjen e vjetërsisë, kryesisht kroatëve që jetonin dhe punonin në Kosovë (në atë kohë ishte krahinë autonome), të cilë sot jetojnë në Kroaci dhe nuk kanë vjetërsi të njohur të realizuar në Kosovë.
Iliria: Çfarë po ndodh me komunitetin kroat dhe kroatët që jetojnë në Kosovë. Si t’i ndihmojmë të qëndrojnë në Janjevë, ku kanë ruajtur ndjenjat e tyre kombëtare, gjuhën, fenë dhe trashëgiminë kroate për shekuj. Një numër shumë i vogël kroatësh mbetën. Cila eshte arsyeja?
Danijela Barišić: Fatkeqësisht, nga 8000 kroatë që kanë jetuar në Kosovë para luftës, kryesisht në Janjevë dhe Letnicë, sot kanë mbetur vetëm rreth 160 në Janjevë dhe 20 në Letnicë. Kroatët emigruan në disa valë. E para filloi me ardhjen e Millosheviqit dhe regjimit të tij në pushtet, si dhe kur filloi agresioni serb kundër Kroacisë në vitin 1991, ku Vojislav Šešelj filloi të frikësonte dhe persekutonte kroatët (në Vojvodinë) dhe në Kosovë. Më pas, gjatë ndërhyrjes e NATO-s, forcat serbe në Kosovë dëbuan edhe popullsinë joserbe. Gjithashtu, për shkak të papunësisë së lartë dhe pasigurisë sociale, anëtarët e komunitetit kroat vendosën të largohen.
Sot, ky komunitet i vogël kroat po përballet me një lloj tjetër problemi, e cila është infrastruktura shumë e dobët në pjesën e Janjevës ku jetojnë kroatët. Atje ka ndërprerje të energjisë elektrike sapo bie shi apo fryn erë, mungesë uji gjatë verës, rrugët e pamirëmbajtura që të çojnë në kishë etj. E gjithë kjo është përgjegjësi e autoriteteve lokale, të cilat fatkeqësisht ende nuk kanë reaguar, pavarësisht deklaratave të shumta të zyrtarëve të lartë të Kosovës dhe Qeverisë. Megjithatë, pas vizitës së Kryeministrit dhe Presidentit kroat, situata e sigurisë është përmirësuar. Gjegjësisht, numri i patrullave policore është rritur dhe sistemi i drejtësisë ka treguar funksionalitetin e tij kur bëhet fjalë për arrestimin dhe dënimin e huliganëve dhe bandave të të miturve që vodhën dhe shkatërruan pronat, kryesisht pjesëtarëve të moshuar të komunitetit kroat, i cili ndihej i pasigurt dhe i braktisur. Megjithatë, siç thashë, ministrat e Kosovës kanë reaguar dhe falënderoj ministren e Brendshme Svecla, kryeministrin Kurti, ministrin Mehaj e të tjerë.
Iliria: Shoqata e Grave Shqiptare të Kroacisë „Kraljica Teuta“ nga Zagrebi ka realizuar projektin dhe po përpiqet të mbajë një simpozium për Andrej Alleshin në Shibenik dhe për bashkëpunimin shekullor mes kroatëve dhe shqiptarëve. Shfrytëzojmë rastin dhe ju ftojmë në Shibenik për të mbajtur një takim shkencor me kërkesën për të emërtuar një rrugë apo shesh në Shibenik me emrin Andea Alleshi dhe për çdo vit të përkujtojmë bashkëpunimin më të hershëm mes dy vendeve.
Danijela Barišić: Ju falënderoj dhe ju uroj organizim të suksesshëm të takimit shkencor dhe nëse kam mundësi, me kënaqësi do të marr pjesë në takim.
Ilria: Zonja Barishiq, ju falënderojmë ju dhe Kroacinë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe kosovarët në të gjitha fushat e jetes.
Danijela Barišić: Faleminderit për mundësinë për intervistën dhe ju uroj juve dhe të gjithë redaksisë, po ashtu edhe lexuesve, suksese në të ardhmen.