Grupi vallzues “ILIRE” ringjallin traditen e shqipetarve nga Morea deri ne Sicili
Në ritmin e bardhë të palosur, nën dritën e reflektorëve dhe me tingujt e këngës O moj Morea, fustanella foli përsëri.
Për të tretin vit me radhë, nën organizimin e Mbretëreshës Teuta, Ditët e Teutës 2025 u hapën me një performancë madhështore të grupit valltar Ilirë, me koreografi të Shenida Bilallit – një përkushtim i fuqishëm ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare, kujtimit të shqiptarëve dhe shqiptareve të dëbuar nga Epiri, dhe lidhjes shpirtërore me detin që i çoi drejt Sicilisë.
Këtë vit, skena mori një dimension të ri dhe të jashtëzakonshëm:
hyrjen e baletarit virtuoz JON, i cili me teknikën e tij të përsosur, vijat e pastra të trupit dhe forcën artistike të lëvizjes, tregoi një kapitull historie që fjalët nuk do ta përshkruanin dot. Ai nuk vallëzoi thjesht – ai rrëfeu historinë e fustanelës.
Çdo hap, çdo ngritje, çdo rrotullim i trupit zbulonte bukurinë, peshën dhe forcën e fustanelës – atij simboli të shenjtë që ka mbajtur mbi vete shekuj historie, krenarie dhe dhimbjeje.
Në interpretimin e tij, fustanella nuk ishte më vetëm kostum, por krah i historisë, flamur identiteti dhe lutje e vallëzuar për të gjitha shtëpitë e humbura. Në këtë udhëtim artistik ai nuk ishte vetëm.
Në skenë, grupi valltar Ilirë ishte fryma që e ndiqte, ritmi që e mbante dhe zemra që e rrethonte. Së bashku krijuan një homogjenizim të përsosur emocionesh, ku baleti klasik u shkrinë me ritmet ilire, eleganca me burrërinë, teknika me shpirtin.
Fustanella – simbol nderi, identiteti dhe kujtese kulturore
Fustanella, veshja tradicionale burrërore e njohur për palat e saj të bardha të shumta, është një nga simbolet më të fuqishme të veshjes shqiptare. Ajo është mbajtur në Shqipërinë e jugut dhe të mesme – në Labëri, Skrapar, Gjirokastër e Himarë – por edhe nga arbëreshët në Itali, ku është bërë pjesë e veshjeve ceremoniale në dasma dhe festa.
Rrënjët e fustanelës shkojnë thellë në kohën ilire, dhe gjetjet arkeologjike në Durrës dëshmojnë ekzistencën e veshjeve të ngjashme që në shekullin IV para erës sonë.
Me kalimin e shekujve, fustanella u bë veshja e luftëtarëve, simbol i qëndresës dhe nderit, por edhe veshje ceremoniale për rite, valle dhe festa popullore.
Largimi shqipetarve nga brigjet e Epirit – performancë si kujtesë kolektive
Performanca e këtij viti, me titull “Fustanella – O moj Morea”, ishte më shumë se koreografi – ishte pikturë e gjallë historie.
Përmes një vallëzimi ritual në fustanelë, valltarët mishëruan shqiptarët dhe shqiptaret që, nën presionin e rrethanave historike, u detyruan të largoheshin nga Epiri dhe të niseshin drejt Sicilisë.
Kënga O moj Morea kumbonte si thirrje e vendlindjes, dhe çdo hap ishte një lutje për ata që mbetën dhe ata që u larguan.
Një thellësi të veçantë performancës i dha edhe ndërhyrja e frymëzuar nga Edith Durham, studiuesja britanike dhe mbrojtësja e kulturës shqiptare, shënimet e së cilës për gratë dhe zakonet shqiptare shtuan një dimension emocional të veçantë.
Zëri i saj në tekst dhe muzikë lidhi të shkuarën me të tashmen, vendlindjen me mërgatën, gratë me burrat, këngën me heshtjen.
Baleti i fustanelës – çasti që ndali frymën
Mbrëmja solemne e Ditëve të Mbretëreshës Teuta 2025 nisi me një solo të baletarit të veshur me fustanellë, i cili – me saktësinë e baletit dhe forcën e trupit burrëror – solli një interpretim prekës të largimit dhe mallëngjimit.
Publiku mbeti pa frymë.
Në atë çast, fustanella u bë simbol i gjallë, urë mes së shkuarës dhe së tashmes, mes atyre që u larguan dhe atyre që kujtojnë.
Fustanella jeton
Fustanella jeton – jo vetëm si veshje, por si lëvizje, kujtesë dhe krenari.
Falë grupit valltar Ilirë dhe Mbretëreshës Teuta, ajo vallëzon sërish – për ne, për të parët tanë, për brezat që vijnë.
Përmes shfaqjeve dhe performancave, ajo përcjell historinë dhe ngjarjet e rëndësishme te brezat e rinj dhe te publiku i gjerë shumëkulturor. Në të njëjtin frymë, u kujtua edhe lordi Byron, i cili në një letër për nënën nga Shqipëria shkroi: „Nuk kam parë kurrë asgjë më madhështore se veshja popullore shqiptare – e bardhë, e pasur, dinjitoze, sikur të ishte krijuar për mbretër.“ Fjalët e tij, të thëna me admirim, ende jehojnë si konfirmim i bukurisë dhe fuqisë universale të këtij simboli kulturor.
Mbretëresha Teuta prej njëzet vitesh kultivon trashëgiminë kulturore shqiptare përmes teatrit, baletit modern dhe klasik.




















