“Studimet e Milan Shufflay-it mbi historinë, kulturën dhe religjionin e shqiptarëve”
Shufflay ishte i vetëdijshëm për praninë e madhe të shqiptarëve gjatë mesjetës në bregdetin kroat, në Raguzë, Zarë, Hvar, Shibenik, Trogir e vende tjera, ku edhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në burimet historike që Shufflay i njihte më mirë se kushdo tjetër.
Intervistoi: Shenida Bilalli
Në përvjetorin e vrasjes së studiuesit, humanistit dhe albanologut të madh kroat Milan Shufflay, në Zagreb, Prof.dr. Muhamed Mala profesor në Universitetin e Prishtinës, prezantoi studimin me titull “Studime të Milan Shufflaj-it mbi historinë, kulturën dhe religjionin e shqiptarëve”, i cili u mbajt në Parlamentin kroat, me pjesëmarrjen e shumë ministrave, diplomatëve si dhe të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kroaci, Z.Riza Poda, Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, Dr. Martin Berishaj, deputetes në Parlamentin kroat Znj.Ermina Lekaj Perljaskaj, Kryetarit të Unionit të Shqiptarëve në Kroaci Z. Esat Çollaku,dhe shumë tjerë të ftuar nderi.
Në rrugën “Dalmatinska” në qendër të Zagrebit më 18 shkurt 1931, u sulmua në menyrë tinzare, shkencëtari dhe albanologu kroat Milan Shufflay me një shufër metalike pas shpine nga, Branko Zvergel, i cili i përkiste organizatës terroriste “Jugosllavia e re”. Ditën e nesërme me 19 shkurt Shufflay ka ndërruar jetë si pasojë e këtij sulmi. Arsyeja e vrasjes makabre të Dr. Milan Shufflay në mes të tjerave edhe ishte angazhimi i tij për të mbledhur burimet historike dhe mbështetur në baza shkencore dhe shkruar “Historinë e Shqiptarëve” si dhe pritja e ngrohtë në Kuvendin e Shqipërisë që i bëri mbreti shqiptar Zog I disa javë para vdekjes së tij.
Iliria: Në fjalimin tuaj në Parlamentin kroat, ju thatë se pak njerëz në historinë e botës intelektuale kanë arritur të parashikojnë të ardhmen bazuar në studimet e tyre mbi të kaluarën dhe ti orientojnë rreth zhvillimit dhe prosperitetit si për kroatët, ashtu dhe shqiptarët në Ballkanin e trazuar dhe problematik, siç bëri Dr. Milan Shufflay.
Muhamet Mala: Personaliteti erudit, vizioni dhe orientimi perëndimor i Dr. Milan Shufflay, i cili është shumë aktual edhe sot, kuptohet më së miri duke studiuar punën e tij shkencore dhe publicistike. Madhështia e veprës së Dr. Milan Shufflay nuk qëndron vetëm në vëllimin numerik të llogaritur në mbi (tre mijë) 3000 njësi bibliografike, por mbi të gjitha në përmbajtjen, diversitetin dhe aktualitetin e atëhershëm dhe të sotëm. Vendin e Shufflay-t e zënë vepra që trajtojnë probleme nga historia, kultura dhe religjioni që i kushtohen të kaluarës, por që janë ende orientime të zhvillimit politik dhe kulturor të popullit kroat dhe më gjerë. Shufflay si intelektual kroat në shkrimet e tij është udhëhequr gjithmonë nga parimi i së vërtetës. Ai nuk devijoi nga këto parime edhe kur rezultatet e arritura mund të ishin në kundërshtim me të menduarit tradicional.
Iliria: Cili është ilustrimi më i mirë në paraqitjen e studimeve të tij me përmbajtje historike nga e kaluara e popullit shqiptar?
Muhamet Mala: Shufllay nuk udhëhiqej nga idetë dhe stereotipet tradicionale për mos zhvillimin historik të shqiptarëve, por nga pikëpamja historike ai i konsideronte shqiptarët si popull me një kultur evropiane dhe aleatë të natyrshëm të kroatëve. Në kërkimet e tij ai konstatoi një luftë të përbashkët të shqiptarëve dhe kroatëve të mesjetës kundër depërtimit të politikës ortodokse sllave në zonat e Bregdetit Adriatik. Në aleancën e princërve katolikë shqiptarë me fisnikët katolikë kroatë kundër depërtimit të ortodoksisë serbe në bregdet dhe më gjerë, ai gjeti format e para të bashkëpunimit politik mbi baza fetare sepse shqiptarët në periudhën e mesjetës i takonin religjionit të krishterë. Papati, duke dashur të ruante dhe të vazhdonte ndikimin e tij në këtë zonë, u përpoq të bashkonte familjet fisnike shqiptare dhe kroate. Një Bulë Papale e vitit 1319, e nxjerrë me rastin e organizimit të një kryengritjeje antiortodokse, përmend fisnikët shqiptarë nga familjet Muzakaj, Matrangaj, Arianiti, Blinishti, së bashku me fisnikët e tjerë kroatë. Duke elaboruar Mitin e Kroacisë së Kuqe, Sufflay i afroi edhe më shumë Shqipërinë dhe Kroacinë dhe në një mënyrë kundërshtoi Serbinë e Madhe dhe Projektin e Garashaninit mbi ekspansionin territorial të Serbisë ne Ballkan.
Iliria: Ju deklaroni se sipas Shufllay-t etnosi shqiptar, shquhet si shumë i vjetër dhe më i qëndrueshëmi në Ballkan?
Muhamet Mala: Shufflay ishte në dijeni të pranisë së madhe të shqiptarëve gjatë mesjetës në bregdetin kroat, në Raguzë, Zarë, Hvar, Shibenik, Trogir e gjetkë ku ata lanë gjurmë të pashlyeshme në burime që Shufflay i njihte më mirë se kushdo tjetër. Si studiues i shkëlqyer i mesjetarës, Shufflay arriti t’i shihte shqiptarët si një faktor të pashmangshëm në rrjedhate historisë ballkanike që nga shekulli i 11-të e në vazhdim, madje ai i dallon ata nga kaosi etnik i Ballkanit mesjetar të mbuluar nga tradita bizantine. Sipas Shufflay-it, Shqipëria paraturke ka ekzistuar si koncept gjeografik dhe etnik paralelisht me konceptin politik të Bullgarisë dhe Serbisë, duke lënë mënjanë Malin e Zi, i cili nga pikëpamja historike, sipas Shufflay-it, mund të quhet djali i mitur i Shqipërisë. Pavarësisht konceptit të Shufflay-it për stabilitetin etnik dhe gjeografik në Shqipërinë e Mesjetës, duhet theksuar se ekzistonte edhe një koncept politik i Shqipërisë në formën e shteteve.
Iliria: Bëhet fjalë për një vepër tjetër të Shufllayt kushtuar shqiptarëve me përmbajtje historike me titull “Kufijtë e Shqipërisë në Mesjetë”?
Muhamet Mala: Ishte thjesht një njoftim për botimin e veprës voluminoze dhe tejet të rëndësishme “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Lidhur me të kaluarën historike dhe burimet e mbledhura ne këto përmbajtje thuhet se: paragjykimet, sidomos ato ide që janë zbukuruar dhe fryrë mjaft nga gënjeshtrat historike të një grupi shkencëtarësh serbë dhe shkrimtarë që mendojnë se Evropa Perëndimore duhet të mësojë prej tyre serbëve zhvillimin historik të Ballkanit. Këto mendime ishin me se domosdoshme për mirëqenien e autonomisë dhe pavarësisë së Shqipërisë në ato ditë të vështira të ffillimit të shekullit XX kur po shpallej Pavarësia e Shqipërisë.
Iliria: A ishte në dijeni studiuesi i shquar Shufflay për veprën monumentale?
Muhamet Mala: Pa dyshim se po. Shufllay dëshironte qe vendimmarrësve politik të Evropës tu bënte me dije autoktonin dhe rolin e shqiptareve ne historinë e Ballkanit dhe rrjedhimisht edhe të drejtën për te pasur shtetin e tyre. Vepra “Aktet dhe diplomat që ilustrojnë ngjarjet e Shqipërisë mesjetare?” përveç karakterit shkencor, ishte dedikuar si njoftim edhe u shërbeu atyre që vendosën fatin e shqiptarëve ishte vepër qe kishte për qëllim të jetë tregues i vlerave dhe autoktonisë shqiptare, e rrjedhimisht edhe i ruajtjes së tyre. Kjo pikëpamje përforcohet nga fakti se koha kur u botua vëllimi i parë në vitin 1913 duhej të shërbente për ruajtjen e Shqipërisë nga luftërat ballkanike, po ashtu edhe vëllimi i dytë, i botuar në vitin 1918 para Konferencës së Versajës, mund të kishte luajtur të njëjtin rol. Shufflay synonte të vazhdonte të botonte dokumente mbi historinë e Shqipërisë të mbledhura nga arkivat më të rëndësishme të Evropës, por likuidimi i tij fizik nga policia sekrete serbe e ndërpreu atë në këtë detyrë të rëndësishme sa shkencore aq edhe humane. Më vonë, në një zyrë policie të pluhurosur në Kroaci, u gjet materiali i vëllimit të tretë të Akteve dhe Diplomave…, që synonte të vazhdonte botimin e burimeve historike të Shqipërisë mesjetare në gjithsej gjashtë vëllime, së bashku me dy vëllime të botuara më parë.
Iliria: Profesor Shufflay ka pasur një plan të detajuar financiar për këtë punë voluminoze lidhur me këto botime?
Muhamet Mala: Gjithsesi që ka patur sepse Dr. Shufllay ishte nje person tejet i kujdesshëm dhe i përpiktët dhe pedant. Për më tepër, ai sugjeroi ekspertë që do të punonin së bashku në këtë punë voluminoze. Me kalimin e kohës, sipas parashikimeve të Shufflay-t, puna për mbledhjen dhe botimin e burimeve historike mbi historinë e Shqipërisë do të zgjaste 6 vjet. Nga viti 1926 deri në 1931. Siç thashë në fillim, Policia Sekrete Serbe ishte në dijeni të planeve të tilla dhe daljes në shesh të një të vërtete të madhe per të kaluarën e shqiptarëve dhe mund të themi se këto plane dhe vizita e tij në Shqipëri disa ditë para vrasjes dhe qëndrimi i tij i palëkundur për pavarësinë e Kroacisë nga Jugosllavia unitariste ishin baza e likuidimit të tij fizik.
Iliria: Mendoni se merita e Shufflay-t për historinë, veçanërisht shqipen, nuk është vetëm në mbledhjen e materialit, por edhe në kuptimin metaforik?
Muhamet Mala: Ai e ringjalli atë material historik dhe e bëri të flasë. Në kërkimin e tij, profesor Shufflay i konsideron shqiptarët mesjetarë jo vetëm si malësorë dhe luftëtarë të aftë , por edhe pjesëtarë të qytetërimit perëndimor që i dhanë Dalmacisë jugore strukturat më të arsimuara priftërore. Shqipëria e Veriut, veçanërisht qyteti i Drishtit (Drivast) konsiderohej si një fidanishte për të gjithë Dalmacinë. Sipas Shuflajt, Shqipëria ka qenë gjithmonë një vend i kufijve par excellence, kufiri i gjuhës së fesë dhe pushtetit dhe zonë kufitare në mes Lindjes dhe Perëndimit.
ton jashtë kufijve politik të Shqipërisë?
Muhamet Mala: Duke studiuar veprimtarinë e tij të madhe krijuese, vërejmë se Shufflay nuk ka hulumtuar praninë e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe vise të tjera etnike në periudhën para dhe pas pushtimit Osmane. Pa u marrë me këtë çështje, ai u mjaftua me pranimin e tezës Serbe për Kosovën si djep të serbizmit dhe teorisë së Cvijiqit për depërtimin e “barinjve shqiptarë” në Kosovë pas të ashtuquajturit «Shpërngulja e madhe serbe nga Kosova » e vitit 1689. Kjo tezë u ndërtua tërësisht mbi argumente të dobëta historike dhe i shërbeu politikës ditore të Luftërave Ballkanike. Ne besojmë thellësisht se sikur fokusi i tij të ishte më i thellë në këtë drejtim ai do të ndryshonte qëndrimin e tij dhe do të kalonte ndikimin eventual të teorisë së Cvijić-it.
Iliria: Gjatë studimeve, Šufflay nuk u kufizua vetëm në shkrime thjesht historike por u mur edhe me letërsin kreligjionin dhe kulturën e shqiptarëve te mesjetës.?
Muhamet Mala: Po, është marrë me studime historike, por edhe me studime të një përmbajtjeje më të gjerë kulturore, fetare, letrare dhe politike. Karakteri enciklopedik i SHuffay-t, nuk e kufizoi atë vetëm në fushën e historisë. Ai respektonte veçanërisht të kaluarën kulturore të Ballkanit. Në studimin e tij “Serbët dhe Shqiptarët”, ndër të tjera, Sufflay thekson: “Edhe pse sot optimumi i qytetërimit të racës së bardhë është rreth Atlantikut për një kohë të gjatë, këtë optimum e krijoi dhe e ruajti Mesdheu. Adriatiku nuk është thjesht një degë e zakonshme e atij qytetërimi, por vatra e kulturës mesdhetare, është ajo që qëndron në kufirin e dy botëve të lashta».
Iliria: Si ia mundësoi Shufflay -t njohja e historisë dhe gjuhës shqipe që t t’i paraqesë të vërtetat për popullit shqiptar?
Muhamet Mala: Jo vetëm njohja e historisë së gjuhës, por etnografia, gjeografia, folklori ishin një nxitje për Shufflay-in që të provohej edhe si letrar. Me pseudonimin Alba Limi, Shuflaj botoi një roman historik trepjesësh të titulluar “Kostadin Balsha”, botuar në Zagreb më 1920.
Në këtë roman, siç shprehet vetë autori, Alba Limi synonte të “…zbulonte një segment të madh të rrethit kulturor të Adriatikut, në të cilin është përqendruar zhvillimi historik i të gjithë zonës mesdhetare…” dhe nuk është rastësi që ngjarja zhvillohet në Shqipërinë mesjetare. Ai Shqiperinë e konsideronte vërtet një monadë të Gadishullit Ballkanik ku i gjithë kozmosi kulturor shkëlqen me nuanca latine, romake, italiane, helenike, bizantine dhe sllave. Shkrimet e Shufflay-t për kulturën trajtojnë edhe nocionet e kulturës kombëtare kroate dhe evropiane. Në një nga veprat e tij me titull: “Mbi humnerën”, botuar në gazetën «Hrvatsko pravo» më 19 korrik 1924, Shufflay thekson: “Kroatët nuk thonë se kanë një kulturë specifike kroate. Nuk ka asnjë specifike austriake, gjermane, anglo- saksone apo franceze. Janë kultura perëndimore me disa nuanca, të cilat kryqëzohen me njëra-tjetrën si ngjyrat e ylberit. Politika që çoi në konfliktin e fuqive të mëdha është fjala për Luftën e Parë Botërore, nuk ka lidhje me kulturën. Kjo është ndeshje gjigante, e një kulturë unike perëndimore që dërgon në vetë shkatërrim” shprehet Shufflaj për Luftën e Parë Botërore dhe idenë e kulturës perëndimore..
Iliria: Është e qartë se Shufflay kishte një kuptim më të thellë të kulturës perëndimore se të tjerët në aspektin pozitiv dhe negativ?
Muhamet Mala: Po gjithsesi, ketë e keni vrejtur edhe ju. Edhe ai nga ky koncept krijoi idenë e vlerave të kulturës perëndimore, të cilat nuk i hoqi nga mendimet e tija gjatë gjithë veprës së tij krijuese. Në këtë kontekst, duke folur për besimin, Shufflay shprehet: “Vetëm Perëndimi ka një fe që nuk është pjesë servile e disa kulturave të përcaktuara nga rëndësia etnike ose formimi historik. “Mendojmë se në këtë rast Shufflay ka parasysh konceptin e universalizmit të Katolicizmit, si një mbi një koncept etnik ose mbi gjuhësor që është koncepti i universalizmit.
Në kuadrin e fesë në Ballkan dhe në mesin e shqiptarëve, Shufllaj në studimin e tij “Situata kishtare e Shqipërisë paraturke” shprehet: “Në kuptim etnik, politik, kulturor dhe kishtar, Shqipëria është një zonë kufitare unike, nga Kvarneri, deri në Durrës u krijua një mburojë e gjallë katolike, e cila në rrethana të favorshme arriti të bashkonte materialin heterogjen kroat dhe shqiptar thellë në brendësi të krahinave, gjatë shekujve 14 dhe 15. Kjo mburojë katolike shqiptaro-kroate arriti t’i rezistojë përpjekje ortodokse drejt bregdetit, e cila arriti të krijonte ndikim vetëm në brigjet e Zetës, pra Malit të Zi të sotëm.
Iliria: A vazhdoi në Durrës ndikimi i katolicizmit para ardhjes së turqve?
Muhamet Mala: Po, afër Durrësit ai preku zonën kufitare ortodokse, pra kishën e krishterë lindore. Ishte formimi i Dioqezës së Tivarit në shekullin XII që synonte të ndalonte depërtimin e ortodoksisë drejt bregdetit të Adriatikut dhe si aleati më i fuqishëm i Perëndimit në këtë drejtim, pa dyshim që ishin shqiptarët dhe kroatët. Në këtë kontekst, në një dokument dërguar Dukës së Burgundisë në Francë nga Filipi VII Valua nga Kryepeshkopi i Tivarit, Gulilm Adam, nga viti 1332, ai shprehe për shqiptarët dhe i konsideron ata si : … njerëz të shëndetshëm, luftëtarë të guximshëm dhe të mirë që duan të thyejnë zgjedhën e padurueshme dhe jashtëzakonisht të rëndë të sundimtarëve sllavë ortodoksë të urryer dhe të vështirë … “
Ilaria: A do të thotë kjo se Shufflay e njihte rolin e rëndësishëm të shqiptarëve në atë kohë?
Muhamet Mala: Natyrisht, për të parandaluar depërtimin ortodoks serb në Adriatik përmes katolicizmit verior. Kjo është e qartë. Do të thoshim se Skënderbeu bëri të njëjtën gjë një shekull e gjysmë më vonë, por tani duke mbrojtur perëndimin nga pushtimi turk. Ndryshe nga Europa e mëvonshme politike, Shufflay nuk e harroi kurrë këtë shërbim që shqiptarët i bënë Perëndimit, duke u sakrifikuar. Duke studiuar veprën dhe personalitetin e Shufflay-it, nuk mund të mos ta dëshirojmë vizionin e tij për të ardhmen, erudicionin, stilin e mrekullueshëm të shkruarit dhe formulimin e drejtë të mendimeve. Fuqia e ideve të tij buron nga njohja e thellë e problemeve me të cilat u mor nga historia, politika, feja, kultura, sociologjia, etnografia etj. Shuflaj theksoi faktin se historia është një dinamikë, jetë dhe ndryshim në kohë dhe hapësirë.
Iliria: Duke studiuar historinë shqiptare, Shufflay theksoi se në atë zonë ka jetuar dhe zhvilluar një popull me kulturë të lashtë dhe autoktone?
Muhamet Mala: Po, është e vërtetë, analizon dhe tregon thellë se kush ishin dhe çfarë ishin shqiptarët, cilat janë karakteristikat e tyre psikologjike dhe gjeografike ku ata jetuan dhe ku tani jetojnë, cila ishte dhe është gjuha dhe mentaliteti i tyre. Dhe e tha më mirë se kushdo tjetër në ato kohë të vështira kur shqiptarët nuk u lejuan dhe nuk patën mundësi të thoshin të vërtetën për veten e tyre dhe ky është një moment që i jep edhe më shumë rëndësi veprës së Shufflay-t, për të cilën ne si shqiptarë i jemi përjetësisht. mirënjohës.