Vasfije Krasniqi-Goodman dëshmoi në Kongresin Amerikan për dhunimin

05/06/2021
Autor: Iliria
136 pregleda

Me lot në sy, Krasniqi ka rrëfyer se si u dhunua…Asnjë grua që ka mbijetuar dhunën seksuale gjatë luftës në Kosovë, kurrë nuk ka folur publikisht – deri në vitin e kaluar, kur Vasfije Krasniqi, një kosovare që jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tani nënë e dy fëmijëve, postoi në faqen e saj të Facebook-ut një letër të hapur për ata policë që e përdhunuan në vitin 1999.

Vasfije Krasniqi-Goodman, veshur me pallto të kaltërt, është një gruaja e vogël po me forcë të madhe, grua e cila tregoi mbi torturat që ka përjetuar gjatë luftës në Kosovë. Për herë të parë ajo u rrëfye publikisht në Televizionin Publik të Kosovës (RTK).

Gjatë luftës në Kosovë, ajo ishte marrë nga shtëpia e saj më 14 prill 1999, nën dhunën e armëve, nga një burrë me uniformë të Policisë së Serbisë. Në postimin e saj, ajo kujton se si i kishte kërkuar atij që ta vriste. Tregimin për tmerrin që ka përjetuar ajo e fillon: “Ti më lëndove. Isha 16 vjeç dhe nuk e kisha përjetuar jetën. Isha e pafajshme. Ti ma shkatërrove dhe ma vodhe rininë time.”

Tashmë 36-vjeçare, Krasniqi shprehet se e ka shkruar letrën e saj për të kurajuar e fuqizuar gratë e tjera. “Nuk më vjen turp dhe nuk kam frikë. Unë do të kryej atë që më takon. Të gjithë e dinin se më mori një polic serb. Të gjithë e dinë se vajzat 16-vjeçare nuk merret për dhënie deklaratash nga forcat policore serbe”.

Vasfija ishte një 16-vjeçare në kohën kur ju nënshtrua torturave dhe dhunimit seksu­al. Ajo tani është nëna 36-vjeçare e dy fëmi­jëve dhe jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vasfije Krasniqi dëshmon edhe në Kongresin Amerikan, duke rrëfyer historinë e saj të dhunimit.

Vasfije Krasniqi-Goodman ka dhënë dëshminë e saj edhe në Komitetin për Punë të Jashtme në Kongresin Amerikan. Duke ju dridhur duart, ajo ka shpjeguar të gjithë historinë e saj të dhunimit nga policë serbë gjatë luftës, kur kishte vetëm 16 vjeç.

“Me 14 prill, kur isha vetëm 16 vjeçe, një zyrtar i policisë serbe po kërkonte babanë dhe vëllëzërit e mi. Ishim vetëm unë, nëna, tezja dhe disa kushërira. Na kërkuan letërnjoftimet dhe mua më thanë të shkoj në postën e policisë. Nëna ime i tha që ta marrin atë dhe të më linin mua”, ka nisur rrëfimin e saj para Kongresit Amerikan.

Ajo ka vazhduar më tutje tregimin e saj në Kongresin Amerikan nën drejtimin e kongresmenit Eliot Engel. “Më hodhën në një dysheme, bërtita dhe kundërshtova, por ai më dhunoi. Më kujtohet gjithçka, derisa u alivanosa. Isha plot frikë e i kërkova të më vriste. Ai më tha jo, sepse kështu do të vuash më shumë”, është shprehur ajo.

“Më nxori nga automjeti dhe më çoi në një shtëpi të pa meremetuar. Aty më dhunoi një tjetër, ishte plak. Pastaj më çuan në fshatin tim dhe më lanë në rrugë”, tha më tej  Krasniqi. Ajo tregon se pas dhunimit shkoi në shtëpi dhe policët serbë i kërkuan që të mos u tregonte familjarëve.

“Nuk doja të shkoja në shtëpi sepse nuk doja t`ju tregoja se çka më kishte ndodhur. Por kur arrita në shtëpinë e xhaxhait tim, nuk kisha nevojë të flisja, sepse familjarët e kuptuan se çfarë kishte ndodhur”, është shprehur Krasniqi. Krasniqi thotë se kërkon drejtësi për atë që i ndodhi, ashtu sic kërkojnë edhe 20 mijë viktima të tjera të dhunës seksuale gjatë luftës, gra, meshkuj dhe fëmijë.

“Kanë kaluar 20 vjet dhe askush nuk i ka dënuar për atë që më kanë bërë”, ka përfunduar historinë Krasniqi – Goodman. Engel e ka falenderuar Krasniqin që ndau historinë e saj të dhimbshme duke e përgëzuar për guximin e treguar, për të mos heshtur ndaj krimeve dhe dhunës së forcave serbe.

“I lutesha të më vrisnin, dëshiroja të më vrisnin me një plumb” tregon ajo
kur e larguan prej nënës së saj, dhe e morrën kinse për të dhënë një deklaratë se ku janë vëllezërit dhe babai i saj.

Falenderojmë Këshillin për Pakicat Kombëtare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë i cili financon revistën “Iliria” 2005. - 2025.