Ëndërroj të punoj në vend të ngrohtë..!
Ky rrëfim i revistës „Iliria“ flet për një të ri modest i cili vendosi të mos dorëzohej në jetë, punon në fermë për të ndihmuar në ushqyer familjen e tij, por edhe ëndrron
Shkruar nga Shenida Bilalli dhe Katrina Rožić
Herët në mëngjes në dhjetor, temperaturat e ulëta, zgjohet tregu më i vjetër Dolac i Zagrebit, atraksioni kryesor turistik. Nëpër errësirë, shitësit e tregut tërheqin karrocat me kërcitjen e rrotave, plot marule, karrota, domate, speca dhe fruta të ndryshme.
Nën shiun e imtë dhe disa fjolla bore qëndron monumenti ‘Kumica’, simbol i tregut të Zagrebit, e cila tregon mundin dhe punën e shitësve. Po ashtu u kujton klientëve të Zagrebit traditën e gjatë të tregut dhe i hap rrugën plot me tezga tregut me zarzavate, fruta dhe perime që shihen poshtë çadrave të kuqe.
Në rreshtin e parë, pas stendës dhe shumë arkave, duket koka e vogël e një të riu me sy të kaltër e fytyrë të qeshur. Është Elfat Azizi, 25 vjeç, shqiptar nga një fshat afër Tetovës në Veri Maqedonisë . Ai, me mirësë, buzëqeshje, sinqeritet dhe përgjegjësi për punën që kryen pret çdo klient.
Elfat Aziz, erdhi nga Maqedonia e Veriut në Kroaci 13 vjet më parë, për të gjetur një punë. Ai nuk mundi të gjente menjëherë punë në profesion, edhe pse ka kryer shkollën si asistent automekanik dhe elektronik makinash. Ai vizitoi shumë mekanikët dhe pyeti nëse dikush kishte nevojë për ndihmës, por nuk pati fat për Azizin. Ai ishte në një situatë të vështirë dhe nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të luftonte në mënyrën e tij.
Të gjithë në tregun Dolac e njohin atë si djalë punëtor dhe të sjellshëm, i cili dëshiron të ndihmojë të gjithë. Punon në stendë dhe nuk është e vështirë ta vësh re sepse është më i riu, megjithëse ballin e ka të rrudhosur e duart plot me flluska . Në stendë qëndrojnë fruta dhe perime të renditura bukur që presin klientët, të cilat tregojnë punën e tij.
– Pranova punë në treg dhe të afërmit më ndihmuan për akomodim. Në fillim mbaja arka, sillja mallra, ndihmoja me stenda e pastaj fillova të punoja si shitës. Xhaxhai im, i cili punon më shumë se 30 vjet në Zagreb, më ndihmoi dhe më punësoi për të ndihmuar familjen që kam në Maqedoninë e Veriut- thotë Elfat Azizi.
Në fshatin afër Tetovës la babanë, nënën, vëllanë, nusen dhe mbesën e vogël. Për të, babanë, nënën dhe vëllanë, jeta ishte çdo gjë tjetër veçse jo e lehtë me 200 euro në muaj. Prandaj, Elfat Azizi shumë i ri vendosi me guxim të bëjë diçka dhe erdhi në Zagreb.
– Ne punojmë derisa Zagrebi është ende duke fjetur, filloi tregimin e tij Elfat Azizi. Ne vijmë herët para agimit sa është ende errësirë, vendosim stendat dhe dërgojmë mallra. Gjithë ditën jam në treg, punoj 12 orë. Zgjohem në orën 03:15, qëndroj deri në orën 16:00 pasdite, kur duhet të marr mallin nga stendat dhe t’i kthej në dyqan. Klientët e parë mbërrijnë rreth orës 5:30 dhe 6:00 të mëngjesit. Nuk është e lehtë të punosh në Pazar- thotë i riu me sy blu.
Në treg nuk ka njeri që nuk e njeh këtë djalë me zemër të madhe dhe të buzëqeshur, që nuk di të dorëzohet dhe e nuk e ka të vështirë të punojë.
– Ka klientë të ndryshëm, kërkues, por edhe njerëz të mirë e të dashur. Në stendën tonë çmimet janë më të ulëta dhe ka gjithmonë shumë klientë, klientë të rregullt,- thotë Aziza duke vënë frutat në peshore.
– Nuk e kam të vështirë t’u shërbej njerëzve që na respektojnë, gjithmonë i shpërblej me fruta apo perime. Megjithatë, më të vështirat janë zonjat, të cilat zgjedhin frutat dhe perimet, i prekin, i shtrydhin, ankohen dhe në fund nuk blejnë asgjë. Ndodh shpesh që njerëzit që kanë pritur të heqin dorë nga blerja. Herë heshti, por herë më duhet të reagoj, malli zbutet dhe askush nuk e do. Megjithatë, ka njerëz të mrekullueshëm që na pyesin si jemi, na sjellin ndo njëherë kafe. Kjo më bën të lumtur!
Azizi thotë se fiton para, por tani që është rritur çmimi i karburantit dhe gjithçka tjetër, mezi i mbulon të gjitha shpenzimet në Zagreb.
– Është shumë më e vështirë për mua të gjej një punë tjetër, por nuk dorëzohem. I qëndroj besnik kësaj pune megjithëse dita e punës fillon qysh në agim.
Megjithëse duket se jeta Azizit nuk i solli shumë, ajo i dha atij gjënë më të vlefshme, forcën dhe mirësinë.
– Gjithçka është bërë shumë e shtrenjtë, kështu që me atë që fitoj arrij të mbuloj shpenzimet e banesës, shërbimeve dhe ushqimit, Duhet t’i dërgoj edhe familjes time në Maqedoninë e Veriut, sepse ata punojnë por pagat e tyre janë shumë të ulëta dhe kanë nevojë për ndihmën time. Nëse nuk i ndihmoj unë, kush do…! thotë Azizi.
Klientët që presin për t’u shërbyer nga Azizi janë gjithmonë të buzëqeshur kur e shohin, sepse shpesh ai u jep klientëve më shumë mallra, veçanërisht atyre që nuk kanë para të mjaftueshme.
– Punoj me ndershmëri dhe nuk dua të mashtroj askënd, gjithmonë jap më shumë, ky është shpirti dhe tradita shqiptare. Ne jemi një popull i tillë dhe nëna ime më mësoi të ndaj me të tjerët atë që kam. Çdo vit po bëhet më e vështirë, ka më pak klientë, Korona ka bërë të vetën dhe qendrat e mëdha gjithashtu bënë të tyren, por nuk heq dorë. Unë kam vite që punoj në Dolac dhe Dolac është bërë pjesë e imja. Jam këtu për të “fituar bukën time” – thotë Azizi.
– Puna është shumë e vështirë dhe nuk do të dëshiroja që askush ta bëjë këtë punë. Ka gjithçka, bëhet nga mëngjesi deri në të thuash, para errësirës. Do të doja të isha në një vend të ngrohtë, por me këtë punë duhet të jem jashtë, kur bën ftohtë, bie shi, borë. Ëndërroj të bëj punë ku është ngrohtë dhe ku i ftohti nuk ka hyrë në çdo pjesë të trupit tim. Është veçanërisht e vështirë për mua kur bie shi dhe borë. Është një fatkeqësi e vërtetë. Nuk ka njerëz, nuk ka para dhe koha shkon ngadalë ose nuk kalon fare, e ne shitësit duhet të jemi aty për të shitur mallin sepse ka një datë skadence. Ne po presim. Kur do të kem fëmijë do t’ia plotësoj të gjitha dëshirat dhe nuk do ta lejoj të punojë në pazar si unë- tha Azizi.
Deri sa flasim, ai është vazhdimisht në lëvizje, vrapon nëpër stendë, klientët nuk kanë durim të presin gjatë. Ai shet, bart arka të renda mallrash dhe është i veshur lehtë edhe pse ështe ftohtë,vetëm me një xhaketë të shkurtër dhe xhinse. E pyesim pse nuk vishet më ngrohtë me buzëqeshje u përgjigj.
– Unë mbaj gjithmonë arka, nuk mund të kem shumë roba mbi vete, kam nxehtë, djersitem. Përveç kësaj, unë jam i ri, kjo është pasarela jonë, nëse nuk vesh atë që është në modë tani, si moshatarët e mi kur do. E dini, ne djemtë nga pazari na pëlqen të jemi modernë, të vishemi bukur dhe të ndjekim modën – thotë një i ri 25-vjeçar.
Dëshira…
– Dëshira ime e vetme është të marr nënshtetësinë. Atëherë do të kisha më shumë mundësi, ndoshta do të punoja një punë tjetër, do të blija një makinë, do të ndërtoja një shtëpi dhe ndoshta një ditë do të shkoja në një vend tjetër për të kërkuar një punë tjetër dhe për të fituar më shumë. Prej vitesh kam banim të përkohshëm, marr rrogë, paguaj të gjitha taksat. Por kjo nuk është ajo që dua . Këto ditë pres një përgjigje, për qëndrim të përhershëm, që do ma lehtësonte shumë jetën. Do të ndihem shumë më mirë, por jeta në Zagreb është bërë shumë e shtrenjtë.
Kërkojnë shumë dokumente për të qëndruar
– Deri tani kam pasur qëndrim të përkohshëm, kam dorëzuar dokumentacionin për qëndrim të përhershëm. Nuk kisha diplomë shitësi, nuk kisha kohë të bëja provimet, punoj gjithë ditën, kur kthehem në shtëpi në orën 20.00 të mbrëmjes, më zë gjumi, por tani i kam plotësuar të gjitha, kushtet që kërkojnë dhe pres përgjigje pozitive. Një ditë mund të marr edhe pasaportën – thotë Elfat Azizi
Kjo lloj jete nuk është për të rinjtë
– Nuk kam mundësi të dal, si moshatarët e mi nga Zagrebi, të shkoj të festoj. Sigurisht që si i ri do të doja të argëtohesha, por thjesht nuk kam kohë gjatë javës. Vetëm të shtunave mund të dal pas orës 12: 00, në mbrëmje me shoqëri, shkojmë në një klub të rinjsh. Ndonjëherë, dua të dëgjoj këngë shqipe live, por nuk e di kur kanë koncerte, as nuk e di kur vijnë këngëtarët shqiptarë nga Kosova apo vizitojnë Zagrebin, askush nuk na thërret.
Ne nuk jemi vizituar nga përfaqësuesit tanë…
– Askush nuk vjen, as ajo nga Parlamenti, nuk ja di emrin, as ndonjë përfaqësues shqiptar nga qyteti, edhe pse do të ishte mirë që të vinin të na vizitonin, të na ndihmonin dhe të na informonin. Por asnjë nga këto. Ne luftojmë vetëm dhe zgjidhim problemet tona dhe të gjithë dokumentacionin vetëm – tregon Azizi.
Ishte më mirë dhe më e lehtë për mua kur kisha të dashurën..!
– Disi po ecja më mirë kur kisha të dashur nga Dubrovniku, por nuk jemi më bashkë, largësia e ka bërë të vetin. Unë isha në Zagreb, ajo ishte në Dubrovnik, për shkak të punës nuk e kontaktoja rregullisht. Dhe kështu përfundoi me ndarje. Tani po mendoj të martohem me një vajzë nga Maqedonia, jetoj vetëm, nuk është e lehtë për mua, dhe kur kam një të dashur , ëndërroj të ndaj gjithçka….
Shitësi nga tribuna fqinje po na shikonte dhe u bashkua bisedës. Ajo thotë se e njeh si një djalë të mirë, punëtor me zemër fisnike dhe di të flasë me njerëzit. “Ai është shumë punëtor dhe i ndershëm”. Nuk ka shumë të tillë, – tha shitësi i vjetër.
Azizi thotë se në Dolac ka ndryshuar gjithçka, dikur trafiku i tyre ka qenë më i lartë, por shpreson që turistët të kthehen në mënyrën që kanë qenë para virusit korona. – Ka shumë më pak klientë. Qendrat tregtare tashmë kanë marrë një pjesë të mirë të biznesit, por kanë kushte më të mira dhe shteti ka rregulloret e veta.. inspektimet dhe pagesat e mëdha e kanë bërë që puna e në treg të mjaftojë vetëm për të paguar shërbimet.
– Sa i përket trafikut të shitjes, të shtunave dhe të martës është shumë më i lartë, ato ditë tani janë shumë më të forta. Ka shumë më tepër klientë këto ditë. Sa i përket vetë trafikut, tani të shtunave ka 30 për qind më shumë trafik se më parë – thotë Azizi.
Në tregun e Zagrebit, e mirëkuptojnë fatin e këtij të riu, i cili nuk është i vetmi, sepse si të tjerë punojnë në Dolac dhe tregjet e tjera në Zagreb për të ndihmuar familjet e tyre në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Klientët ndonjëherë, nëse nuk blejnë asgjë, dinë ti dërgojnë një fjalë të këndshme, bisedat ndonjëherë kanë më shumë vlerë se sa paratë – tregon Azizi.
“Një djalë i mrekullueshëm dhe më ndriçon gjithmonë ditën”, thotë një nga shitëset. Ai gjithmonë më pyet si jam dhe nëse kam nevojë për ndihmë, edhe unë e pyes si është. Gjithmonë thotë se është mirë, nuk ankohet kurrë, edhe pse ndonjëherë e shoh të pikëlluar, të lodhur dhe nuk gëzohem kur e shoh ashtu – thotë shitësja nga Zagrebi.
Teksa shet, herë pas here përshëndet një nga kalimtarët dhe miqtë e tij, por Elfati Azizi, thotë se shpesh kujton dhe e merr malli për mamin, babin, vëllain dhe mbesën e vogël… shumë herë dëshiron të jetë i lirë…
– Kur jam i trishtuar dhe kur dikush më zemëron, më kujtohet mami që më thoshte. “Mos i beso askujt dhe beso vetëm në punën tënde”.Ajo më këshilloi të jem i sinqertë dhe i mirë me të gjithë në jetë. – I dua njerëzit dhe më pëlqen t’i ndihmoj, shpesh ndihmoj kolegët të sjellin mallin, ndaj ngre cadra. Kush është i mirë me mua, unë do të jem i mirë ndaj tij” – thotë Elfat Azizi.
Kohët e fundit të rinjtë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Kroacia po shkojnë gjithnjë e më shumë në vendet e BE-së. Thonë se nuk ka punë dhe shumë heqin dorë nga konkurrenca. Por jo Azizi, ai i pranon të gjitha sfidat dhe heqja dorë nuk është opsioni i tij. Ai thotë se nuk duhet të ndalojmë kurrë të luftojmë dhe duke punuar mund të arrijmë diçka. Me besim të fortë i riu vazhdon.
Vendimi përfundimtar
– Jo çdo gjë në jetë shkon sipas planit, jam i duruar, punoj në treg bashkë me dajën, një ditë dua të bëj punën që doja në profesion. Fillova përkohësisht dhe qëndrova në treg plot trembëdhjetë vjet. Ndonjëherë mendoj të largohem që të mund të kam një jetë më të mirë në një vend tjetër në Europë..
Megjithatë, ai thotë se nuk di si t’u thotë lamtumirë disa njerëzve në Zagreb.
– Unë jam shumë i lidhur me disa klientë, ata do të derdhën edhe ndonjë lot, sidomos disa gjyshe që më kujdeseshin sikur të isha djali i tyre, dhe shitësit rreth meje nuk do t’me lejojnë të largohem, janë mësuar me mua – thotë Azizi.
Kështu na tregoi historinë e jetës së tij, punës me dëshira dhe ëndrra, ky shitës i ri, i dashur dhe i përulur nga tregu, i cili prej vitesh në Dolac mund të ftohtin, shiun, si dhe vapën e ditëve të verës me optimizmin, buzëqeshjen dhe shakatë e tija. 25-vjeçari Elfat Azizi, ndonjëhere, pas 13 vitesh punë të përkushtuar në treg, mendon për sfida të reja në vendet e BE-së, Gjermani, Zvicër, e ndoshta, siç thotë ai, më në fund do të gjejë një punë në profesion. Sepse jeta e tij po kalon dhe ai nuk dëshiron më të ëndërrojë për një kënd të ngrohtë ku do të punojë.










