Nga Katrina Rožić dhe Kujtim Morina
Pushtimi rus i Ukrainës ka vazhduar për më shumë se tre muaj. Forcat e Kievit po mbrojnë çdo pjesë të vendit, veçanërisht qytetin portual historik të Odessas në Detin e Zi, i cili ndodhet 300 kilometra në perëndim të gadishullit të Krimesë, aneksuar nga Rusia. Konsiderohet si një vend strategjik si për Ukrainën ashtu edhe për Rusinë, dhe rënia e tij do të kishte pasoja të rëndësishme për të dy vendet dhe rajonin më gjerë të Detit të Zi.
Në strehëzat e uzinës gjigante të çelikut në Mariupol, kalanë e fundit të mbrojtjes së Ukrainës, kishte shumë banorë, luftëtarë, gra e fëmijë, të cilët në atë qytet port, të dëshpëruar thërrisnin lirinë .
Mbi 100 luftëtarë shqiptarë luftojnë dhe mbrojnë frontin e Krimesë!
Lufta në Ukrainë nuk la askënd indiferent, sidomos skena tronditëse e mijëra njerëzve të pakënaqur që largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të agresionit dhe nga granatimet e forcave ruse… Shqiptarët që jetojnë në fshatin Karakurt në Ukrainë, ishin në mesin e njerëzve të frikësuar nga lufta. Një i ri shqiptar, M. L., i cili jetonte me familjen e tij në atë rajon, pasi shoqëroi gruan dhe fëmijët e tij u kthye për të mbrojtur vendin. Familja e M.L. është me origjinë shqiptare dhe ka jetuar deri vonë larg luftës dhe zonave të luftës në Ukrainë.
Shqiptarët e Ukrainës me shekuj respektojnë zakonet, traditën dhe flamurin e tyre
Pushtimi është çështja më e rëndësishme dhe shqetësuese jo vetëm për ukrainasit por edhe për mbi 5.000 shqiptarë që jetojnë në Tay. Pavarësisht apeleve të Tiranës për largimin e shqiptarëve nga Ukraina, ata i qëndruan besnikë Ukrainës për të mbrojtur Krimenë nga rusët, si edhe shqiptarët nga Odessa, të cilët vendosën të qëndronin në vendin i cili i priti 250 vjet më parë.
Rreth 250 kilometra larg vendbanimit ku jetojnë ukrainasit me origjinë shqiptare ndodhet qyteti i Odessës.
Forcat ruse bombardojnë gjatë gjithë kohës Odessën. Njerëzit nuk punojnë, shkollat nuk funksjonojnë. Të gjithë qëndrojnë në shtëpi. Nuk e dinë se çfarë do të ndodhë…
Lufta trokiti edhe në derën e shqiptarëve të Karakurtit, dhe ata u bashkuan me ukrainasit në mbrojtje të atdheut të tyre. Në luftë marrin pjesë mbi njëqind shqiptarë.
”Nuk kemi ku të shkojmë. Ukraina është vendi ynë”, thonë ukrainasit me origjinë shqiptare.
“Ne jetojmë në jug të Ukrainës! Ukraina është në zjarr, në luftë, një milion njerëz kanë mbetur të pastrehë. Gjithçka po shkatërrohet, forcat ruse janë kudo, por ukrainasit po i rezistojnë.”
Ata mësuan nga miqtë e tyre në Odessa se qytetarët po përpiqeshin të blinin ushqime dhe kudo kishte radhë të gjata makinash. Tani për tani askush nuk është larguar nga fshati Karakurt, por nga qyteti i Odessës janë larguar shumë njerëz. Ata që kanë mjete financiare u larguan nga vendi, ndërsa ata që nuk janë të pasur nuk kanë mundësi të lëvizin nga qyteti apo rajoni i cili bombardohet për të shkuar në një qytet tjetër më të sigurt.
Ardhja e shqiptarëve në Ukrainë
Ardhja lidhet me luftën ruso-turke të viteve 1768-1774. Gjatë asaj lufte, shqiptarët ortodoksë nga Shqipëria u rebeluan kundër forcave osmane. Në fund të luftës, rreth 1.700 luftëtarë shqiptarë dhe anëtarë të familjeve të tyre emigruan në Perandorinë Ruse dhe u vendosën në rrethinën e Odessës. Kryesisht ishin me origjinë nga zona e Korçës në Shqipëri.
Shqiptarët në Ukrainë e quajnë veten tante (që në përkthim do të thotë e jona), dhe flasin gjuhën e si neve (si ne). Paraardhësit e tyre i përkisnin shqiptarëve toskë të cilët u larguan nga Shqipëria në territorin (Maqedonia e Veriut) , më pas në Rumani dhe Bullgari e përfundimisht u vendosën në fshatin Karakurt në Ukrainë.
Një grup emigrantësh shqiptarë u vendosën pranë Kerçit dhe Janikalës, ndërsa emigrantë të tjerë shqiptarë u vendosën pranë Odessës dhe Budzakut. Në vitin 1811, ata themeluan vendbanimin Karakurt në Budzak afër Bolhrad – emërtim tjetër për fshatin Islami. Në Odessa ka dy rrugë, rrugët Velika dhe Mala Arnautska. Për shkak të disfatës së Rusisë në Luftën e Krimesë, shumë shqiptarë u shpërngulën në Ukrainën lindore në vitin 1861.
Deri në shekullin e 20-të, ndërgjegjësimi i shqiptarëve për origjinën e tyre ishte i dobët.
Fshati Karakurt, në rajonin e Odessës në Ukrainën jugore, është shtëpia e rreth 3.000 personave, shumica prej tyre me origjinë shqiptare. Ata kanë ruajtur zakonet, kulturën dhe traditat shqiptare përmes, folklorit, kuzhinës dhe zakoneve të dasmave. Ata nuk e flasin gjuhën mirë siç e flisnin brezat e vjetër.
Në Ukrainë jetojnë 5.000 deri në 10.000 shqiptarë.
Familjet me prejardhje shqiptare flasin një dialekt të “gjuhës së vjetër shqipe”. Disa në pjesët e banuara me shqiptarë të Ukrainës kanë mësuar si lëndë me zgjedhje gjuhën shqipe në pesë vitet e fundit. Shqipja mësohej në shkolla nga njerëz që shkuan në Shqipëri për të studiuar dhe më pas u kthyen në Ukrainë. Disa shqiptarë shkuan me fëmijët te prindërit e tyre (në Karakurt) dhe mësuan gjuhen shqipe. Në Kiev nuk ka shumë shqiptarë dhe nuk ka shkollë shqipe apo qendër kulturore.
Shqiptarët në Ukrainë ruajnë kostumet tradicionale dhe kremtojnë heroin kombëtar.
Banorët e fshatit Karakurt, rreth 700 km larg Kievit, për pesë vite me radhë kanë mbajtur festivalin ndërkombëtar të verës “Bolgrad Wine Fest”, duke bashkuar banorët e qyteteve, dhe prodhues të verës nga e gjithë Ukraina, Bullgaria dhe Moldavia. Çdo vit, më 6 maj, shqiptarët e Besarabisë festojnë ditëlindjen e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Ish-presidenti Ukrainas Petar Poroshenko është me origjinë shqiptare
Në qarqet e intelektualëve shqiptarë të Ukrainës, me krenari deklarohet se ish-presidenti ukrainas Petar Poroshenko është me origjinë shqiptare, i lindur në një fshat shqiptar afër Odessës, në Bolgrad (Ismajil).
Para luftës, shqiptarët e Ukrainës arritën të integrohen në shoqërinë lokale multietnike
Ata transferuan përvojën, aftësitë e tyre kulturore në paletën e shkëlqyer kulturore dhe sociale të rajonit të tyre.
Por gjithçka ka mbaruar me luftën, dhe ata nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me ta si me të gjithë ukrainasit. Ata janë të varfër dhe nuk kanë mjete financiare, por besojnë dhe shpresojnë se shtetet shqiptare apo shqiptarët e botës do të ndihmojnë shqiptarët në Ukrainë për të kapërcyer tmerret e luftës, duke strehuar familjet e tyre. Dikur, kur të qetësohet lufta, ata do të kthehen në atdheun e tyre Ukrainë, dhe do t’u qëndrojnë besnikë fjalëve të prindërve të tyre që shpreheshin.„Burrave të familjeve shqiptare nuk u lejohet braktisja e vatrës“.

SHQIPETAR NE UKRAIN 

FLAMURI I UKRAINES










