Në Zagreb, pas një sëmundjeje të rëndë dhe të gjatë, në moshën 77-vjeçare ndërroi jetë Mikel Kuzhnini. Ka lindur në Prizren, më 22.05.1942. dhe rrjedh nga një familje e ndershme bujare dhe atdhetare shqiptare. Që në rininë e hershme këto vlera u mishëruan në personalitetin e tij, vlera që i percijolli gjatë gjithë jetës.
Mikel Kuzhnini do të kujtohet për kontributin e shquar për bashkimin e shqiptarëve, për sensibilizimin dhe promovimin e vlerave kombëtare. Rëndësi të veçantë i kushtoi arsimimit të të rinjve shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, duke ofruar ndihma materiale.
Në vitin 1968, Mikeli së bashku me vëllain Simonin dhe disa shokë të tij në Prizren, ngritën flamurin kombëtar pranë shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit.
Pas kësaj ngjarjeje familja Kuzhnini u detyrua ta lëshojë Kosovën, duke u larguar në Stamboll, Turqi, e më vonë, 1968, vendosen në Zagreb.
Gjatë viteve 90-të, Mikel Kuzhnini dha kontribut të veçantë në pranimin e familjeve shqiptare të dëbuara me dhunë nga Kosova. Në familjen Kuzhnini u vendosën delegatët e Kuvendit të Kosovës, viti 1990, të cilët për shkak të shpalljes së Republikës së Kosovës, ishin të detyruar të largoheshin në Zagreb. Vëllezërit Kuzhnini u përkujdesën edhe për luftëtarët e U Ç K-së, të cilët morën pjesë në luftën në Kroaci.
Mikel Kuzhnini zhvilloi edhe shumë aktivitete, ku mund të veçojmë grevën e urisë për Kosovën, në Bruksel, e cila reflektoi negativisht në shëndetin e tij.
Pavarësia e Kosovës ishte realizimi i ëndrrës së Mikelit, të cilës i kushtoi tërë jetën. Me të vëllain binjak, Simonin ideuan dhe themeluan në vitin 1997 Lidhjen Shqiptare në Botë, me mision bashkimin e shqiptarëve.
Vëllezërit Simon e Mikel Kuzhnini kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për mbi dy dekada, të bindur për të realizuar qëllimet e themelimit së Lidhjes Shqiptare në Botë. Ata kanë mbajtur tre Kongrese të LSHB-së në qytetet kryesore shqiptare, duke bashkuar shqiptarët me përfaqësues të institucioneve shtetërore. Mikeli së bashku me vëllain, Simonin, u nderuan nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Bamir Topi me çmimin “NDERI I KOMBIT”.
Vdekja e Mikelit, një patriot dhe veprimtar i pashoq, është një humbje e madhe për familjen, Lidhjen Shqiptare në Botë dhe popullin shqiptar. Ceremonia mortore përcjellëse u mbajt në Varrezat Mirogoj të Zagrebit, ndërsa varrimi i të ndjerit u bë në Prizren.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Tij! Zoti bekoftë figurën e tij dhe familjen Kuzhnini!










