…Nurije Avdiu është mësuesja e parë që ka dhënë mësimin e gjuhës shqipe në Zagreb, Kroaci,1995 në një klasë me më shumë se 40 nxënës.
Biseduan: Shenida Bilalli Željka Stipološek
Revista „Iliria“ bisedoi me mësuesen Nurije Avdiu për hapat e parë të mësimit plotësues të klasës shqipe në Zagreb, rrëfim i cili tregon për kohën, punën, njerëzit, mësuesen e parë të mërgimtarëve shqiptarë në Kroaci, si dhe raportet me nxënësit, bashkëpunimin me prindërit dhe me institucionet kroate.
Iliria; Në cilin vit daton organizimi i mësimit plotësues në gjuhës shqipe në qytetin e Zagrebit, Kroaci dhe kush ishte ideatori kryesor ?
Nurije Avdiu: Fillimisht do të doja të flisja për idenë dhe punën parapërgaditore që kryem për të arritur deri te fillimi i mësimit plotësues në klasën shqipe. Bashkësia Shqiptare në Republikën e Kroacisë, bazuar në nenin 26 të Statutit të Bashkësisë Shqiptare në Republikën e Kroacisë, veçanërisht Këshilli Kryesor i saj në mbledhjen e mbajtur më datë 30.07.1994, miratoi Vendimin mbi formimin e Komisionit për Çështjet e Arsimit dhe Edukimit në Gjuhën Shqipe. Anëtarë të Komisionit emërohen intelektualë të shquar të komunitetit shqiptar në Kroaci si: Mensur Gjergjizi, Kryetar i Komisionit; Prof. Dr. Behlul Brestovci, anëtar; Nevzat Kadiu, anëtar; Ekrem Ymeri, anëtare; Prof.dr.Zef Mirëdita, anëtar dhe Prof. Nurije Avdiu, anëtare.
Ky Komision kishte për detyrë të inicojë dhe zhvillojë takimet dhe bisedat me organet kopetente kroate, për arsimin dhe edukimin në gjuhën shqipe në Republikën e Kroacisë. Komisionit ju dha mundësia që të zgjerohej me grupe të tjera në rast nevoje, dhe kjo u zhvillua më vonë. Pas disa takimeve të Komisionit, prof.dr. Zef Mirdita nuk mori më pjesë . Në mbledhjen e mbajtur më datë 12.01.1995, Komisioni për Cështjet e Arsimit miratoi edhe një Vendim me anë të të cilit u formuan grupet punuese për aktivitetet me nga dy anëtarë si më poshtë: I. GP-Shkolla e mësimit plotësues shqip : prof.dr. Behlul Brestovci dhe prof. Nurije Avdiu; II. GP-Shkolla verore: Nevzat Kadiu dhe Lajde Mjeda; III. GP-Kursi i gjuhës shqipe: Ekrem Ymeri dhe Dardan Hadri.
Iliria: Si filluat mësimdhënien në mesimin plotesues shqip?
Nurije Avdiu: Grupi punues –Shkolla shqipe e mësimit plotësues ishte i vetmi grup që arriti ti kryente detyrat e caktuara nga Komisioni i lartëpërmendur. Pas një pune të jashtëzakonshme e shumë të mundimshme arritëm të themelojmë Shkollën Shqipe – mësimi plotësues shqip në Zagreb dhe Rijekë.
Bashkëpunimi dhe takimet e frytshme të Komisionit për Arsim dhe Edukim në Gjuhën Shqipe me Ministrinë e Arsimit, Kulturës dhe Sportit të Kroacisë, realizuan këtë projekt me rëndësi të madhe, sepse në të jetësohet një ndër detyrat që përmbajnë në vete thelbin e të qënit shqiptar në këto troje.
Çdo gjë u konkretizua dhe filloi informimi përmes mjeteve vizuale dhe të shkruara kroate i komunitetit shqiptar për fillimin e mësimit plotësues shqip në shkolla. Veçanërisht, emisisioni „Prizma“ i HRT-së, emision kushtuar pakicave kombëtare që jetojnë në Kroaci, publikoi masivisht fillimin e Shkollës – mësimin plotësues shqip. Shkolla “Izidor Krshnjavi” , një nga shkollat më prestigjoze në Zagreb, hapi dyert dhe ambientet e saja, dhe fëmijët tanë filluan të ndjekin mësimin plotësues shqip. Edhe sot, pas 26 viteve, dua të falenderoj Drejtorin e kësaj shkolle z. Andria Buntiq. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm, filluan punët përgatitore dhe regjistrimet, si dhe u caktua kush do të udhëhiqte mësimin plotësues shqip dhe mësueset. Le të vazhdojmë!
Iliria: Ju jeni emëruar si profesoreshë dhe keni dhënë mësimdhënie në këtë shkollë, bazuar në Vendimin e z. Muhamet Bicaj, Ministër i Arsimit në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Kuptohet me propozim të Komisionit për Arsim të BSHRK!
Nurije Avdiu: Më datë 2 dhjetor 1995, herët në mëngjes, së bashku me anëtarët e tjerë të Komisionit punues, udhëhequr nga Kryetari i Bashkësisë Shqiptare të Kroacisë z. Mensur Gjergjizi , me shumë krenari, emocion dhe frikë prita prindërit dhe nxënësit që do të fillonin mësimin plotësues në gjuhën shqipe.
Iliria: Mësimi plotësues i gjuhës shqipe ishte pjesë integrale e sistemit edukativo-arsimor të Kroacisë në vitet 1992/93, për të gjitha gjuhët e minoriteteve, e në të gjithë qytetet e Kroacisë. Keni patur mbështetje nga Ministria e Arsimit?
Nurije Avdiu: Mësimi filloi (jo zyrtarisht ) më 2 dhjetor 1995. Fillimisht kishim 16 fëmijë, por më vonë numri u rrit në 43 nxënës të moshave të ndryshme. Në klasë kishte fëmijë të martesave të përziera, por edhe ku të dy prindërit ishin shqiptarë. Kjo që po ju them paraqiste probleme në komunikim sepse ata e njihnin shumë pak gjuhën shqipe.
Fëmijët ishin të interesuar për të ndjekur mësimin në gjuhën shqipe, për tu shoqëruar sëbashku, por edhe prindërve jua lehtësonte fundjavën kur ata ishin të kënaqur.
Shumë prej prindërve hezitonin ti sillnin fëmijët në shkollë, sepse mendonin se do ti pengonte në mësimin e rregullt në shkolla kroate. Përkundrazi, mësimi në gjuhën shqipe ua lehtësonte dhe u ndihmonte shumë në mësimet e rregullta kroate si dhe ju krijua mundësia që nota e gjuhës shqipe në shkolla t’u njihet si lëndë zgjedhore. Ky ishte edhe një motivim shtesë që prindërit ti sillnin fëmijët në mësimin plotësues të shkollës shqipe.
Iliria: Me kalimin e kohës numri i nxënsëve u rrit!
Nurije Avdiu: Në fund të viteve 1989/99 numri i nxënësve arriti në 78. Zhvillonim aktivitete kulturore dhe mësimdhënie, e nxënësit përparonin gjithnjë e më mirë. Pjesmarrja në aktivitete të ndryshme festive u krijoi mundësinë që ata të ishin bartës të programeve artistike, duke ju ofruar qytetarëve, prindërve dhe tërë komunitetit shqiptar atë që mësuan në shkollën shqipe. Për të arritur deri tek paraqitja e tyre në publik ishte një rrugë e mundimshme dhe plotë sfida. Ishte shumë vështirë të punohej vetëm me një klasë, por entuziazmi ishte i madh dhe suksesi evident.
Iliria: A e njihnin nxënësit gjuhën shqipe?
Nurije Avdiu: Nxënësit u ndanë në tre grupe, sipas njohurisë së gjuhës shqipe dhe moshës që kishin ;
-Nxënës që nuk dinin asnjë fjalë të vetme në gjuhën shqipe : -Nxënës që e flisnin shqipen por nuk e shkruanin dhe lexonin; – Nxënës që flisin dhe shkruanin në gjuhën shqipe, por nuk kishin njohuri të tjera. Edhe pse kishim vetëm 3 orë mësim të shtunën, shumë pak, përsëri nxënësit arritën të mësojnë shumë.
Mësimi në gjysmëvjetorin e parë shkollor 1995/96 zhvillohej sipas Programit të Punës Edukativo-Arsimore të shkollës plotësuse për fëmijët e qytetarëve shqiptarë në Kroaci, hartuar nga Bashkësia Shqiptare në Republikën e Kroacisë .
Iliria: Komisioni për arsim e përgaditi programin që në shtator të vitit 1994!
Nurije Avdiu: Programi shqip – kroatisht, u shpall i pranueshëm dhe i lehtë për zbatim edhe nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit e Kroacisë.
Në gjysmëvjetorin e dytë 1996/97, filluam punën me Planin dhe Programin e Shkollës Shqipe të mësimit plotësues për Kl. I-IX, të cilin e kishte përgaditur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës, miratuar nga Ministri z. Muhamet Bicaj, i cili zyrtarisht me 30.03.1995, së bashku me të gjithë ata që ndihmuan BSHRK-së me z .Mensur Gjergjizi kryetar, zyrtarisht hapën mësimin plotësues të klasës shqip.
Në këtë aktivitet solemn morën pjesë edhe: Këshilltarja e Lartë për pakicat nacionale pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit së Republikës së Kroacisë; z. Franko Kroqi, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kroaci, z. Napolon Roshi, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Slloveni dhe Bosnje – Hercegovinë, shumë intelektualë, studentë dhe afaristë të cilët jetonin dhe vepronin në Kroaci. Mediat kroate vërshuan për të dhënë lajmin, i cili bëri jehonë të madhe jo vetëm tek komuniteti shqiptar por edhe ai i nacionaliteteve të tjera që jetonin në Kroaci.
Iliria : Kush e financonte punën tuaj? Në cfarë ambientesh mbahej mësimi?
Nurije Avdiu; Punën time nuk e ka financuar askush, përkundër përpjekjeve që bëri BSHRK-së, për futjen time në sistemin e pagave të arsimtarëve që punonin në këtë shkollë. Unë personalisht kisha barrën më të madhe të punës, prindërit më kanë ofruar një pagesë simbolike të cilën në asnjë mënyrë nuk e kam pranuar. Thjeshtë kjo ishte punë e imja vullnetare, me të vetmin qëllim që fëmijët shqiptarë të mësojnë dhe zotërojnë gjuhën e shkruar amtare shqipe, ta kultivojnë atë dhe letërsinë shqiptare, të njohin historinë dhe gjeografinë e vendit dhe të të parëve të tyre, të kenë njohuri në lëmin e pasur etnografik (doke e zakone shqiptare, art popullor,etj ), të cilat u trashëguan brez pas brezi si karakteristikë dalluese e kombit tonë të lashtë.
Me këtë rast falenderoj z. Mikel Markaj, Kryetar i Bashkësisë së Zagrebit , i cili më ndihmoi me një shumë simbolike të hollash në momentet më të vështira financiare, kur udhëtoja pas mbarimit të luftës së tmerrshme që kreu Serbia në Kosovë. Me ato para arrita të paguaj një biletë autobusi dhe shkova dhe takova në Kosovë luftëtarin e lirisë, bashkëshortin tim Bedri Avdiu.
Iliria: Kur e filluat mësimdhënien dhe deri kur keni dhënë mësim ?
Nurije Avdiju: Fillova mësimdhënien me 2 dhjetor 1995 dhe e kam përfunduar atë në qershor 1999. Në vitin e parë shkollor ishim 4 mësimdhënës. Më vonë mbeta e vetme, duke mbajtur mësim në të gjitha gjitha lëndët mësimore. Menaxhimi i plotë i mësimit plotësues në gjuhën shqipe në shkollë ishte e papërballueshëm për mua, si dhe mospagesa e punës më detyruan të tërhiqem nga ajo shkollë e të kthehem në Kosovë, ku edhe vazhdova jetën faqebardhë duke realizuar ëndrrën time…!
Sot jam krenare që nxënësit e mi janë kudo nëpër institucione të ndryshme shtetërore në Kosovë dhe në Diasporë. Më bëhet zemra mal kur i shoh se sa kanë arritur. Ka në mesin e tyre mjekë, inxhinjerë, profesorë, doktorë, mësues, ligjërues, besa edhe politikanë. Nxënësit e mi më dërgojnë përshëndetje dhe urime të shpeshta për festa, por edhe mirënjohje që me të vërtetë me bëjnë të ndihem krenare dhe e nderuar.
Iliria: Mendoni që mësimdhënia në gjuhën shqipe është në nivelin e duhur? Mësuesit duhet të jenë pedagogë, apo çdo kush mundet të japë mësim në gjuhën shqipe në Diasporë?
Nurije Avdiu: Unë mund të flas vetëm për kohën kur unë kam dhënë mësim plotësues në gjuhën shqipe. Niveli nuk ishte ashtu siç dëshiroja unë, por edhe kushtet ishin më ndryshe se sa sot. Rrethanat dhe gjendja në Kosovë ishte e tmerrshme. Atje mbylleshin shkollat dhe ne këtu në Zagreb i hapëm ato me të vetmin qëllim që të edukonim dhe arsimonim fëmijët shqiptarë, ata të ardhur nga Kosova me familjet e tyre, por edhe rezidentët, për tu mos asimiluar e për të ruajtur identitetin e tyre shqiptar. Ne mësimdhënësit ishim të kualifikuar në profilin edukativo-arsimor .
Me situatën e tanishme, do të ishte e dobishme dhe në të mirë të nxënësve që stafi i shkollave shqipe në Kroaci të ishte i profilit adekuat. Ka shumë intelektualë shqiptarë të shkolluar dhe të aftë për mësimdhënie. Unë personalisht jam e rritur në një familje intelektualësh dhe atdhedashës. Kur shkollat shqipe u mbyllën në Kosovë nga pushteti i atëhershëm, babai im Asllan Statovci e dha shtëpinë për shkollë në Fushë Kosovë , e atje qindra nxënës arsimoheshin. Përkundër dhunës që ushtronte policia sërbe ndaj prindërve dhe familjes time, babai asnjëherë nuk hoqi dorë nga arsimi dhe edukimi i fëmijëve shqiptarë. Unë vazhdoj rrugën e babit tim, i cili më rriti, me edukoi e më shkolloi në këtë frymë. Ky ishte motivimi im i fortë drejtë kësaj sfide.
Burri luftonte për lirinë e vendit, e unë luftoja për të mos lejuar asimilimin e shqiptarëve, duke ndihmuar me punën dhe fuqinë time intelektuale fëmijët shqiptarë në Kroaci, për të patur arsim në gjuhën shqipe, si armë e fortë kundër humbjes së identitetit.
Iliria: Kthimi në Kosovë ju hapi dyert për të vazhduar karrierën?
Nurije Avdiu: Vazhdova dhe përfundova gradën Magjistër në Menaxhim të Përgjithshëm Ndërkombëtar, u punësova për një mandat 1 vjeçar si Drejtoreshë e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenjes Sociale në Komunën e Fushë Kosovës, e më vonë dhe 4 mandate si Drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku vazhdoj ta ushtroj këtë detyrë e cila më mundësoi ta përmushi jetën time me plotë sakrifica dhe sfida.
Iliria: Si përfundim, duhet të falenderojmë edhe institucionet kroate të cilat ndihmuan në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, edhe pse atëherë Kosova nuk ishte pranuar si shtet i pavarur!
Nurije Avdiu Falenderoj nga zemra institucionet kroate dhe njerëzit e mirë, të cilët dhanë kontributin e tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe edhe pse atëhere Kosova nuk ishte pranuar si shtet i pavarur.
Faleminderit Kroaci!