Reportazh gjate epidemisë së Coronës në Zagreb: Si influencoi Corona tek shitësit shqiptar në tregun Dolac

03/06/2021
Autor: Iliria
106 pregleda

Si influencoi Corona tek shitësit shqiptar në tregun Dolac.

Shkruan : Shenida Bilalli dhe Kujtim Morina

Banane, banane, blini banane për 5 kuna, urdhëroni 3 kg për 10 kn – dëgjohej zëri i një shitësi në Dolac

Fillimi i krizës së Corona virusit gjatë këtij viti në Kroaci, është ndjerë shumë edhe në tregun e njohur të Zagrebit, Dolac, ku tregëtohen fruta dhe perime. Gjatë krizës nuk ka  më turistë, nuk ka blerës, vetëm stenda bosh dhe disa shitës të guximshëm e të mbetur në treg, të cilët nuk kishin zgjidhje tjetër për të shpëtuar mallin nga kalbja.

Rrugët e Zagrebit janë boshe për shkak të frikës së përhapjes së Corona  virusit. Shumë pak automjete, tramvajet dhe autobusët nuk lëvizin, kafenetë dhe tarracat janë bosh.

Gazetaret e “ Ilirisë “ vizituam tregun Dolac në Zagreb dhe panë se si punojnë shitësit e vegjël dhe prodhuesit në kohën e Coronës. Të gjithë u shprehën se shitja po binte dhe se tregu është bosh, pa blerës.

Deri në fillim të marsit 2020, para fillimit të pandemisë, tregu Dolac kishte me mijëra turistë nga e gjithë bota, kinezë, japonezë, gjermanë, duke e zbukuruar atë, por me hapjen e lajmit se në Zagreb ka të infektuar me  Corona  virus, shitja menjëherë ra.

Në ndërtesat përreth tregut, u ngjitën posterët e Institutit Kroat të Shëndetit Publik mbi Coronën, si dhe rekomandimet për higjenën, larjen e shpeshtë të duarve, shmangjen e kontakteve etj.

Shitësit thonë se janë përgatitur, veshin doreza, i lajnë duart shpesh pavarësisht nga virusi, sepse kontaktojnë drejtpërdrejtë me klientët dhe paratë, por nuk bëjnë dot asgjë, stendat janë ende plot me fruta dhe perime, ndërsa klientë çdo ditë e më pak.

Edhe më 12 mars, tregu rreth orës 13.00 pasdite ishte i zbrazët, me vetëm disa blerës  të moshuar, të cilët pas blerjes së  frutave dhe perime u larguan me shpejtësi.

Një shitëse me flokë të verdhë, me origjinë shqiptare, me emer Lidia,  ka një stendë në radhën e dytë dhe  shet perime të freskëta organike. Çdo ditë, herët në mëngjes, së bashku me burrin, babanë dhe nënën e saj përgatit stendat për klientët.  Ata kanë tre stenda por nuk kanë shitje, duke u shprehur se tregtia e tyre ka rënë plotësisht. Prej një muaji jetojnë me frikën se mos tregu Dolac mbyllet për arsye të Corona virusit, me shqetësimin se çfarë do të ndodhë me mallrat nëse mbyllin tregun.

Dhe ky dyshim nga shitësja e tregut Dolac u vërtetua, Dolac u mbyll si të gjitha tregjet e tjera në Zagreb.

” Na kanë mbetur shumë prodhime, nuk ka blerës sepse situata eshtë shumë e vështirë ” shprehet një shitëse  tjetër  me origjinë shqiptare, 45 vjeçarja nga Maqedonia, e cila që nga fëmijëria jeton në Zagreb. “ Jetojmë nga shitja e frutave dhe perimeve. Nuk e dimë se si do vazhdojmë më tutje u shpreh ajo duke vrapuar me dorën mbi fytyrën e shqetësuar “.

“ Jo vetëm blerësit por edhe shitësit janë të frikësuar dhe nuk vinë. Shikojini stendat e mbyllura, është e trishtueshme të shikosh gjithë këto stenda bosh! Vetëm 3-4 prej nesh guxuan të vinë pa marrë parasysh rrezikun e virusit Corona, duke shitur me vështirësi prodhimet. Shikoni portokallet, 3 kg për 10 kn; domatja 4 kuna; 3- 4 kg banane për 10 kn, gjithçka po shkon dëm, me gjithë çmimin e blerjes prej 1 euro e 50 cent…. Për arsye të kohës së konsumimit jo çdo prodhim mund ta mbajmë për një kohë të gjatë në frigorifer.

‘Për vite me radhë, që në orën 5 të mëngjesit kam ardhur për të rregulluar stenden dhe përgatitur  perimet, por një gjëndje të tillë të tregut Dolac, asnjeherë nuk e kam parë!

-Kohët e fundit kemi qënë të kërcënuar nga qendrat tregëtare, shitjet kanë qënë më të pakta, po arritëm të mbijetonim. Situata e fundit me Corona virusin është e tmerrshme, nuk ka blerës.
Një tregëtar i shqetësuar shprehet: “ Prodhimet në Dolac vinë nga Shqipëria Maqedonia, Zadari, Neumi, Varazhdini, etj. Po të shikoni janë shdukur edhe  shitëset që shesin  djathë dhe vezë nga rrethi i Zagrebit. Fyndi ynë do të jetë po të mbyllen edhe lëvizjet e mallrave ndërmjet qyteteve  

Pyetjes a ka frikë nga Corona, Alia i përgjigjet:
“Unë nuk mund të kem frikë nga Corona sepse ushqej 4 fëmijë, e nëse nuk shes prodhimet  nuk kam nga çfarë  të jetoj”, thotë shitësi i shqetësuar.

Ndërkohë, Shtabi i Institutit Kroat të Shëndetit Publik shpalli masat paraprake lidhur me Corona virusin të cilat hynë menjëherë në fuqi në Republikën e Kroacisë. Që nga ai moment rrugët e Zagrebit u shprazën, shkollat, kopshtet dhe kolegjet u mbyllën, dhe shërbimet epidemiologjike rekomanduan që qytetarët të shmangin kontaktet e ngushta sociale.

Pas disa ditësh përsëri  vizituam tregun  Dolac. Imazhi i tij ishte i trishtueshëm, pa njerëz, vetëm me  dy shitës, dhe një gjyshe me perime. Dy shitësit  ishin  shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët jetojnë dhe punojnë në Zagreb për mbi 30 vjet. Ata shprehen: ” Edhe ne nuk do të punojmë më. Nuk ka blerës dhe duket se ky virus është shumë i rrezikshëm derisa në Itali njerëzit po vdesin në numër të madh. Kudo mbretëron frika dhe kujdesi“

“Që kur filloi epidemia e Corona virusit nuk kemi shitje, nuk kemi kujt ti shesim prodhimet, dhe qeraja mujore për stendën është 1.300,00 kn’.

‘Dolaci tani është bosh, e mbyllën. Disa shitës shesin fruta dhe perime në internet, por shumë të tjerë  nga Dolaci nuk dinë as ta ndezin kompjuterin, sepse shumica prej tyre janë njerëz në moshë’ thotë shitësi. “Si do të përshtatem me shitjet në internet … Kush do të më mësojë, kush do të më krijojë faqe interneti? Çdo gjë kushton, e ku ti gjej të hollat? Ky është një biznes familjar ” shprehet shitësi me trishtim duke vazhduar’Kam mbaruar shkollën para 40 vjetësh, jam profesor, por për shkak të politikës në Kosovë, fillova si shitës në treg me stenda. Nuk e di si do t’i ushqej fëmijët, nuk e di si do ta paguaj qiranë, kontributet, taksat e shtesat e tjera. Dua të jetoj “– tregon historinë e tij i shqetësuar Aliu.

 Kam frikë nga infektimi me Corona virus.

 – Kam kontakte të shumta me njerëzit dhe më paratë. Shpesh laj duart, i dizifektoj dhe bëj kujdes. Kam frikë nga infektimi – por jeta nuk duhet të ndalojë. Duhet punuar dhe shpresoj që kriza të mos zgjasë shumë. Gjithashtu, shpresoj të mos kalojmë si në Milano dhe Itali ku u mbyll gjithçka. E keqja nuk ka fund.

Ekipi i revistës “ Iliria “ u largua nga shitësit e trishtuar duke zbritur shkallët drejt qëndrës së metropolit, tek Sheshi Ban Jelaçiç, i cili është shumë afër tregut Dolac të rrethuar nga restorantet, kafenetë, piceritë dhe argjendaritë në pronësi të shqiptarëve. Gjithçka është  mbyllur. Zagrebi është bosh. Nuk ka asnjë veprimtari tregtare në të cilën Coronavirus nuk ka lënë pasoja, të cilat kanë ndikuar tek të gjithë ne. Ëmbëltoret e famshme Millennium dhe Zagrebi në Sheshin e luleve, janë bosh, pa njerëz, vetëm disa kamarierë të rinj shëtisin rreth tryezave boshe.

Me konfirmimin e virusit Corona në Zagreb, piceritë, furrat e bukës dhe kafenetë nuk punojnë. Prodhimi i bukës ka rënë ndjeshëm dhe disa bukëpjekës në Zagreb dhe qytete të tjera shpërndajnë falas bukën, duke ndihmuar qytetarët në nevojë për ta mbijetuar me sa më pak dhimbje krizën.

Këtu mbaron reportazhi ynë me konstatimin se Corona virus ndryshoi gjithçka në Zagreb. Veçanërisht ajo ndihet pas tërmetit të 22 marsit 2020, ku shumë qytetarë të Zagrebit, brenda pak sekondave, humbën shtëpitë dhe pronat e tyre, me dëmtime të mëdha në banesa dhe dyqane. Edhe shqipëtarët dhe bizneset e tyre kanë përjetuar pasojat e Corona virusit dhe tërmetit, rezultatet përfundimtare të të cilave do të shihen pas disa muajsh.

Falenderojmë Këshillin për Pakicat Kombëtare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë i cili financon revistën “Iliria” 2005. - 2025.