Me ftesë të Presidentes kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç, Presidenti shqiptar Ilir Meta zhvilloi një vizitë dy-ditore në Kroaci. Gjatë fjalës së tij Presidenti Meta u shpreh se “Ndihem i zhgënjyer nga vendimi i Bashkimit Europian për shtyrjen e negociatave, duke vazhduar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të trefishojnë përpjekjet në mënyrë që të arrihet në një vendim pozitiv së afërmi”.
Presidentja Grabar-Kitaroviç, u shpreh se: “Do të vazhdojmë të mbrojmë fuqimisht integrimin evropian të Shqipërisë, dhe besojmë se Këshilli Evropian ka bërë “një gabim të madh” në refuzimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hapur bisedimet e anëtarësimit me bllokun evropian”. Presidentja vlerësoi se Kroacia dhe Shqipëria kanë interesa të përbashkëta për stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës Juglindore, e treguar kjo në bashkëpunimin e ngushtë si anëtare të NATO-s, Kartës SHBA-Adriatik, Procesit të Berlinit dhe Procesit Brdo-Brijuni, duke u shprehur se Zagrebi do të vazhdojë të “punojë shumë” në anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
– Kroacia po i jep mbështetje të plotë politike dhe teknike Shqipërisë në rrugën e saj evropiane dhe ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë Shqipërinë duke shkëmbyer përvojat dhe njohuritë tona, siç kemi bërë deri tani, – u shpreh Grabar-Kitaroviç.
– Një nga pikat kryesore të presidencës sonë do të jetë zgjerimi, sepse besojmë se vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë paqe, miqësi, siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm në këtë fushë, – u shpreh Presidentja.
Presidenti shqiptar Meta tha se vendi i tij “vlerëson gjithçka që Kroacia, së bashku me Bullgarinë dhe Greqinë, po bëjnë për të krijuar një konsensus në Bashkimin Evropian për hapjen e negociatave të pranimit.”
– Ne jemi të kënaqur që Kroacia do të marrë Presidencën e BE-së në 1 janar 2020 dhe se zgjerimi është një nga përparësitë e saja, – u shpreh Meta. Ai vazhdoi se i është mirënjohës Kroacisë për mbrojtjen e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe për sjelljen e këtij problemi në “qendër të vëmendjes”.
– Shqipëria tani do të dyfishojë përpjekjet e saja për të përmirësuar shanset për hapjen e negociatave dhe përfundimisht të sigurojë shtetet që kanë shprehur pakënaqësi që Tirana po punon për reformat e nevojshme.
Ai u pajtua me Presidenten duke thënë se “Deklarata për Partneritet Strategjik e dhjetorit 2018, ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë, është një konfirmim tjetër i marrëdhënieve të shkëlqyera e strategjike ndërmjet dy vendeve. Të dy shtetarët theksuan miqësinë e madhe ndërmjet dy vendeve dhe bashkëpunimin në rritje në fushat e shkencës dhe kulturës. Presidentja Kroate Grabar-Kitaroviç nderoi Presidentin Meta, si një mik të arritur të Kroacisë, me medaljen më të lartë të shtetit kroat, Grand Prix të Mbretit Tomislav me shirit Danica e Madhe. Gjatë ditës, Presidenti Meta vendosi një kurorë në varrezat Mirogoj, tek monumenti “Zëri i viktimës kroate – Muri i dhembjes”.
Presidenti Ilir Meta pritet nga kryeministri Kroat, Andrej Plenkoviq
Presidenti shqiptar Ilir Meta ka takuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq në prag të marrjes së Presidencës së BE-së nga Kroacia. Meta u shpreh se: “Marrja e Presidencës së BE-së, për herë të parë nga Kroacia, dhe qëndrimi i saj pro zgjerimit, është një mundësi e shtuar për Shqipërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian gjatë Samitit të Zagrebit në maj 2020”.
Presidenti Meta shprehet: “Mbi takimin mjaft të frytshëm dhe konstruktiv me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, mbi marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale dhe politike mes dy vendeve tona, mbi të njëjtin qëndrim se integrimi europian i Shqipërisë dhe rajonit janë e vetmja alternativë e së ardhmes sonë të përbashkët, duke përfunduar me shtysën e re që do të marrë bashkëpunimi ekonomiko-tregtar me vendosjen e linjës direkte ajrore Tiranë-Zagreb dhe ndërtimin e gazsjellësit Adriatiko-Jonian.
META U TAKUA ME SHQIPETARË TE SHQUAR NË KROACI
Pas takimeve zyrtare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta zhvilloi një takim me shqiptarë të shquar, përfaqësues shqiptarë në institucione kroate, përfaqësues të këshillave dhe shoqatave shqiptare në Kroaci. Presidenti Meta shoqërohej nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, Riza Poda dhe deputetja për Pakicat Kombëtare në Parlamentin Kroat, znj. Ermina Lekaj-Prlaskaj. Presidenti Meta shprehu kënaqësinë e madhe për pritjen e ngrohtë të Presidentes dhe Kryeministrit Kroat, duke cekur bisedat e shumta për bashkëpunimin me Kroacinë në fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës. Ndërmjet pjesëmarrësve së shumë shqiptarëve të shquar në këtë aktivitet, mund të veçojmë pjesmarjen e Kampionit botëror të karatesë, Enver Idrizi, Presidenten e Klubit të Grave Shqiptare të Kroacisë “Mbretëresha Teuta”, Shenida Bilalli etj.










