Biblioteka Kombëtare e Kosovës ekspozoi në Kroaci librin më të vjetër të koleksioneve të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

05/02/2020
Autor: Iliria
92 pregleda

Ekspozita ne Zagreb  përmban botime monografike, portrete, si dhe piktura që lidhen me botën e vizatimit e të ilustrimit, të përqendruara në temat për të bëmat dhe historitë e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ekspozoi para publikut të Kroacisë librin më të vjetër të Koleksioneve të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhuruar nga koleksionistja e njohur e librave mbi Skënderbeun – Patricia Nugge nga Londra: Historia për jetën dhe bëmat e Skënderbeut, Princit të Epirotëve (Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principis) të Marin Barletit; botuar në Augsburg, 1533.

Libri tjetër me rëndësi të veçantë që u ekspozua në Zagreb – gjithashtu – pjesë e Koleksioneve të Rralla të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës – ishte po i Marin Barletit: Jeta dhe të bëmat e shkëlqyera të Atletit të Krishtit Gjergj Kastriotit, princ i epirotëve, i cili për burrërinë kreshnike të tij u quajt prej turqve Skënderbe, d.m.th. Aleksandër i Madh; shkruar në 13 libra (kapituj) nga Marin Barleti, prift shkodran; rishtypur përsëri me lejen e eprorëve; botuar në Zagreb nga shtypi Gjon Pagëzuesi, shtypshkronjë e shquar e Mbretërisë së Kroacisë, në vitin 1743.

Në ceremoninë hapjes së ekspozitës, drejtorja e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Zagreb, Prof. dr. Tatijana Petrić, përshëndeti këtë bashkëpunim të të dyja bibliotekave, duke e cilësuar një “bashkim që e solli ndikimi i figurës së Skënderbeut në trashëgiminë kulturore”. Znj. Petrić u shpreh për Skënderbeun se është një simbol i rezistencës në të gjithë Evropën, figura e tij – si pjesë historisë evropiane përmes veprave artistike, letrare, të dhënave historike – është kthyer në një legjendë.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku, shprehu falënderimin për gatishmërinë që Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kroacisë ta mbështetë veprimtarinë për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Ai theksoi se mbi bazë dëshmish historiko-kulturore, gjeografike, afritë e kulturës shqipe me kulturën kroate, janë të hershme e të fuqishme, duke theksuar se referencat për kohën e Skënderbeut dhe epokën pas tij, japin spektre të identitetit shqiptar, por edhe të raportit me kulturat e tjera, në mënyrë të veçantë, me kulturën kroate.

Falenderojmë Këshillin për Pakicat Kombëtare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë i cili financon revistën “Iliria” 2005. - 2025.