INTERVISTË: Paskal Milo

06/02/2020
Autor: Iliria
130 pregleda

Koncepti i “Shqipërisë së Madhe” nuk është një koncept i shpikur nga shqiptarët. Ai është i shpikur nga kundërshtarët e shqiptarëve.

ILIRIA: A mund të shpjegoni për gazetën “Iliria” se çfarë eshtë Rilindja Kombëtare Shqiptare?

Paskal Milo: Rilindja ka nisur në vitet 20-30 të shekullit të 19-të, dhe është ajo që ngjizi identitetin kombëtar shqiptar dhe filloi të përgatisë shqiptarët të ndërtojnë jetën e tyre të pavarur, sikurse e kishin bërë ose po e bënin edhe popujt e tjerë fqinjë të Ballkanit. Lëvizja Kombëtare ishte një domosdoshmëri, dhe nuk lindi rastësisht në atë kohë. Rrethanat dhe zhvillimet qoftë brenda në Shqipëri, qoftë në rajon, përcaktuan që Shqipëria të fillojë atë rrugë të gjatë që e çoi atë në vitin 1912, në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Pa Rilindjen Kombëtare nuk do të kishte Pavarësi Kombëtare, për të cilën kontribuan pionerët e saj, që nga Jeronim DeRada, Naum Vegjilharxhi, vëllërezërit Frashëri e Pashko Vasa, e gjithë plejada e rilindasve të tjerë deri tek Ismail Qemali.

ILIRIA: A kanë qënë shumica e delegatve nga Diaspora?

Paskal Milo: Një pjesë e madhe ka qënë prej saj, sepse ajo kishte mundësi dhe liri për të ushtruar aktivitetin e vet kombëtar, kishte mundësi të botonte dhe përpunonte idetë e pikëpamjet e saja, gjë që në Shqipëri nuk ishte e mundur, sepse pushtuesit osmanë nuk lejonin lëvrimin e gjuhës shqipe, nuk lejonin hapjen e shkollave shqipe, dhe ndalonin çdo aktivitet kombëtar brenda në Shqipëri. Për rrjedhojë kanë qënë pikërisht ideologët e Rilindjes Kombëtare, që vepruan dhe punuan jashtë Shqipërisë, ata që e përfaqësuan rilindjen e kombit shqiptar. Ishin ata që përgatitën terrenin përmes veprës së tyre, që më vonë Lëvizja Kombëtare Shqiptare të mund të merrte vrull dhe të zhvillohej edhe brenda territoreve shqiptare, siç filloi të zhvillohet veçanërisht pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të viteve 1878-1881, për tu pasuar me Lidhjen e Pejës të vitit 1899, dhe më vonë me lëvizjet e mëdha kryengritëse në Shqipëri, në të gjithë territorin e saj, duke arritur kulmin e vet me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912, e cila rezultoi edhe me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare.

ILIRIA: A mund të na shpjegoni statusine të popullit shqiptar, ai ishte i paarsimuar, shkollat ishin në gjuhën turke, duke mos harruar edhe ndikimin e fqinjëve?

Paskal Milo: Pikërisht shqiptarët të ndodhur për një kohë të gjatë, gati 500 vjet, nën sundimin osman, nuk kishin liri dhe të drejta kombëtare, nuk kishin mundësi që të zhvillonin ndërgjegjen kombëtare, kulturën kombëtare dhe përmes zhvillimit të këtyre disiplinave vinte edhe pjekuria e kombit shqiptar dhe krijimi i shtetit kombëtar shqiptar.

Shqiptarëve u mungonin këto të drejta dhe liri, ata nuk patën këtë mundësi dhe u ndodhën nën trysninë e vazhdueshme osmane në të gjitha fushat, politike, ekonomike, kulturore, të traditës dhe për rrjedhojë shqiptarët rrezikoheshin që të asimiloheshin dhe të çbëheshin si komb. Këtu qëndron rëndësia e madhe e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, sepse ajo filloi zgjimin kombëtar të shqiptarëve, e udhëhoqi këtë proces deri sa e përfundoi me sukses me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare.

ILIRIA: Duke bërë një krahasim me kufijtë e “Shqipërisë së Madhe”, ku ka kundërshtime nga fqinjët, cilët kanë qënë kufijtë e Shqipërisë kur u shpall Pavarësia, dhe çfarë humbi ajo më vonë?

Paskal Milo: Koncepti i “Shqipërisë së Madhe” nuk është një koncept i shpikur nga shqiptarët. Ai është i shpikur nga kundërshtarët e shqiptarëve, nga ata që kanë dashur t,ju mohojnë lirinë dhe të drejtat kombëtare shqiptarëve, nga ata që kanë dashur t,ju mohojnë shtetin e tyre të pavarur shqiptarëve. Që nga momenti kur shqiptarët, pas Lidhjes së Prizrenit, filluan të kërkojnë të drejtat e tyre, si fillim autonominë e më vonë pavarësinë, dhe kërkuan bashkimin e të gjithë shqiptarëve në tokat historikisht të banuara nga shqiptarët, në fillim serbët e më vonë grekët, apo edhe të tjerë filluan ti akuzojnë shqiptarët se me pretendimet e tyre për të bashkuar të gjitha trojet shqiptare në një vilajet të vetëm, mund të çojnë sipas tyre në krijimin e të ashtuquajturës “Shqipëri të Madhe”.

ILIRIA: Shqiptarët në kohën e Perandorisë Osmane jetonin në katër vilajete?

Paskal Milo: Po, sepse nga pikëpamja administrative kështu i kishte ndarë atëherë Perandoria Osmane trojet shqiptare. Atdhetarët shqiptarë nuk kërkonin gjë tjetër veçse shqiptarët të kishin të drejtat e tyre që të bashkohen në një vilajet të vetëm. Por edhe këtë ata që nuk donin të drejtat e shqiptarëve, ata që donin ti copëtonin territoret e shqiptarëve, e quanin si përpjekje për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”. Pra është një ide që nuk ka të bëjë me shqiptarët dhe kërkonte t,ju mohonte të drejtat shqiptarëve. Ky është thelbi i konceptit.

ILIRIA: Viti 1912 ka pasur domethë­nie të madhe për Shqipërinë, për Pavarësinë e saj por edhe për humbi territoreve shqiptare.

Paskal Milo: Shqiptarët kanë bërë shumë përpjekje, por nuk mjaftonin vetëm përpjekjet e tyre në atë vit shumë të vështirë për ta. Ata duhej të kishin edhe mbështetjen e Fuqive të Mëdha, që fatkeqësisht ata nuk e kishin. Megjithë mbështjen e dy prej tyre në vitin 1913 në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, Austro-Hungarisë dhe Italisë, shqiptarët nuk arritën dot të krijojnë shtetin e tyre të bashkuar, sepse Fuqitë e tjera të Mëdha kundërshtuan me forcë dhe kërcënuan sepse nuk e dëshironin pavarësinë e shtetit shqiptar.

Krijimi i Shqipërisë së vitit 1913 ka qënë një kompromis ndërmjet Fuqive të Mëdha për mos të shkuar në luftë ndërmjet tyre për hatër të Shqipërisë, prandaj ata e arritën kompromisin në kurriz të popullit shqiptar e Shqipërisë, duke lënë jashtë territorit të shtetit kombëtar shqiptar gati gjysmën e popullsisë shqiptare dhe të territoreve si Kosova, Maqedonia Perëndimore, territore në Mal të Zi, por edhe një pjesë e territoreve të banuara nga shqipatrët në Greqi.

ILIRIA: Tema aktuale është Mini-Shengeni. Ju thatë se nuk mund të shpallet si i tillë. Pse?

Paskal Milo: Nisma për të krijuar atë që quhet “MiniShengeni Ballkanik”, në parim nuk është e keqe, por varet se si e formulon, si e administron dhe si e udhëheq procesin. Në Ballkan, çdo kopjim i përvojave të tjera, jo gjithnjë rezulton e sukseshme, sepse Ballkani Perëndimor ka veçoritë e tij, ka historinë e tij, ka konfliktet e tij, ka mosmarrëveshjet e tij dhe duhet që në rradhë të parë të rregullohen disa çështje themelore që kanë të bëjnë me njohjen reciproke të shteteve ballkanike midis tyre, dhe pastaj për të kaluar në fazën tjetër të krijimit të asosacioneve integruese midis tyre.

Që nga momenti kur, për shembull Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur dhe ka pretendime ndaj saj, nuk ka sesi që në Ballkanin Perëndimor të kapërcehen situatat, etapat dhe të kërkohet që të bëhen politika integruese, që siç thashë në parim janë të drejta, por në Ballkanin Perëndimor nuk funkjonojnë.

ILIRIA:Mendoni qe nuk mund të kemi MiniShengen Ballkanik, zbatime të parimeve të Shengenit në Ballkanin Perëndimor, kur Serbia nuk njeh Kosovën.

Paskal Milo: Vetëm në momentin kur Serbia të njohë Kosovën, dhe vetëm kur Kosova do të ulet në tavolinën e negociatave për MiniShengenin Ballkanik në pozita të barabarta me të gjitha shtetet e tjera, vetëm atëherë mund të pretendohet se ka një bazë solide për të arritur këtë objektiv që është një paradhomë për integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në momentin kur Kosova nuk është sovrane, në kuptimin e respektimit të sovranitetit të saj nga të tjerët, e në këtë rast nga Serbia, nuk mund të predendohet që ajo të ulet në tavolinë si një shtet i kategorisë së dytë, si një shtet që nuk njihet nga një vend si Serbia apo edhe Bosnje Hercegovina, e për rrjedhojë që këtu vihet në dyshim efikasiteti dhe ardhmëria e Mini-Shengenit Ballkanik.

Vetëm kur Kosova do të ketë të drejtat e saja të plota, për tu ulur në tavolinë si vend sovran, si subjekt ndërkombëtar i njohur nga të gjitha vendet e tjera, vetëm atëherë mund të krijohen bazat dhe kushtet për një nismë të sukseshme të Mini-Shengenit Ballkanik, që do të thotë respektimin e kritereve bazë siç janë ato të drejta të lirisë së qarkullimit të njerëzve, kapitaleve, të shërbimeve etj.

Falenderojmë Këshillin për Pakicat Kombëtare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë i cili financon revistën “Iliria” 2005. - 2025.