Në punimet e sesionit të 68-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillohen në Madrid të Spanjës, Asambleja ka miratuar Raportin për Ballkanin Perëndimor.
Kuvendi i Kosovës njofton se raportin e ka kundërshtuar delegacioni serb, duke pretenduar se raporti përmban të pavërteta për Kosovën.
Raportin e kundërshtoi udhëheqësi i delegacionit serb, i partisë së kryetarit serb Vuçiq, në pushtet, duke pretenduar se raporti përmban të pavërteta për Kosovën, ngase nuk është shtet, duke e quajtur ‘Kosovo i Metohija’, si dhe duke deklaruar se “jemi duke biseduar për çështjen e statusit të Kosovës”. Gjithashtu, duke pretenduar që bazat ushtarake ruse në Serbi janë për qëllime humanitare, se nuk ka tension të nxitur nga Serbia etj”.
Asambleja më pas ia ka kaluar fjalën kryetarit të delegacionit të Kuvendit të Kosovës, Driton Hyseni, i cili ka argumentuar se pretendimet e delegacionit serb, respektivisht kryetarit të këtij delegacioni, “janë tërësisht të pavërteta”.
Hyseni ka thënë se Kosova është shtet sovran, i shpallur në vitin 2008 e i njohur nga 117 shtete të botës dhe ka theksuar se pavarësia e saj është vërtetuar edhe nga gjykata ndërkombëtare e drejtësisë.
Vazhdoi duke potencuar faktin që vetëm pak zyrtarë serbë akoma Kosovës i drejtohen me emrin “Kosovo i Metohija”, por në fakt Kosova është vetëm Kosovë. Sa u takon bazave ruse në Serbi, Hyseni sqaroi se nuk bëhet fjalë për baza për qëllime humanitare, por ato janë baza ushtarake, të shumta në numër, e një pjesë e madhe e tyre janë të vendosura përgjatë kufirit me Kosovën. Ai tha se Serbia është duke u armatosur me armë ruse dhe kineze”- thuhet në kumtesën e Kuvendit.
Më tej, sipas komunikatës, Hyseni shtoi se “i gjithë tensioni në veri të Kosovës është produkt i influencës dhe ndikimit që Beogradi ka tek minoriteti serb që jeton në veri të Kosovës”.










