Presidentja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, prof. dr. Justina Shiroka Pula, më 21. prill 2026, priti në ambientet e Akademisë kryetaren e grave shqiptare të Kroacisë, Shenida Bilalli, dhe konfirmoi pjesëmarrjen e saj në manifestimin Ditët e Mbretëreshës Teuta 2026, i cili do të mbahet në nëntor në Shtëpinë e Gazetarëve në Zagreb.
Në takim, kryetarja e Klubit të Grave Shqiptare të Kroacisë “Mbretëresha Teuta”, Shenida Bilalli, propozoi programin në kuadër të Ditëve të Mbretëreshës Teuta 2026, me të cilin propozohet vendosja e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë, si dhe Akademisë së Shqipërisë, me qëllim paraqitjen e bashkëpunimit të përbashkët, kërkimit, prezantimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në Kroaci. Presidentja dhe kryeredaktorja e revistës Iliria, Shenida Bilalli, theksoi se projekti Mbretëresha Teuta dhe revista Iliria prej shumë vitesh zbulojnë dhe prezantojnë personalitete shqiptare që kanë kontribuar në lidhjet kulturore, shkencore dhe shoqërore ndërmjet Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo theksoi se janë organizuar tribuna dhe iniciativa për emërtimin e rrugëve për Gjon Gazullin, Andrea Aleshin dhe Miladin Shuflajn, dhe se Iliria ka qenë e para që në opinionin kroat ka prezantuar në mënyrë sistematike trashëgiminë e tyre.
Presidentja e Akademisë, Justina Shiroka Pula, e pranoi me kënaqësi propozimin dhe konfirmoi pjesëmarrjen e saj aktive në manifestimin kulturor-shkencor dhe bashkëpunimin e ardhshëm të dy akademive në Ditët e Teutës 2026, me temën bashkëpunimi dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në Kroaci dhe Kosovë.
Gjatë takimit u theksua lidhja e saj e thellë me artin e filigranit – trashëgimi që ajo e bart si vajza e mjeshtrit Simon Shiroka – dhe pikërisht për traditën e filigranit dhe trashëgiminë ajo do të flasë në manifestim.
Takimi u zhvillua në një atmosferë respekti, ngrohtësie dhe frymëzimi akademik. U theksua veçanërisht se prof. dr. Justina Shiroka Pula është gruaja e parë në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, fituese e çmimit “Mbretëresha Teuta 2014”, dhe mbështetëse e fuqishme e artit, kulturës dhe afirmimit të identitetit shqiptar.
Me këtë pjesëmarrje të konfirmuar dhe iniciativë të pranuar, hapet një kapitull i ri i bashkëpunimit ndërmjet dy akademive, në frymën e përgjegjësisë së përbashkët kulturore, lidhjes shkencore dhe respektit të ndërsjellë.










