Edi Rama ironizon me SHBA-në dhe BE-në për barrikadat në veri
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me heqjen e barrikadave në veri të Kosovës. Nëpërmjet një postimi në Twitter, kreu i qeverisë ka shprehur rezerva ndaj SHBA dhe BE, të cilat në një farë mënyre i bën përgjegjëse për zgjatjen e kohës për heqjen e barrikadave.
Kryeministri e ka parë në një këndvështrim ndryshe vendosjen e barrikadave, duke stigmatizuar jo pa ironi se për herë të parë, pas më shumë se 3 shekujsh, barrikadat vlerësohen si instrumenta të një proteste paqësore.
“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë! Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare! Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së radhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!” shkruan Rama.










