REPORTAZH NGA QYTETI I ZARËS
Piloti kroat me prejardhje shqiptare u zhduk nga aeroporti i Shkupit, ndërsa bashkëshortja e tij vazhdon akoma ta kërkojë dhe pret
Shkruan: Shenide Bilali dhe Katrina Rožić.
15.9.2018
Sevdije Vitija, një shqiptare 60 vjeçare nga Presheva, grua e bukur, me flokë të bardhë e sy bojëqielli, për çdo ditë shëtit në heshtje përgjatë bregdetit të Zarës. Nën tingujt e organos së detit, kujton momentet më të bukura të kaluara para 25 vjetësh me bashkëshortin e saj, Sinanin, për të cilin që nga dita e zhdukjes e deri më sot nuk ka asnjë lajm.Çdo ditë, për vite me rradhë jeton me shpresën se mbase deti, valët ose pulëbardhat do ti sjellin lajme të reja për Sinan Vitinë, bashkëshortin e saj të zhdukur, dhe fillon e tregon:
– Nuk e kam të qartë që edhe autoritet maqedonase edhe ato kroate, deri më sot nuk kanë asnjë informacion ose gjurmë për bashkëshortin tim të zhdukur, Sinan Vitija, pilot i Ushtrisë Kroate, lindur në vitin 1961 në Konjuh të Kosovës. Nuk di asgjë për të, edhe pse aeroporti i Shkupit survejohej nga kamerat e sigurisë dhe çdo lëvizje është e regjistruar: kush e morri dhe ku e dërguan atë…? Bashkëshorti im nuk ishte terrorist, por një qytetar i respektuar kroat, vullnetar në luftën e Kroacisë, pilot me gradën e oficerit, shqiptar me pasaportë të rregullt kroate, i cili mbrojti Kroacinë në momentet më të vështira të saja. E arrestuan autoritetet maqedonase. Padyshim duhej të ishte në listën e zezë të Sërbisë. Ai iu dorëzua policisë serbe, duke u shkelur të gjitha rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare – tregon e trishtuar Sevdije Vitija, bashkëshortja e pilotit të humbur.
– Pa asnjë bazë dhe arsyetim e arrestuan me pretekstin se kishte pasaportë të fallcifikuar kroate. Bashkëshorti im, Sinani, e ka përfituar dhe e meritoi pasaportën kroate sepse morri pjesë si vullnetar në luftën e Kroacisë, me gradën e oficerit të parë, duke treguar kurajo dhe aftësi të jashtëzakonshme gjatë mbrojtjes së Zarës dhe Maslenicës. Akoma i ruaj mirënjohjet dhe falenderimet e shumta që i janë dhënë bashkëshortit tim, por Sinani nuk është me mua. Dihet ekzaktësisht kush e arrestoi, ku dhe kur e arrestuan. Përse nuk më tregojnë të vërtetën…! Është e drejta ime legjitime…!
-Policia maqedonase e arrestoi atë më 28 nëntor të vitit 1993, si civil, kur po kthehej bashkë me vëllain e tij nga Gjermania pas kurimit shëndetësor. E ëma e tij ishte e sëmurë dhe ai duhej të shkonte në Kosovë për ta parë atë. I thashë që të mos shkonte, kisha frikë se mos e arrestonin, gjë e cila ndodhi. Mori pjesë në mbrojtjen e Kroacisë si shqiptar, dhe ky është faji i tij. E arrestuan sepse ishte në listën e oficerëve me gradë të lartë që dezertuan nga JNA-ja dhe luftuan në anën e shtetit kroat. Ai ishte një nga vullnetarët e shumtë shqiptar në Ushtrinë Kroate (HV). Kur u sulmua Kroacia, ai luftoi në vijën e parë mbrojtëse, themeloi brigadën e shqiptarëve me emrin „ Skenderbeg“, brigadë e cila ju bashkangjit Ushtrisë Kroate në mbrojtje të Zarës, Dalmacisë e Kroacisë.
– Flitet se për herë të parë është dërguar në burgun e Prishtinës, ku qëndroi disa ditë, e më vonë në Sërbi, në burgun famëkeq të Nishit, si shumë shqiptarë të tjerë të burgosur. Disa thonë se e dërguan në Burgun Qëndror të Beogradit. Që andej humbet çdo gjurmë, e sot e kësaj dite nuk kam asnjë të dhënë. Nuk e di a e kanë vrarë, e kanë këmbyer apo e mbajnë akoma gjallë. Kështu për 25 vjet me rradhë, askush nuk më thotë dhe nuk ndërmerr asgjë, më mbajnë pezull, – shprehet e zhgënjyer bashkëshortja e Sinanit.
Sevdie Vitija, në momentin e zhdukjes së bashkëshortit në vitin 1993, mbeti e vetme në Zarë, në moshën 34 vjeçare së bashku me dy fëmijët e saj. Edhe sot shikon me nostalgji fotografitë e saja me Sinanin. Rrëfehet se si u njohën, e duke përkëdhekul fytyrën e Sinanit në fotografi flet për dy fëmijët e saj , vajzën Fatbardhën dhe djalin Fisnikun.
-Sinani ishte një burrë i pashëm, i gjatë, me sy ngjyrë kafe, e me një buzëqeshje të bukur.. më duket sikur edhe sot ende dëgjoj buzëqeshjen e tij, – shprehet në pamundësi të mbajë lotët Sevdia, bashkëshortja e pilotit të zhdukur të ushtrisë kroate.
-Kishim një martesë të lumtur. Sinani e donte familjen, ishte një bashkëshort dhe baba shumë i kujdesshëm, njeri dhe ushtar me kurajo, me një dashuri të jashtëzakonshme për Kosovën. Por sot ai nuk është këtu, thjesht u zhduk. Askush nuk ka dëshirë të më tregojë të vërtetën e plotë, e kështu për 25 vjet jetoj me shpresë e pasiguri. Plot 25 vjet nuk vë gjumë në sy, 25 vjet vazhdon agonia ime dhe e fëmijëve të mi, por të gjithë heshtin.
Duke ndjekur informacionet, supozimet dhe lajmet e gënjeshtërta, Sevdia udhëtoi gjithandej për të kërkuar dhe gjetur bashkëshortin e saj. Në vitin 2000 ajo udhëtoi në Sërbi, për të hulumtuar dhe mësuar për bashkëshortin e saj të zhdukur.
-E kam kërkuar në Sremska Mitrovicë dhe Pozharevac, por kam vizituar edhe vende të tjera në Sërbi. Kam vizituar të gjitha kampet e refugjatëve në Sërbi, se mos rastësisht ndodhej atje. Por atë nuk e gjeta as në qendrat e refugjatëve, as në departamentet neuropsiqiatrike të spitaleve. Sinani nuk gjendet. Unë vazhdoj të jetoj në errësirë, në errësirë të plotë. Nuk mund ta kuptoj se si është e mundur që të dorëzonin një shtetas kroat duke shkelur të gjitha ligjet e së Drejtës Ndërkombëtare.. Si është e mundur..? pyet me zë të irrituar bashkëshortja e pakënaqur.
– Kur Sinani u zhduk në vitin 1993, disa shoqata shqiptare në Zarë si edhe kryetari i Shoqatës së Arbanasëve dhe pronari i ëmbëltores „Donat“, më kanë ndihmuar materialisht. Dua të veçoj kryetarin e Shoqatës së Arbanasëve dhe Znj. Shenida Bilali, kryetaren e shoqatës „Mbretëresha Teuta“ nga Zagrebi, e cila u angazhua personalisht, duke më lidhur me institucionet adekuate kroate , të cilat merren me problemet e luftëtarëve mbrojtës gjatë luftës në Kroaci, duke nisur kështu procedurën zyrtare për të këkuar luftëtarin e humbur kroat Sinan Vitija jashtë Kroacisë – shprehet Sevdie Sadriu- Vitija.
Sinan Vitija u arrestua dhe ju dorëzua Sërbisë, pa u përmbushur procedura administrative zyrtare në përputhje me ligjet e së Drejtës Ndërkombëtare.
– Kam vizituar të gjitha instucionet në Maqedoni, të ngarkuara me çështjen e bashkëshortit tim, duke ju lutur të më ndihmonin për gjetjen e tij, babait të dy fëmijëve, por më kot, vetëm heshtje nga të gjithë. Gjithashtu, në Kroaci, kërkova ndihmë nga kryetari i Shoqatës së Luftëtarëve Kroatë, kolonelin Ivan Grujiç, i cili merrej me çështjet e personave të zhdukur gjatë lufës në Kroaci. Mbas kontakteve të shumta, zyra e tij më njoftoi se, ata nuk kanë asnjë lloj informacioni për bashkëshortin tim Sisan Vitija. Po ashtu, Z. Zdenko Ognjenčić, nga shoqata e të zhdukurve gjatë luftës për qytetin e Zagrebit, më njoftoi se:
“ Do të ishte mirë për familjen, vëllezërit, bashkëshorten dhe fëmijët e Sinan Vitisë, pas kaq viteve të zhdukjes së tij, të na ndihmonin për identifimikin e kufomave nga varrezat në Kollubarë, Padinska Skela, Mitrovicë, Batajnicë etj, duke na vënë në dispozicion dhe siguruar materialin e tyre ADN, për analizat analitike.“ Kam qënë edhe në Zyrën për të Drejtat e Njeriut, e deri tek Komiteti i Helsinkut. Ata reaguan vetëm me një notë zyrtare, e pas kësaj nuk ndodhi asgjë, vetëm heshtje.
Drama e Sevdies, bashkëshortes së Sinanit vazhdon. Ajo shprehet se nuk është gati për të njohur kufomat. Ky veprim do ta kishte vrarë përfundimisht, sepse shumë persona e kanë patur të vështirë dhe e kanë përjetuar dramatikisht zhvarrosjen dhe njohjen e trupit të të afërmve.
– “Si nga Zyra e mbrojtësve veteranë kroatë gjatë luftës në Kroaci, si dhe nga Shoqata e veteranëve shqiptarë gjatë luftës në Kroaci, nuk kam marrë asnjë telefonatë, nuk më janë përgjigjur ose interesuar se si jetoj. „ Askush nuk ndërmerr asgjë.. nuk e kuptoj se përse ma fshehin të vërtetën“ – rrëfen bashkëshortja e pafat.
Sot, në apartamentin e Sevdie Vitijës në Zarë sundon heshtja. Dikur dëgjoheshin të qeshurat në shoqërinë e miqve të shumtë. Sot, Sevdia jeton e rrethuar nga kërkesat, fotografitë e dokumentat e shumta, të mbledhura për vite me rradhë, por nuk harron të tregojë edhe letrat e shumta zyrtare që ajo ka shkruar e dërguar për të gjetur të vërtetën mbi Sinanin.
– “Përse më fshehin të vërtetën mbi Sinanin, përse nuk më tregojnë se çfarë ndodhi me të? Shpresova se me ardhjen për vizitë zyrtare të Presidentit të Sërbisë Vučič në Kroaci, to ta mësoja të vërtetën, sepse vetë Vuçiç premtoi, por asgjë dhe përsëri asgjë..” shprehet Sevdia dhe vazhdon:
-Jam habitur me sjelljen Komitetit të Helsinkut për të Drejta e Njeriut në Maqedoni, sepse nuk më ofruan asnjë lloj informacioni. Në Kroaci reaguan vetëm me anë të një letre formale dhe asgjë tjetër. Duhet të ankohem edhe me sjelljen e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, sepse po endem e po trokas derë më derë e ata të gjithë heshtin. Mendoj se e meritoj të më tregojnë të vërtetën mbi bashkëshortin tim të zhdukur.
E pangushëllueshmja Sevdie sot jeton vetëm, e sëmurë dhe është nën efektin e ilaçeve sedative. Fëmijët vazhduan rrugën e tyre. Vajza, Fatbardha, studion arkitekturë në Zagreb, ndërsa djali, Fisniku, punon në Londër si fizioterapist, duke ndihmuar sa të mundet motrën për të përfunduar studimet.
Që nga momenti i zhdukjes së bashkëshortit, pilotit Sinan Vitija, ajo jeton thjeshtë e me modesti. Shprehet se vetëm në vitin 2010 ju akordua pensioni ushtarak kroat.
-Po. Mu akordua pensioni minimal ushtarak kroat, me shifrën prej 1.800,00 kuna, megjithëse Sinani mbante gradë të lartë ushtarake. Me këto të ardhuara nuk mund të mbuloj të gjitha detyrimet komunale, të cilat mbikalojnë shumën prej 1.500,00 kuna. Nuk duhet harruar që duhet të jetoj e të shkolloj fëmijët. Më të vështirë e kam gjatë dimrit, sepse nuk mund ti mbuloj të gjitha shpenzimet e detyrueshme me pensionin që marr, kështu që nuk ngroh apartamentin. Verën e kaloj më lehtë- rrëfen Sevdija.
Këto ditë, Qeveria e Kosovës, i akordoi Sinan Vitisë, Mirënjohjen “ Hero i Kosovës”, e cila ju dorëzua bashkëshortes së tij. Me anë të këtij gjesti, Qeveria e Kosovës, shprehu vullnetin e saj për të ndihmuar materialisht, bashkëshorten e pilotit të zhdukur, e cila për vite me rradhë troket në dyert e institucioneve të Kosovës, Maqedonisë e Kroacisë për të mësuar fatin e të vërtetën, si dhe për t`ju njohur statusi i bashkëshortes së luftëtarit të zhdukur kroat.
Me lot në sy shprehet: – Shëndeti im është në fund, edhe po të vdes nuk më vjen keq, sepse jam angazhuar e jam përpjekur plotësisht për të gjetur Sinanin, për tu informuar mbi të. Por më duket sikur Sinanin e ka përpirë dheu. Pa marrë parasysh të gjitha që më kanë ndodhur, mund t`ju them se jam krenare për fëmijët e mi dhe Sinanin, sepse ishte me të vërtetë njeri i ndershëm, i shkollluar dhe i guxishëm.
-Dëshiroj të njihesha me të vërtetën për zhdukjen e tij, ku i gjenden eshtrat, ku i gjendet varri, sepse dua që unë dhe fëmijët e mi ta përkujtojmë e ti vendosim lule e kurora – rrëfehet Sevdia duke u zhytur në vështrim e saj diku larg, por pa humbur shpresën.
-Ndonjëherë më kap ankthi dhe friksohem se mbase Sinani akoma jeton dhe vuan. Mbase e kanë këmbyer me ushtarë maqedonas ose serb të zënë rob. Kam frikë se mbi të mbase po kryejnë eksperimente mjekësore…, çfarë nuk flasin njerëzit…!!
-Sinani u zhduk në Maqedoni dhe atje i humbasin të gjiha gjurmët, megjithëse ishte shtetas kroat dhe nuk kishin të drejtë ta arrestonin. Përsëri jam në fillim, si 25 vjet më parë – përfundon historinë e saj të trishtueshme, bashkëshortja e pilotit të humbur, dikur krenaria e popullit shqiptar e kroat, luftëtarit të vërtetë, sot person i zhdukur, për të cilin nuk dihet asgjë dhe të gjithë heshtin, edhe pse e kanë informacione mbi të vërtetën.










