Tiranë, 9 Dhjetor 2025 – Lahuta shqiptare, një nga simbolet më të lashta të identitetit kulturor të shqiptarëve, është shpallur zyrtarisht pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, në listën për mbrojtje urgjente.
Ky vendim historik vjen pas një procesi të gjatë kërkimor dhe institucional, të mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Dosja e kandidaturës u dorëzua në mars 2024 dhe u përgatit sipas standardeve më të larta të UNESCO-s.
Lahuta, me trupin e saj prej druri të mbuluar me lëkurë, qafën e gjatë dhe telin e bërë nga fijet e bishtit të kalit, është një instrument arkaik që ka shoqëruar rapsodët shqiptarë në këngët epike dhe baladat lirike për shekuj me radhë. Ajo ruan dhe përcjell Eposin e Kreshnikëve, mitologjinë ilire dhe vlerat e guximit, besnikërisë, nderit dhe mikpritjes.
Ky njohim ndërkombëtar jo vetëm që korrigjon një padrejtësi historike – pasi gusla serbe u regjistrua më herët – por i rikthen lahutës vendin që i takon si instrumenti origjinal dhe autokton i Ballkanit. Studiuesit e etnomuzikologjisë e përshkruajnë lahutën si një “dëshmi të gjallë të vazhdimësisë ilire”.










