INTERVISTË ME STUDIUESIN ADRIAN PROGONI: TEUTA- ARKITEKTJA E PARË E NJË SISTEMI EKONOMIK DETAR NË EUROPË

05/06/2026
Autor: Iliria
152 pregleda

Intervistë  realizuar nga: Shenida Bilalli

Progni argumenton se Teuta nuk ishte thjesht një udhëheqëse ilire, por arkitektja e parë e një sistemi ekonomik detar në Europë, pararendësja e merkantilizmit, proteksionizmit dhe sovranitetit financiar. Sipas tij, Iliria nën Teutën ishte një fuqi e sofistikuar ekonomike që sfidoi monopolet mesdhetare dhe krijoi modelin e parë të kapitalizmit detar kontinental.

Në këtë vepër, Teuta shfaqet si trashëgimtare e projektit shtetformues të Agronit dhe si vazhduese e politikës së zgjerimit dhe kontrollit detar të Mbretërisë Ardiane. Ajo nuk trajtohet thjesht si “mbretëresha që luftoi Romën”, por si pjesë e një strukture shtetërore shumë më të gjerë, e cila kishte ndërtuar flotë, institucione, qendra politike dhe një sistem ndikimi që shtrihej në pjesë të konsiderueshme të Adriatikut.

Një nga tiparet më të dallueshme të trajtimit është përpjekja për ta çliruar figurën e Teutës nga stereotipet e krijuara nga burimet romake. Libri i fton lexuesit të shohin me sy kritik narrativën tradicionale që e paraqet atë kryesisht si piratja që sfidoi Romën. Në vend të kësaj, veprimet e saj analizohen në kuadrin e interesave strategjike të shtetit ardian dhe të përplasjes së pashmangshme midis një fuqie rajonale në ngritje dhe një Republike Romake që po zgjerohej drejt Ballkanit.

Përmes këtij këndvështrimi, Teuta del para publikut si simbol i rezistencës politike të Ilirisë ndaj depërtimit romak, por njëkohësisht edhe si figurë historike komplekse, me vendime, aleanca, gabime dhe kufizime reale. Humbja e saj nuk paraqitet si dështim personal, por si pjesë e përplasjes së pabarabartë midis një mbretërie ilire dhe fuqisë më të madhe ushtarake që po ngrihej në Mesdhe.

Në fund, lexuesi largohet me përshtypjen se Teuta nuk ishte thjesht një mbretëreshë ilire, por një nga figurat më të rëndësishme politike të Adriatikut antik, sundimtarja nën të cilën shteti ardian u gjend në qendër të një prej përballjeve më vendimtare të historisë së hershme të Ballkanit. Libri e vendos atë jo në margjinat e historisë, por në skenën kryesore të saj.

BIOGRAFIA

Adrian Progni lindi në Bajram Curri në vitin 1967, në një familje ku historia dhe kultura ishin pjesë e përditshmërisë. I ati, Dodë Progni, një historian i njohur dhe bashkëthemelues i Muzeut Historik Tropojë dhe autor i shumë dokumentimeve historike, gjithashtu autor librash historik, Si historian dhe atdhetar i përkushtuar, Dodë Progni ushtroi një ndikim të rëndësishëm në formimin intelektual të Adrianit, duke nxitur tek ai interesin për historinë e Ilirisë, figurat e lashtësisë dhe trashëgiminë historike shqiptare.

Babai më mësoi se historia nuk është e kaluar- është përgjegjësi. Dhe unë këtë përgjegjësi fillimsht e gjeta te Teuta,” thotë Progni.

I rritur mes librave, dokumenteve dhe artefakteve muzeale, Adriani u formua natyrshëm drejt kërkimit dhe studimit historik.

Progni u angazhua si studiues i pavarur, autor librash dhe eseist, duke u fokusuar në figurat e harruara të historisë shqiptare. Puna e tij ndërthur kërkimin shkencor me rrëfimin letrar, duke krijuar një stil të veçantë që e afron lexuesin me epokat e lashta

Iliria më tërhoqi sepse është një botë e fuqishme, e heshtur dhe e keqinterpretuar. Teuta ishte porta ime drejt saj,” shprehet ai.

Sot, Adrian Progni njihet si një nga autorët e rinj që po tenton të rikthejë në vëmendje figurat e lashtësisë shqiptare me seriozitet, pasion dhe qasje moderne.

       ————————————–     Interviste

ILIRIA: Si ju lindi ideja për të shkruar për Teutën ?

Adrian Progni:: Ideja për këtë libër u formësua gradualisht, si një nevojë e brendshme dhe ndjenjë përgjegjësie ndaj trashëgimisë sonë historike. Për një kohë të gjatë kam ndier se figura e Teutës ka mbetur e keqinterpretuar dhe e paragjykuar nga historianët antikë romakë, të cilët ishin të njëanshëm për shkak të luftërave iliro-romake. Ajo ende nuk e ka marrë vendin që i takon në historinë mesdhetare—jo si një figurë romantike, por si një lidere shtetërore e rëndësishme, stratege dhe reformatore e shtetit ardian. Libri im lindi pikërisht nga dëshira për t’i kthyer asaj këtë dinjitet të humbur përmes një analize të ftohtë dhe rreptësisht shkencore.

ILIRIA: A ka ndikuar ndonjë roman apo vepër letrare në këtë vendim tuajin?

Adrian Progni: Jo, vendimi nuk lindi nga ndikimi i ndonjë romani apo vepre letrare. Përkundrazi, ai buron nga interesi im shumëvjeçar për historinë ilire, burimet antike dhe trajtimin e këtyre figurave në historiografi. Edhe pse jam në dijeni të veprave letrare për Teutën, qëllimi im nuk ishte ndërtimi i një interpretimi artistik, por afrimi me Teutën historike përmes burimeve antike dhe analizës kritike shkencore. Libri nuk është frymëzuar nga romani historik, por nga nevoja për ta rikthyer këtë figurë në qendër të vëmendjes përmes një qasjeje rreptësisht historiografike.

ILIRIA: Ju keni deklaruar se vendimi është mbështetur në argumente historike, studime shkencore dhe burime dokumentare. Ju lutem, cilat janë konkretisht këto burime? Cilat vepra dhe cilët autorë?

Adrian Progni:: Po, libri mbështetet në një bazë të gjerë burimore dhe historiografike. Në radhë të parë janë shfrytëzuar autorët antikë që përbëjnë themelin e çdo studimi mbi Teutën dhe Mbretërinë Ardiane, si Polibi, Apiani, Kas Dio, Plini Plaku, Straboni, Livi dhe autorë të tjerë të antikitetit që trajtojnë Ilirinë dhe marrëdhëniet e saj me Romën.

Krahas tyre, jam mbështetur në studimet e historianëve dhe albanologëve modernë që kanë kontribuar në kërkimin mbi ilirët dhe botën mesdhetare të shekujve III–II p.e.s., ndër të cilët mund të përmend John J. Wilkes, Pierre Cabanes, Fanula Papazoglu, Nicholas Hammond, Danijel Džino, Marjeta Šašel Kos, Arthur Eckstein, Neritan Ceka, Hasan Ceka, Selim Islami dhe studiues të tjerë të fushës.

 ILIRIA:Një vend të rëndësishëm kanë zënë gjithashtu studimet arkeologjike..?

Adrian Progni:: Numizmatike dhe kërkimet më të fundit mbi qendrat ilire si Rizoni, Shkodra dhe hapësira e Mbretërisë Ardiane, të cilat kanë ndihmuar në rindërtimin e kontekstit historik ku veproi Teuta. Për arsye hapësire nuk mund të rendis këtu të gjithë literaturën e përdorur, por libri mbështetet në 156 referenca burimore dhe studime shkencore, ndërsa bibliografia e plotë është paraqitur në fund të veprës për çdo lexues që dëshiron të verifikojë apo të thellojë më tej kërkimin.

ILIRIA : A ka ndikuar ndonjë roman apo vepër, përfshirë edhe ato të Mira Meksit- në këtë veprim a po  vendim?

Adrian Progni: Sa i përket romanit të Mira Meksit, më duhet të sqaroj me shumë sinqeritet se ai nuk ka shërbyer absolutisht si pikënisje apo nxitje për punën time. Përkundrazi, unë e kam kritikuar atë roman publikisht në të kaluarën për shkak të qasjes së tij.  Libri im dhe ai i zonjës Meksi i përkasin dy botëve krejtësisht të ndryshme që nuk takohen asgjëkund: ai është një fiksion letrar, ndërsa vepra ime është një monografi shkencore e mirëfilltë, e ndërtuar mbi shtyllën kurrizore të 156 referencave të unifikuara nga burimet primare antike dhe historiografia më e lartë ndërkombëtare.

ILIRIA: Si mbas  gjykimit juaj, romani rrezikon ta tjetërsojë realitetin historik?

Adrian Progni:  Po, romani rrezikon ta tjetërsojë realitetin historik duke i veshur personazhet me elemente dhe sjellje që nuk përkojnë me shekullin e III p.e.s. Kur shkruhet për figura të tilla, liria e autorit duhet të respektojë të vërtetën e dokumentuar për të mos keqinformuar lexuesin. Shtysa ime buron ekskluzivisht nga dëshira për të ofruar një studim serioz e shkencor, jashtë miteve letrare.

Për shembull, në romanin e Mira Meksit, Teuta zhvishet nga dinjiteti i saj politik dhe katandiset nga një shtetformuese e fuqishme në një subjekt krizash emocionale e dëshpërimi sentimental, e përshtatur sipas kërkesave të tregut editorial. Në librin tim, ajo paraqitet si një sundimtare reale, komplekse dhe pragmatike e shtetit ardian, e cila udhëhoqi me vetëdije politike e strategjike në Adriatikun antik, duke u lartësuar si simbol i rezistencës institucionale dhe gjeopolitike të Ilirisë.

ILIRIA: Si ndodh zgjedhja për të shkruar për një figurë historike ?

Adrian Progni:   Është edhe një zgjedhje  personale? E kushtëzuar nga ajo që të tërheq dhe të fton intelektualisht si studiues. Personalisht, nga e gjithë historia e antikitetit, më kanë magjepsur gjithmonë disa figura të veçanta me karakter të fuqishëm: Mbreti Agron dhe Mbreti Glauk, figura si Cynnane (vajza e Audatës dhe Filipit II), Tania (Mania) e Dardanisë së Hellespontit, dhe padyshim, Teuta e para mbi të gjithë. Libri im buron pikërisht nga ky pëlqim i kahershëm dhe nga dëshira për t’i ndriçuar këto personalitete përmes fakteve dhe dokumenteve, duke u dhënë vendin që meritiojnë në histori.

ILIRIA: Ju e nisni studimin tuaj duke thënë se historia e Teutës është shkruar nga Roma. Pse është kjo kaq e rëndësishme për interpretimin e figurës së saj?

Adrian Progni: Sepse Roma nuk ishte thjesht një kundërshtare ushtarake, por fuqia që kontrollonte narrativën historike. Etiketimi i Teutës si “pirate” ishte një instrument politik për të delegjitimuar një fuqi që sfidonte monopolet tregtare të Senatit, pasi Roma e quante pirateri çdo akt që prekte interesat e saj ekonomike. Në realitet, Teuta ndërtoi një sistem të sofistikuar ekonomik të bazuar në taksa doganore, licencim tregtar dhe kontroll të rrugëve detare—elemente që sot njihen si themeli i merkantilizmit. Ajo e kuptoi e para se fuqia e shtetit ndërtohet mbi kontrollin e tregtisë, kapitalit dhe qarkullimit të mallrave.

ILIRIA: Në tekstin tuaj, ju e cilësoni deklaratën e Teutës si mbrojtjen e parë të sipërmarrjes private detare në Europë. Pse është kaq e rëndësishme kjo deklaratë?

Adrian Progni: Deklarata e saj e famshme, e cituar nga Polibi, është një moment themelor në historinë ekonomike europiane: “Nuk është në zakonin e mbretërve ilirë të pengojnë nënshtetasit e tyre të nxjerrin përfitime nga deti.”  Kjo është mbrojtja e parë e dokumentuar e lirisë së sipërmarrjes private detare. Teuta e kuptoi se pasuria nuk ndërtohet vetëm nga kurora, por nga individi. Ajo legjitimoi fitimin privat si motor të fuqisë shtetërore – një koncept që Europa e përqafoi vetëm shumë shekuj më vonë. Në vizionin e saj, deti nuk ishte vetëm hapësirë konflikti, por hapësirë fitimi, inovacioni dhe kapitalizimi.

ILIRIA: Ju e përshkruani sistemin e Teutës si “Talasokracia Ardiane”. Si funksiononte ky sistem?

Adrian Progni: Talasokracia Ardiane ishte sistemi i parë i organizuar i kontrollit detar në Europë. Çdo anije që hynte në ujërat ilire paguante taksë kalimi dhe sigurie. Shteti garantonte mbrojtje ose mos-sulmim në këmbim të këtij haraçi ekonomik. Kush refuzonte, ngarkesa e tij bëhej kapital legjitim për flotën ilire. “Teuta e ktheu Adriatikun nga hapësirë e lirë në një korridor të kontrolluar ekonomikisht.”  Ky sistem ishte pararendës i doganave moderne dhe i politikave të kontrollit të tregtisë së jashtme.

ILIRIA: Roma e quante këtë pirateri. Ju e quani licencim shtetëror. Pse?

Adrian Progni: Sepse Teuta kishte ngritur një sistem të rregullt licencimi, ku vetëm anijet që njihnin autoritetin e saj mund të lundronin apo të tregtonin në portet ilire. Ajo lëshonte të drejta zyrtare për kontrollin e lundrimit—një formë e hershme e privatizimit të forcës detare. Ajo që Roma e quante krim, në fakt ishte një kontratë ekonomike e legalizuar nga shteti. Ilirët kishin të drejtë të godisnin anijet që nuk paguanin taksa, por një pjesë e fitimit shkonte në arkën mbretërore. Ky ishte një sistem i sofistikuar gjeopolitik dhe ekonomik, jo një anarki detare.

ILIRIA: Në studimin tuaj, ju e përshkruani Teutën si një lidere me vizion gjeopolitik të jashtëzakonshëm. Si e shpjegoni këtë?

Adrian Progni: Teuta e kuptoi se kontrolli i Kanalit të Otrantos ishte çelësi i dominimit ekonomik. Kush kontrollon këtë ngushticë, kontrollon flukset tregtare të Italisë së jugut dhe Ballkanit perëndimor. “Çelësat e Mesdheut Lindor mbaheshin në duart e një gruaje në Shkodër.”  Ajo e shndërroi Adriatikun në “Mare Illyricum”- një liqen ilir ku asnjë mall nuk lëvizte pa pëlqimin e saj. Ky është një nivel vizioni që tejkalon kufijtë e një mbretërie rajonale dhe hyn në kategorinë e fuqive kontinentale.

ILIRIA: A mund të konsiderohet lufta me Romën si lufta e parë tregtare në Europë?

Adrian Progni: Po, dhe kjo është një nga pikat më të rëndësishme të studimit. Roma nuk e sulmoi Teutën për arsye morale. Ajo e sulmoi sepse Teuta po krijonte një bllokadë ekonomike që e linte Romën jashtë tregjeve të Lindjes. “Lufta kundër Teutës ishte lufta e parë e madhe për kontrollin e tregut dhe sovranitetit financiar në Europë.”  Teuta aplikoi proteksionizmin e parë europian- duke mbrojtur tregtarët vendas dhe duke taksuar rëndë anijet e huaja.

ILIRIA: Një pjesë e rëndësishme e studimit tuaj i kushtohet lembës. Pse ishte kaq revolucionare?

Adrian Progni: Lemba ishte një inovacion teknologjik i jashtëzakonshëm. E shpejtë, e lirë për t’u prodhuar, manovruese dhe efikase.Ajo i dha Ilirisë avantazh absolut në tregti dhe luftë. “Roma, pasi u përball me lembën dhe liburnat, filloi të ndërtonte anije sipas modelit ilir.”
Ky është pranim i heshtur i superioritetit teknologjik ilir. Liburna ishte pararendësja e anijeve moderne të shpejtësisë së lartë.

ILIRIA: Si e përdori Teuta këtë avantazh për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme?

Adrian Progni: Ajo standardizoi prodhimin e lembëve dhe krijoi industrinë e parë detare të organizuar në Europë. Kontrolli i transportit është kontroll i tregtisë. “Teuta kuptoi se fitimi i vërtetë nuk qëndron te malli, por te kontrolli i mjetit të transportit.”  Ilirët u bënë transportuesit kryesorë të mallrave në Adriatik dhe Jon. Kjo krijoi akumulim kapitali dhe pavarësi financiare.

ILIRIA: Në studimin tuaj, Shkodra dhe Lisusi paraqiten si qendra të gravitetit ekonomik. Si funksiononte ky sistem?

Adrian Progni: Shkodra ishte truri strategjik dhe kasaforta monetare e mbretërisë., Lisusi ishte porta detare, baza e prodhimit të lembëve dhe qendra e licencimit. “Shkodra ishte kasaforta e Ballkanit; Lisusi ishte porta e Ilirisë drejt botës.”  Ky sistem krijoi një infrastrukturë të sofistikuar që i dha Ilirisë kontroll të plotë mbi tregtinë dhe qarkullimin e kapitalit.

ILIRIA: Ju përmendni se Teuta kontrollonte valutën e huaj pa pasur monedhë të prerë. Si ishte e mundur kjo?

Adrian Progni: Përmes taksave dhe tarifave detare, Teuta detyroi derdhjen e sasive të mëdha të drahmave dhe denarëve në arkën e saj. “Teuta nuk kishte nevojë të priste monedhë, ajo kontrollonte qarkullimin e saj.”  Ky është parimi i bullionizmit, faza e parë e merkantilizmit europian. Ajo e kuptoi se kontrolli i kapitalit është themeli i lirisë politike dhe ekonomike.

ILIRIA: Cila është trashëgimia e Teutës në historinë europiane?

Adrian Progni: Teuta ishte arkitektja e parë e një sistemi ekonomik detar në Europë. Ajo e shndërroi Ilirinë në fuqinë e parë tregtare kontinentale që sfidoi monopolet mesdhetare, duke mbetur pararendësja e sovranitetit ekonomik europian. Përmes modelit të saj, ajo dëshmoi se liria e një populli është e lidhur ngushtë me pavarësinë financiare dhe kontrollin e burimeve të veta.

Iliria: A keni qenë të informuar se në Zagreb, në vitin 202O, u shfaq drama “Kthimi i Mbretëreshës Teuta”, e cila për herë të parë trajtoi hapur idenë se Teuta nuk kërkoi plaçkitje, por tatimin detar?

Adrian Progni: Jo, nuk kam qenë në dijeni të kësaj drame gjatë kohës që punoja për librin, ndaj ajo nuk ka pasur asnjë ndikim në kërkimin tim. Megjithatë, është interesant fakti që në vepra artistike apo studime bashkëkohore po rishfaqen interpretime alternative mbi politikën detare të Teutës. Debati mbi natyrën reale të kontrollit ilir në Adriatikut është i pranishëm prej dekadash në historiografinë moderne. Pikëpamjet e mia janë ndërtuar mbi analizën e burimeve antike dhe të studimeve historike, jo mbi dramatizime letrare; për këtë arsye, çdo përputhje idesh është rastësi ose pasojë e faktit se autorë të ndryshëm mund të arrijnë në përfundime të ngjashme duke u nisur nga i njëjti problem historik.

ILIRIA: Në këtë dramë, Demetri i thotë Teutës: “Ndal, Mos Kërko Tatimin, Roma Po Përgatit Luftën.” A e konsideroni të rëndësishme që kjo shfaqje ishte e para që artikuloi qartë përfundimin se konflikti me romën lindi për shkak të tatimit, e jo për shkak të piraterisë?

Adrian Progni: Nuk do ta reduktoja konfliktin me Romën vetëm te çështja e tatimit apo te narrativa klasike e “piraterisë ilire”—këto janë më shumë justifikime të mëvonshme. Në thelb, përplasja rrodhi nga një realitet më i gjerë gjeopolitik: rritja e fuqisë ardiane në Adriatik, kontrolli i hapësirave strategjike dhe sfidimi i drejtpërdrejtë i interesave të një Rome që po zgjerohej dhe nuk pranonte rivalë. Ishte një përplasje strukturore mes dy fuqive.

Sa i përket Demetrit, ai përfaqëson pragmatizmin brenda kësaj përplasjeje. Në gjykimin tim, ai ishte i vetëdijshëm për raportin real të forcave dhe fuqinë e Romës. Dorëzimi i Korfuzit pa rezistencë  dhe integrimi i tij i mëvonshëm në strukturat e favorizuara nga romakët dëshmojnë një politikë përshtatëse. Demetri lëvizi midis ambicies vendore dhe realpolitikës ndërkombëtare, duke kuptuar se përballja e hapur me Romën nuk ishte gjithmonë opsioni më racional.

ILIRIA: Si lidhet interpretimi juaj me këtë qasje skenike, e cila tre vite para botimit tuaj artikuloi të njëjtin motiv historik?

Adrian Progni: Interpretimi im nuk është i shkëputur, por bazohet në një literaturë të gjerë bashkëkohore që ka rishikuar në mënyrë kritike narrativën tradicionale mbi konfliktet iliro-romake. Jam mbështetur tek autorë që ndërhyrjet romake dhe “piraterinë ilire” i trajtojnë si konstrukte politike të kohës dhe si pjesë të strategjisë ekspansioniste të Romës.

Ndër këta autorë përfshihen Frommer, për leximin kritik të historisë ilire; Willoughby dhe McPherson, për analizën e ndërhyrjeve republikane romake si proces imperial; Dell, që problematizon vetë nocionin e “piraterisë”; si dhe Casson, për marrëdhëniet e Ilirisë në kontekstin e gjerë rajonal. Një rol të rëndësishëm në saktësinë faktike luan edhe tradita enciklopedike gjermane, veçanërisht zërat e Max Fluß në Realencyclopädie.

Në këtë kuptim, nëse edhe një qasje skenike ka artikuluar një motiv të ngjashëm, kjo tregon se kemi të bëjmë me një debat të hapur historiografik ku ide të njëjta lindin në mënyrë të pavarur në fusha të ndryshme të kulturës dhe studimit.



                                ——————————————-

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Falenderojmë Këshillin për Pakicat Kombëtare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë i cili financon revistën “Iliria” 2005. - 2025.