Grupi Vallëzues Ilire shkëlqen – 20 vjet kërcim nëpër kujtesën, forcën dhe historinë e grave shqiptare

04/12/2025
Autor: Iliria
284 pregleda

Mbrëmja nisi me premierën e performances kushtuar Edith Durham, humanistes britanike dhe mbrojtëses së palodhur të çështjes shqiptare. Koreografia kenges Paradis ishte e mbushur me dritë, falënderim dhe forcë të heshtur — çdo lëvizje ishte një pëshpëritje mirënjohjeje për gruan që pa dhe dëgjoi atë që të tjerët zgjodhën të injorojnë.

Pasoi interpretimi i këngës „O moj Morea“, kënga më e vjetër shqiptare që dëshmon për shpërnguljen e shqiptarëve nga Morea në Siçili, më shumë se 600 vjet më parë. Në koreografinë e Ilireve, kjo plagë historike u shndërrua në një lëvizje të mbushur me dhimbje, dinjitet dhe shpresë. Atmosfera në sallë ishte thuajse sakrale – publiku merrte frymë me valltaret, ndërsa kostumet në nuanca të bardha, të zeza dhe të arta theksonin ndjenjën e humbjes dhe forcës shpirtërore.

Në pjesën qendrore të mbrëmjes, Ilire interpretuan vallëzimin e fustanellës, të fuqishëm dhe ritmik, që ngjalli entuziazëm të madh në publik. Ishte një moment krenarie kolektive, ku hapat u bënë urë mes brezave.

Performansa e dytë solli një moment të fuqishëm simbolik: ardhjen e Mbretëreshës Teuta në fron, të shoqëruar nga kënga e njohur shqiptare „Baresha“. Në një koreografi të ndërtuar me ndjeshmëri dhe madhështi, Ilire hapën rrugën për Teutën — gruan e fuqishme dhe të bukur, figurën që mishëron krenarinë, vendosmërinë dhe hijeshinë e trashëgimisë sonë.

Kostumografia pasqyroi dramaturgjinë e mbrëmjes: nga tonet e buta blu të hapura, që sillnin paqe dhe shpirtshmëri, te kostumet e kuqe të ndezura me elemente metalike, ku valltaret mishëruan Teutën si luftëtare – forcën, vendosmërinë dhe guximin e saj. Ky moment kulmoi me koreografinë e fuqishme të Shenida Bilallit, ku valltaret u shfaqën në dritën më të mirë, duke dëshmuar forcën, profesionalizmin dhe artin e lëvizjes që shumëkush mund ta lakmojë.

Akti përmbyllës – „Teuta e tradhtuar“ – solli ngjyrat e detit, heshtjes dhe dhimbjes, duke simbolizuar tradhtinë, por edhe qëndrueshmërinë e një gruaje që nuk zhduket, por shndërrohet.

Grupi vallzues Iliret janë pikërisht ato – shenja dalluese dhe zemra e kësaj ngjarjeje, për të cilat publiku besnik kthehet vit pas viti në Ditët e Mbretëreshës Teuta, duke kërkuar në vallëzimin e tyre atë që nuk mund të thuhet me fjalë.

Falenderojmë Këshillin për Pakicat Kombëtare të Qeverisë së Republikës së Kroacisë i cili financon revistën “Iliria” 2005. - 2025.