Nga: Shenida Bilalli
Neta Brajsha, viktimë e tërmetit të tmerrshëm i cili goditi Zagrebin para dy vitesh, së bashku me qytetarë të tjerë të Zagrebit që humbën shtëpitë, së bashku jetojnë në dhoma të vogla bujtinash dhe janë ende pa status të zgjidhur strehimi
Zonja e bukur 70 vjeçare, Neta Brajsha, me origjinë shqiptare nga Zagrebi, ( babai shqiptar dhe nëna kroate), është vetëm një nga viktimat e shumta të tërmetit të fortë të Zagrebit, të datës 22 mars 2022, i cili la pastrehë shumë banorë. Në një moment, ajo mbeti pa asgjë, edhe pse jetonte në apartament prej 60 metra katrorë në qendër të qytetit. Tani e gjithë pasuria e saj janë disa thasë, të cilët mundte t’i çonte nga banesa e saj në dhomën e konviktin të studentëve ‘Cvijeto naselje’. Dy vjet më parë, kishte banuar në të për gjashtë muaj, tashmë jeton prej gati një viti e gjysmë në Hostel „Arena“, i cili ndodhet në jugperëndim të qytetit, në Remetinecki Gaj, pranë qendrës tregtare „Arena“, ndërtuar në vitin 1987 para Universiadës.
NETA BRAJSHA, ME ORIGJINË SHQIPTARE NGA ZAGREBI DIKUR KA QENË PRODUCENTE E SHUMË KONCERTEVE HUMANITARE NDËRKOMBËTARE 1985-1991.
Në bashkëpunim me Austrinë, Slloveninë, etj, së bashku me bashkëshortin e saj, flautistin e famshëm Zoran Brajša, redaktor i programit muzikor të Radios Kroate. Ai ka interpretuar si flautist solo në shumë koncerte të muzikës serioze, brenda dhe jashtë vendit, si dhe ka qenë anëtar i jurisë së Festivalit Veror të Dubrovnikut, Mbrëmjeve Baroke …
„Organizuam dhe mbajtëm koncerte muzikore në të gjithë Evropën, duke ndihmuar Kroacinë, veçanërisht gjatë Luftës së Atdheut 1991“- kujton Neta. „Në këto koncerte kanë marë pjesë edhe këngëtarët e njohur Arsen Dedeić, Gabi Novak dhe shumë yje të tjerë të muzikës klasike. Por pas vdekjes së tim shoqit gjithçka ndryshoi, e tani jetoj e vetme“.
Pas tërmetit, zonja Neta jeton përkohësisht në bujtinën „Arena“ së bashku me 188 viktima të tjera të tërmetit, duke qëndruar në tre katet e para të saja me 117 dhoma. Edhe pse u përgatitën 241 shtretër për të gjitha viktimat, pas një viti e gjysmë të stacionimit, numri i qiramarrësve zbriti.
„Shumë qiramarrës të bujtinës „Arena“ janë larguar , e disa kanë marë apartamente zëvendësuese. Disa janë larguar përgjithmonë, disa po kthehen e janë ende këtu sepse rinovojnë apartamentet apo shtëpitë“- tregonte Neta.
QYTETARËT E ZAGREBIT JANË AKOMODUAR KËTU DERISA TË ZGJIDHET PROBLEMI ME PRONAT E TYRE
Qytetarët e Zagrebit janë akomoduar këtu derisa të marrin banesë adekuate zëvendësuese, pra nuk kufizohet koha e akomodimit, edhe pse thuhet se mund të jetë deri në qershor të vitit 2022.
Në fillim të vitit të ri 2020, qiramarrësit e përkohshëm u zhvendosën nga konvikti i studentëve „Cvjetno naselje“ në Hostel „Arena“ në Remetinec. Neta Brajsha në fillim banonte në një dhomë prej 12-14 metrash katrorë, së bashku me një grua të panjohur dhe me të ndante jetën në dhomë për 24 orë. Pasi u sëmur dhe u trajtua për Covid-19, ajo jeton e vetme në një dhomë, e cila ja bëri më të lehtë qëndrimin në bujtinë.
Neta Brajsha nuk i pëlqen t’i kujtojë ato ditë. Ajo ishte e para në Hostel „Arena“ ku mori edhe Covidin, mes viktimave të tërmetit. Ajo thotë se u izolua menjëherë, por për fat e dërguan për mjekim në Sljeme në hotelin „Tomislavov dom“, i cili është një vepër e arkitekturës kroate dhe botërore në vitet 1930 . Ka pasur trajtim shumë të mirë mjekësor, por ka qenë totalisht e izoluar për 15 ditë të plota, nuk ka pasur kontakt me askënd, përveç personelit mjekësor që kishte veshur rroba kundër Covidit….. Ishte e tmerrshme…!, thotë Neta.
“DHOMAT KËTU JANË EDHE MË TË VOGLA, POR DO TË DUROJMË …”
Shumica e qiramarrësve qëndrojnë në dhoma teke, dyshe dhe treshe. Dhomat kanë dush, tualet dhe frigorifer, dhe janë me sipërfaqe rreth 12 deri në 15 metra katrorë. Ata ushqehen në një restorant ku u sigurohet mëngjesi, dreka dhe darka.
„Në restorant marrim supë të nxehtë, qofte të shijshme, mish, ëmbëlsira. Stafi i hostelit na priti ngrohtë dhe përzemërsisht, sepse për atë kishim më shumë nevojë. Shumë i sjellshëm është edhe pronari i bujtinës, z.Pusic. Një mirësi e tillë thotë shumë për ne“- thotë Neta Brajsha (70), e cila nuk mund të jetojë më në apartamentin e saj të rrënuar plotësisht në qendër të qytetit.
Në vazhdim të bisedës thotë se janë të kënaqur deri diku me kushtet, edhe pse për disa nuk është e lehtë.
-Ka banorë që janë mbi 80 vjeç dhe nuk e kemi të lehtë të shkojmë për analiza shëndetësore apo të marrim gjak. Nga bujtina “Arena” nisemi që në orën 6. të mëngjesit për të arritur në orën 8. tek mjekët tanë që janë larg.- tregonte zonja Neta.
„HOSTELI ËSHTË SI NJË QYTET I VOGËL, KU JETOJNË NJERËZ NGA PJESË TË NDRYSHME TË ZAGREBIT DHE ME STATUSE TË NDRYSHME.
Për këtë nuk është e lehtë ti bashkosh të gjithë sepse kanë temperamente dhe karaktere të ndryshme. Ne nuk jemi mysafirë të hostelit, ne jetojmë në të, megjithëse hosteli është për qëndrime të shkurtëra. Nuk është si hotelet apo shtëpitë e pleqve, por së paku është një shtëpi e ngrohtë. Këtu jetojnë të moshuar e të rinj, të lëvizshëm e të palëvizshëm, qen e mace. Më mirë të them disa njerëz të trishtuar… numëroi ajo duke u menduar.
‘Shpesh vjen ambulanca, policia… Por këtu ka njerëz të mrekullueshëm. Në disa dhoma ngjitur me timen kanë vdekur tashmë 5 persona, sepse nuk do të jetojmë përjetësisht dhe vitet bëjnë të tyren.
Sidoqoftë, hosteli është i pastër, i rregullt dhe stafi është i sjellshëm e kujdeset për ne. Na i lajnë çarçafët e rrobat sepse nuk kemi asgjë në dhomë përveç krevatit dhe frigoriferit.
DISA NJERËZ JANË TOTALISHT TË RRËNUAR
‘Kanë patur të vështirë të lëvizin nga shtëpitë e tyre. Kanë sjellë me vete edhe kafshë shtëpiake, dhe e kanë të vështirë të përshtaten sepse bujtina nuk është e destinuar për mysafirë me xhepa më të thellë apo për të jetuar përgjithmonë.
„ kur bëhet fjalë për ushqimin, është shumë më mirë këtu sepse gatuhen ushqime të ngrohta“- thotë Neta. ‘Kur ishim në konvikt, merrnim kryesisht paketa me ushqim te thata, të cilat i merrnim në dhomë“.
70-vjeçarja Neta Brajsha , anëtarja e „Mbretëreshës Teuta“, meqetësinë dhe elegancën e saj, ndriçon me energji pozitive. Deri më tani ka jetuar në qendër të Zagrebit si qiramarrëse e mbrojtur në Kršnjavi 13, pranë hotelit të famshëm Westin.
‘BANESA IME ISHTE MË E DËMTUARA NË PALLAT
„Banesat e tjera nuk ishin aq të dëmtuara…Tërmeti ishte i tmerrshëm, por në atë moment mendova se dikush po më hynte sërish në banesën time si më parë. Kishta statusin e qiramarrësit të mbrojtur, kur disa njerëz të panjohur më kanë grabitur banesën. Tani ata janë bërë pronarë të apartamentit tim, të cilët ndryshojnë vazhdimisht. Ky është i pesti në radhë. I katërti hyri me forcë në banesën time, hoqi derën trekanatëshe të drurit, matësin e gazit dhe fiku rrymën elektrike, të cilat i kam paguar rregullisht për 33 vite. Tani banesa është në emër të dikujt tjetër dhe nuk kam ku të shkoj“-… thotë Neta e shqetësuar.
‘KUR NDJEVA TËRMETIN MENDOVA SE PO HYNË PËRSËRI ME FORCË, DHE U FRIKËSOVA,
Frikë me të cilën jetoj prej vitesh’- shprehet Brajsha.
Ndërtesa ka shenjën e gjelbët, përveç banesës time e cila kishte shenjën portokalli. Tani edhe banesa ime ka shenjën e gjelbërt dhe nuk e kuptoj se si ndodhi…? Kam kërkuar ndihmë nga Qyteti i Zagrebit për ardhjen e inxhinierëve statikë dhe për kryerjen e matjeve, sepse shenja e gjelbërt do të thotë se unë mund të jetoj në banesën time. Për këtë arsye nuk mund të marr banesë zëvendësuese dhe nuk kam ku të shkoj“- shprehet me ankth Neta.
„E GJITHË BANESA ËSHTË E DEVASTUAR, PARKETI DHE DYSHEMEJA PO KALBEN DHE PO SHEMBEN.
Diçka nga sendet e mia personale mbetën në banesë falë derës së hekurt, sepse shumica u vodhën. Nuk kam ku të shkoj edhe pse ligji i Gjykatës Supreme kroate i vitit 2018, mbron qiramarrësit për mos dëbim“ – shprehet zonja 70-vjeçare.
Neta ka një pension prej 2.300 kunash, jeton vetëm, dhe nuk e ka të lehtë në moshën 70-vjeçare të kujdeset për veten. Trembet dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë më vonë, pas largimit të saj nga strehimi në Hostel „Arena“ .
“UNË JAM SHUMË REALE DHE DERI DIKU BESOJ SE DREJTËSIA DO TË MA KTHEJNË TË DREJTËN E QIRASË,
ose do të më ndajë një lloj strehimi që të jetoj e qetë në të. Në këto vite më duhet vetëm qetësia. Nuk është e lehtë të jetosh dy vjet në dhoma të vogla 12-15 metra katrorë , ku ndonjëherë nuk e di se ku janë sendet“- tregon Neta historinë e saj.
„Sipas Biblës, njeriu sundon mbi njeriun në dëm të tij. Shpresojmë se ka mundësi dhe dëshirë për zgjidhjen e të gjithë problemeve në botë. Deri atëherë Zoti i dashur na ndihmoftë të durojmë“,- përfundoi Neta me besim të madh tek Zoti, i cili i jep forcë dhe paqe.
Kështu përfundon historia e një zagrebases me preardhje shqipetare, e cila dikur ka ndihmuar të tjerët, por pas tërmetit, jeton me frikën dhe pasigurinë se për shkak të shkeljes së ligjit nga njerëz të cilët nuk e respektojnë atë, mund të mbetet e pastrehë e pa banesën e saj në moshën 70-vjeçare.
Gazetarët e redaksisë „Ilirija“ pyesin: Çfarë bën komuniteti ynë shqiptar, përfaqësuesit tanë të pakicave kombëtare, të cilët shpenzojnë para për gjithçka, përveç përmirësimit të jetës, standardit dhe statusit të minoritetit tonë? Ku janë qytetarët tanë të Zagrebit, viktima të luftës, tërmeteve dhe fateve të ndryshme jetësore? Ku është përkushtimi, ndërgjegjja, humanizmi, solidariteti dhe ndihma ndaj njerëzve që kanë nevojë ? Sipas informacioneve financiare, komunitetit ynë në Kroaci, viteve te fundit ka vendosur 4 shtatore të humanistes së famshme shqiptare e botërore , shenjtores „Nënë Tereza“, e cila duhet të jetë shembull i humanizmit dhe solidaritetit, veçanërisht tek shqiptarët, bija e të cilit është ajo vetë. . Si shoqëri duket se jemi shumë, shumë larg…










