Në Tiranë, më 21 dhjetor 2019, u mbajt takimi i tretë i Mini-Shengenit, në të cilin morën pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi. Liderët e Kosovës dhe të Bosnjë – Hercegovinës refuzuan pjesëmarrjen në këtë Samit. Kosova nuk ishte pjesë e këtij Samiti, sepse Serbia vazhdon ta kundërshtojë shtetin e Kosovës duke mos e njohur atë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se vendimi për të mos iu bashkuar kësaj nisme, Mini-Shengenit, po e dëmton Kosovën. Me këtë rast, ai deklaroi se Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk mbajti fjalën, duke mos patur si qëllim heqjen e taksës ndaj Serbisë.
Lidhur me iniciativën kryeministri Haradinaj u përgjigj se Kosova nuk ka nevojë për një Mini-Shengen me Serbinë dhe se ai nuk do të marrë pjesë në takime të tilla.
Iniciativën për Mini-Shengenin e kanë kundërshtuar edhe subjekte politike në Shqipëri, Kosovë, dhe ne Diasporë, të cilat vlerësuan se Shqipëria nuk duhej të merrte pjesë në takime të tilla. Për më shumë, njohës të çështjeve politike në Kosovë kanë akuzuar Ramën për tradhti. Ata u shprehën se Mini-Shengeni do ta izolonte Kosovën e do ta fuqizonte Serbinë.
Ndërsa në një intervistë për televizionin boshnjak “O Kanal”, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është shprehur se: “Iniciativat që ndihmojnë bashkëpunimin janë gjithmonë të mirëpritura, por jo për të margjinalizuar dikë ose një vend, duke i dhëne rol protagonist dikujt tjetër”. Sipas tij, Serbia përmes diplomacisë së saj ka arritur që para diplomacisë rajonale të imponohet si shtet nga i cili varet paqja në Evropën Juglindore.