Qëllimi ynë madhor për Kosovën është hyrja e saj në BE, jo si ëndërr, por si plan bashkëpunimi me të gjithë!
Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund t’u hiqet e drejta e marrëdhënieve
vëllazërore. Ato janë legjitime dhe të pamohueshme.
Intervisën e drejtoi: Shenide Bilalli
Ambasadori i ri i Republikës së Kosovës, Gëzim Kasapolli, vjen në Republikën e Kroacisë në vijim të një karriere të suksesshme në politikë e diplomaci. Gjatë dekadës së kaluar, mes të tjerash, ai ka kryer funksione të larta qeveritare pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, në krye të Ministrisë së Integrimit Europian të Kosovës dhe si këshilltar i kryeparlamentarit të Kuvendit të Kosovës
Në ceremoninë zyrtare të organizuar nga Presidenca e Republikës së Kroacisë më 5 tetor 2017 në Zagreb, përfaqësuesi i ri i diplomacisë kosovare në Kroaci Z. Gëzim Kasapolli i dorëzoi letrat kredenciale Presidentes së Republikës së Kroacisë Znj. Kolinda Grabar-Kitaroviq. Me këtë rast, Ambasadori Kasapolli i përcolli Presidentes Grabar-Kitaroviq përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi, duke falenderuar Presidenten për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Kosovës dhe bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy vendeve.
Presidentja Grabar-Kitaroviq theksoi se do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës për fuqizimin e pozitës së Kosovës në rajon, e veçanërisht në proceset euro-atlantike.
Zoti Gëzim Kasapolli është ambasadori i tretë i Republikës së Kosovës që emërohet në Republikën e Kroacisë. Ai është pjesë e politikës në Kosovë që nga viti 2005, pas një përvoje të gjatë në shumë institucione ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi (ICTY), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), Bashkimin Evropian etj. I vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që ka përsipër, si përfaqësues i Republikës së Kosovës, Z. Kasapolli konsideron se mandati i tij do të mundësojë konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe thellimin e bashkëpunimit të dyanshëm. Në mënyrë të veçantë, Ambasadori Kasapolli thekson kontributin e gjatë të komunitetit shqiptar në Kroaci, të cilin e vlerëson si bosht të rëndësishëm gjatë mandatit të tij në katër vitet e ardhshme.
———————————————————–
Iliria: Z. Ambasador, në emër të komunitetit shqiptar në Kroaci, shoqatës “ Mbretëresha TEUTË” dhe revistës “ILIRIA”, ju uroj mirëseardhjen në Kroaci. Ju falënderoj për pritjen dhe intervistën.
Gëzim Kasapolli: Ju falënderoj për ftesën, jam i nderuar të jem me ju sot. Paraprakisht ju përgëzoj për punën tuaj, dhe ju uroj suksese të mëtejshme me revistën “ILIRIA” dhe me shoqatën “Mbretëresha TEUTË”.
Iliria: Si e keni përjetuar Kroacinë?
Gëzim Kasapolli: Raportet e mia me Kroacinë e kanë pikënisjen vite më parë, ku periudha më intensive ka qenë gjatë bashkëpunimit të afërt me institucionet kroate në fushën e integrimit europian në kuadër të punës sime pranë Ministrisë së Integrimit Evropian në Kosovë. Kroacinë e kam përjetuar si vend mik, me memorie të freskët institucionale për sa i përket marrëdhënieve ndërshtetërore dhe integrimit evropian. Nëse arrijmë të implementojmë praktikën kroate dhe të thithim eksperiencën e saj, sa i përket rrugëtimit të Kosovës drejt Bashkimit Europian, atëherë ia kemi arritur qëllimit. Gjatë vizitave të shpeshta në Kroaci kam vendosur kontakte të qëndrueshme dhe komunikim dinjitoz me institucionet kroate, të cilat kanë ofruar ndihmë të pakursyer në proceset integruese të Kosovës. Duke qenë shtet i ri, me institucione të të reja, besoj se kemi mundësinë të përzgjedhim eksperiencat më të mira, dhe Kroacia është vendi më i përshtatshëm për t’u marrë si shembull.
Iliria: A i ka përmbushur Kosova kushtet për pranim në BE?
Gëzim Kasapolli: Vetë BE-ja është një institucion i cili po kalon procesin e maturimit, në kuptim të implementimit të përvojave më të mira të mundshme. Po të bëjmë paralelizëm, nuk mund të krahasohet BE-ja e vitit 2007 me BE-në e vitin 2017 sepse vetë Bashkimi Evropian ka kaluar një proces të komplikuar gjatë krijimit të institucioneve të veta. Se sa i ka plotësuar Kosova kushtet për pranim në BE, kjo duhet parë në prizmin e moshës së shtetit të Kosovës. Në dallim nga shtetet e tjera, në Kosovë po kryhen dy procese në të njëjtën kohë: krijimi i institucioneve që nuk i kemi pasur më parë, dhe procesi i integrimit evropian. Pavarësisht nga fakti se kemi shënuar progres domethënës , ndërlidhja e dy proceseve të mësipërme e ka bërë punën tonë më komplekse. Kosova është në rrugë të mbarë, megjithatë nuk duhet të harrojmë se i gjithë rajoni ballafaqohet me të njëjtat sfida. Nuk mund të them se Kosova ka përparuar më tepër se shumë vende të tjera të BE-së; ajo që mund të them është se ajo është aty, krah për krah me to, megjithë punën që mbetet për t’u kryer. Kosovën nuk mund ta integrojmë në BE si një ishull të vetmuar, ajo është pjesë e Ballkanit Perëndimor, me qëllimet e saja legjitime, duke përqafuar bashkëpunimin me vendet e tjera për t’i treguar BE-së se mund të bashkekzistojmë në një strukturë më të gjerë.
Iliria: Vetë procesi është i ndërlikuar?
Gezim Kasapolli: Me rëndësi është që në Kosovë përqindja më e madhe e qytetarëve kanë një qëllim të qartë, dëshirën për të qenë pjesë e BE-së si mishërim i vlerave të cilat tentojmë t’i ngërthejmë në gjirin e vlerave kombëtare në shoqërine tonë, si e vetmja alternativë për të ardhmen, ndryshe nga disa vende të tjera të Ballkanit. Ne në Kosovë kemi një vizion të qartë për rrugën drejt BE-së, dhe synojmë t’i përshtatemi vlerave evropiane në kushtet e shekullit XXI. Fatkeqësisht, ky nuk është proces i shkurtër, por rrugë e gjatë dhe e mundimshme plot sfida dhe pengesa të paparashikueshme.
Iliria: Si ka ndryshuar gjendja e pakicave në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj?
Gëzim Kasapolli: Kushtetuta jonë thekson se Kosova është vend multietnik, dhe vetë Kushtetuta na obligon të mbrojmë të drejtat e pakicave kombëtare. Sipas Kushtetutës, pakica serbe ka 10 përfaqësues në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nga ana tjetër, vazhdon procesi i dialogut me Serbinë, në kuadër të procesit të integrimit në BE, duke zgjidhur edhe problemet e mbetura barrë nga vitet e mëparshme, krahas problemeve ekzistuese. Ne kemi edhe pakica të tjera, të cilat e kanë dhënë kontributin e tyre në shtetndërtimin e Kosovës.
Sa i përket pakicës kombëtare kroate, së shpejti ajo do të bëhet pjesë e Kuvendit dhe njëjta gjë do të ndodhë edhe për pakicën kombëtare malazeze.
Iliria: A do ta njohë Serbia shtetin e Kosovës?
Kasapolli: Është një përfundim i logjikshëm i dialogut. Sa më shpejt që të pajtohet Serbia me këtë realitet, i cili nuk mund të ndryshohet, aq më të lehtë do ta ketë të qartësojë rrugëtimin e saj në BE. Udhëtimi i saj për qetësi të brendshme dhe paqe me fqinjët më në fund do të rezultojë me arritje pozitive për të gjithë rajonin.
Në momentin kur do të pushojmë së diskutuari nocione gjeografike, do të jetë shumë lehtë si për ne, ashtu edhe për serbët si fqinjët tanë, që bashkërisht të fillojmë rrugën drejt BE-së dhe të ecim drejt këtyre vlerave, për shkak se rajoni nuk mund të mbetet jashtë proceseve madhore, nuk mund të mbetet jashtë zhvillimeve të mëdha ekonomike dhe politike. Duhet t’i japim fund logjikës së luftrave të viteve ’90 si dhe pretendimeve territoriale të atyre viteve, sepse infrastruktura politike e Ballkanit ka ndryshuar. Kosova është një realitet cili nuk mund të ndryshohet më.
Iliria: Kur e prisni njohjen Kosovës nga Serbia?
Gëzim Kasapolli: Sa më shpejt aq më mirë për të gjithë. Në fund duhet të kuptojnë realitetin e vërtetë, sa do që Serbia ka kontribuar me shekuj e dekada drejt ndërtimit të një ideje të rrejshme duke e injektuar atë në mendjen e njerëzve. Sa më shpejt të shkëputen nga këto aspekte historike, aq më mirë do të jetë për të dy vendet.
Iliria: Raportet e mira mes Kosovës dhe Kroacisë janë kultivuar ndër shekuj, por së fundi ka dalë në pah problemi i vizave. Pse?
Gëzim Kasapolli: Problemi i vizave për Kosovën u rrit dhe u shndërrua në problemin e shekullit. Kroacia është një vend evropian dhe si e tillë ajo ka detyrime ndaj BE-së, të cilat ne i kuptojmë. Jo rastësisht me ardhjen time këtu kam nisur përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje. Duhet të kuptojmë se Kroacia, si shtet tashmë pjesë e Bashkimit Evropian, është nën mbikëqyrje nga institucionet e BE-së, dhe Kosova është adresa e cila mbikqyret më mirë, për të treguar që Kroacia mund të hyjë në sistemin e vizave të zonës Shengen. Për këtë arsye edhe ne në Kosovë duhet të kemi durim dhe mirëkuptim. Procesi i heqjes së vizave për shtetasit tanë besoj se është para përfundimit, dhe në momentin e liberalizimit Kroacia do të jetë në paketën Shengen, e ne nuk do të kemi nevojë për viza për Kroaci.
Iliria: A i ka dhënë tradicionalisht ndihmë të madhe Kroacia Kosovës?
Gëzim Kasapolli: Raportet kanë qenë të shkëlqyera jo vetëm me Kosovën, por edhe me komunitetin shqiptar, sado që ka vend për të punuar akoma më shumë. Në një moment, rreth viteve ‘90, Kroacia u largua nga rajoni, dke krijuar distancë me Kosovën, Shqipërinë dhe vendet përreth në aspekt ekonomik. Pavarësisht se Kroacia është vend i BE-së, në një farë mënyre është e nevojshme që ajo t’u kthehet këtyre vendeve, sepse ka potencialin të jetë mbrojtëse e vendeve të Ballkanit që nuk janë pjesë e BE-së, të marrë përgjegjësi morale por edhe të drejpërdrejtë që edhe ato të hyjnë në familjen e madhe të BE-së.
Iliria: Janë nënshkruar shumë marrëveshje ndërmjet ministrive përkatëse. Sa po realizohen ato?
Gëzim Kasapolli: Fatmirësisht kemi hyrë në procedurën për krijimin e komisioneve të përbashkëta ndërmjet Ministrive të Punës të Kosovës dhe Kroacisë mbi çështjen e pensioneve, të cilat do të realizohen së shpejti me një propozim konkret për zgjidhjen e tyre. Ky është vetëm fillimi. Ka edhe shumë çështje të tjera, të cilat duhet të përfshihen e nënshkruhen në paketën e marrëveshjes si puna sezonale, punësimi i stafit akademik dhe i studentëve që vijnë për të studiuar. Ka një gamë të gjerë çështjesh që duhen diskutuar. Duhet të fillojmë të realizojmë hapa konkretë, t’i japim fund diskutimeve politike dhe dashurisë së ndërsjellë platonike, por thjesht të realizojmë dhe të zbatojmë marrëveshjet konkrete. Besoj se viti i ardhshëm do të jetë viti që do të shënojë rikthimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona në konkrete, praktike dhe pragmatike.
Iliria: Sa është e pranishme Kosova në Kroaci, dhe sa jeni të kënaqur me statusin e shqiptarëve në Kroaci?
Gëzim Kasapolli:Integrimi i shqiptarëve në Kroaci është një shembull që duhet të ndiqet edhe nga vendet e tjera. Jam shumë i kënaqur me statusin e tyre, për vetë faktin se ata janë integruar në shoqërinë kroate në mënyrën më të mirë të mundshme. Ky është një sukses i madh. Kosova, fatkeqësisht, nuk është aq sa duhet prezentë në Kroaci, dhe duhet të punohet ende në këtë drejtim. Kroacia u drejtua nga BE-ja, për të qenë nën ombrellën e vendeve evropiane. Vendet e Ballkanit, ku bën pjesë edhe Kosova, u lanë anash. Po punojmë, dhe orientimi ynë i përbashkët është futja e Kosovës në axhendën kroate, jo në mënyrë platonike por praktike. Për këtë çështje komuniteti shqiptar mund të japë kontribut të madh. Nuk kemi nevojë të fillojmë nga e para, duhet vetëm të vazhdojmë punën mbi themelin e shëndoshë të marrëdhënieve ekzistuese mes nesh.
Iliria: Së shpejti do të kemi kroatë në Kuvendin e Kosovës. A mendoni që shqiptarët duhen të kenë vendin e tyre në Parlamentin e Kroacisë si përfaqësues të pakicës shqiptare?
Gëzim Kasapolli: Në Kosovë jetojnë një numër shumë i vogël kroatësh. Fatkeqësisht, shumica e tyre u larguan gjatë viteve 90-të, gjatë regjimit të Millosheviqit. Ata janë të vendosur në dy lokacione të Kosovës, dhe për këtë arsye duhet të bashkëpunojmë për hapjen e mundësive të reja për ta. Kam hasur në Kroaci qytetarë nga Kosova, të cilët janë të kyçur në sferën politike të Kroacisë, dhe ata kanë treguar gadishmëri për të kontribuar dhe ndihmuar pakicën kroate në Kosovë. Ata kanë filluar të bashkëpunojnë me institucionet lokale në Janjevë dhe Letnicë, ku rezultatet do të shihen shumë shpejt.
Iliria: A duhet të ketë pakica shqiptare vendin e saj të përhershëm në Parlamentin e Kroacisë?
Gëzim Kasapolli: Ky vendim varet nga institucionet kroate, por iniciativën duhet ta marrin vetë shqiptarët. Ata duhet të organizohen dhe të tregojnë qartë statusin e tyre, gjithmonë duke u mbështetur nga Kosova dhe Shqipëria. Është çështje e brendshme e shtetit kroat, dhe ne nuk mund të ndërhyjmë për shkak se pakica shqiptare është e pjekur dhe e di se çfarë kërkon dhe në cilin moment. Për ta arritur një gjë të tillë uniteti i komunitetit duhet të jetë i qëndrueshëm, sepse pa të nuk ka përparim në asnjë drejtim.
Iliria: Sa mendoni se e kanë treguar veten shqiptarët në Kroaci?
Gëzim Kasapolli: I gjithë komuniteti shqiptar, qoftë nga Shqipëria apo Kosova, e ka treguar gaditshmërinë dhe vullnetin si qytetarë të devotshëm të Kroacisë. Është një vlerë e cila duhet respektuar. Ata kanë qenë gjithmonë të gatshëm të punojnë dhe të japin kontribut në shoqërinë kroate, duke filluar nga pjesmarrja në luftën në Kroaci, në formimin e shtetit të Kroacisë, mbrojtjen dhe forcimin e tij, e më vonë duke kontribuar edhe në rrafshe tjera të shoqërisë.
Iliria: A kemi hyrë në një fazë të re tani, si pakicë?
Gëzim Kasapolli: Vetë komuniteti shqiptar e ka të qartë se ka hyrë në fazën e re të ngritjes së vetëdijes kolektive, në të cilën janë të rëndësishme raportet tona të mira me Kroacinë, por njëkohësisht edhe njohja e mundësive dhe potencialit që ne kemi si komunitet. Ky është një rekomandim që do ta përcjell edhe në Kosovë e kudo që shkoj. Do të përpiqem që të investohet sa më shumë në edukim dhe arsimim, duke u dhënë përparësi proceseve drejtuese. Çdo fazë zhvillimi, si në aspektin shoqëror ashtu edhe social, duhet të ekzistojë në te gjitha nivelet të cilat mbartin barrën e këtyre proceseve, barrë e cila nuk duhet të mbartet nga një person i vetëm. Kam vërejtur potencial të madh tek gjenerata e dytë, e cila duhet të përfshihet sa më shumë në ndërtimin e konceptit të përgjithshëm dhe kërkesave.
Iliria: Gjatë vitit 2014 pati një valë të madhe shpërnguljesh nga Kosova. Cili qe shkaku i këtyre lëvizjeve? A ka ende qytetarë që synojnë të largohen nga vendi?
Gëzim Kasapolli: Liberalizimi i vizave është një nga problemet kryesore me të cilin jemi përballur gjatë këtyre viteve. Fatkeqësisht, në këtë proces të padrejtë janë duke u mbajtur të bllokuar 1.7 milion njerëz në shekullin e 21-të në Evropë. Largimi i fundit i azilkërkuesve ka ndodhur si rezultat i një keqkuptimi, si rezultat i bllokimit të proceseve të integrimit, liberalizimit të vizave, si dhe tendencave dashakeqe të fqinjëve tanë. Në vitin 2013 shteti i Kosovës nënshkroi një marrëveshje me Serbinë, për kalimin e lirë të qytetarëve. Shumica e tyre në atë kohë keqpërdorën lëvizjen e lirë me shtetin e Serbisë për kalim ilegal të kufirit me Hungarinë. Ishte një plan i kurdisur për të treguar se shteti i Kosovës nuk ka stabilitet. Por, për fatin tonë, ne e ndaluam shumë shpejt valën e madhe të migrimit. Gjithashtu dëshmuam se jemi në gjendje të kontrollojmë kufirin, dhe kemi pjekurinë tonë për hyrjen në proces. Por fatkeqësisht BE-ja na ka ngarkuar dyfshin e kushteve që kanë vendet e tjera. Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, kur filluan procesin e liberalizimit të vizave, kanë pasur rreth 47 – 49 kushte për të plotësuar, ndërsa ne kemi 101 kushte.
Iliria: Bashkimi Europian u tregua më i kujdesshëm me Kosovën?
Gëzim Kasapolli: Shumë “i kujdesshëm”. Besoj se na kanë penalizuar për shkak të gabimeve që kanë bërë të tjerët para nesh. Megjithatë rrugëtimi ynë drejt BE-së vazhdon. Vitin e ardhshëm do të përfundojë procesi i demarkacionit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, dhe mund të marrim dritën jeshile për liberalizimin e sistemit të vizave. Kjo është mundësia më e mirë që qytetarët tanë të lëvizin pa viza e të shohin se si të tjerët jetojnë përtej Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. E vetmja gjë e qartë është se Bashkimi Evropian duhet t’i hapë dyert Kosovës, sepse rreth 60% e popullsisë është nën moshën 25 vjeçare. Vështirë të mbahet dhe kontrollohet e gjithë kjo rini, duke i gënjyer se po ia plotësojmë ëndrrat. Ajo që ne duhet të kryejmë nuk është ëndërr por plan që duhet përshëndetur dhe realizuar në bashkëpunim me të tjerët.
Iliria: Ekziston frika se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në Shqipërinë e Madhe.
Gëzim Kasapolli: Tezë e armiqve tanë. Ajo vjen nga shekulli i 19-të, dhe bazën e ka nga shtetet nacionaliste. E kemi thënë se bashkimi do të ndodhë por në BE ku kemi interesa të përbashkëta. Pavarësisht nga kjo, Shqipërisë dhe Kosovës nuk mund t’u hiqet e drejta e marrëdhënieve vëllazërore, një gjë e tillë nuk mund të mohohet sepse është legjitime. Kemi dy vende që funksionojnë si shtete të konsoliduara, dhe të tilla janë edhe marrëdhëniet ndërmjet nesh.
Iliria: Është nënshkruar një kontratë bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Mos është kjo kontratë një bashkim administratash?
Gezim Kasapolli:Veçanërisht në 4 vitet e fundit, kemi mbajtur mbledhje të përbashkëta ndërmjet dy qeverive ku janë nënshkruar marrëveshje mbi bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë, si dëshmi bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve që duan të jenë pjesë e BE-së. Shqipëria dhe Kosova mund të kompletojnë njëra-tjetrën, të ndihmojnë njëra-tjetrën për të pasur marrëdhënie të mira edhe me vendet e tjera si Maqedonia dhe Mali i Zi. Bashkimi i kombit do të kryhet kur të jemi pjesë e BE-së, e kur të jemi në gjendje të ndërtojmë paqen dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, sepse shumë kemi pësuar prej tendencave megallomane.
Iliria: Si diplomat i ri në rolin e Ambasadorit të Republikës së Kosovës , çfarë misioni dëshironi të realizoni në Kroaci?
Gëzim Kasapolli: Kroacia ka memorie të freskët institucionale sa u përket integrimeve evropiane. Ky është fokusi dhe misioni im i parë, të merret kjo përvojë dhe të zbatohet në Kosovë, me dëshirën për shkurtimin e rrugëtimit tonë drejt BE-së. Kemi nënshkruar marrëveshjen për stabilizim-asociim dhe tani jemi në fazën e zbatimit saj. Hapi i ardhshëm do të jetë aplikimi për anëtarësim në BE, ku Kroacia do të jetë shembull i mirë si dhe mbështetëse e rëndësishme e Kosovës.
Pjesa e dytë ka të bëjë me procesin e diplomacisë ekonomike, e cila për mua është prioritet. Ne do të mbështesim kauzën tonë që Kroacia të kthehet gradualisht në tregun e Kosovës dhe të jetë dera jonë e parë drejt vendeve evropiane, duke u fokusuar në aspektin ekonomik.
Në pjesën e tretë, nëpërmjet Kroacisë do të ngremë lart zërin e Kosovës deri në institucionet e BE-së, duke mos harruar marrëdhëniet me vendet fqinje.
Qëllimi ynë është respektimi i marrëdhënieve strategjike ndërmjet dy vendeve, duke nderuar vlerat e të dyja shteteve dhe duke synuar përfitimin e ndërsjellë në fushat kulturore, akademike, arsimore, ekonomike dhe politike. Në këtë mënyrë do të forcojmë marrëdhëniet tona të dyanshme, gjë e cila do t’i shërbejë mirëqenies së përbashkët dhe përparimit të gjithanshëm.