Përgatiti: Jeton Musliu
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten në Beograd, kritikoi ashpër vendet e Quint-it për qëndrimin e tyre, se ato do t`i konsiderojnë si legjitime rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, edhe pse përfaqësuesit e pakicës serbe, nuk do të marrin pjesë.
Vuçiq tha për mediat në Beograd, të cilave u referohet radio “Evropa e Lirë” në gjuhën serbe, se vendet e Quint-it (SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia) “këtë e bëjnë së bashku sepse duhet të mbështesin të ashtuquajturën Kosovë dhe ta thyejnë Serbinë”, me vlerësimin se është “ky është qëllimi i vetëm dhe përfundimtar”.
“Kjo është gjëja më e neveritshme dhe më e korruptuar që mund të bëjnë. Turp për të gjithë bashkë! I gjithë Quint-i, të gjithë ata janë gënjeshtarë! Ndoshta do të më thyejnë mua, por nuk do t’i lë ta thyejnë Serbinë”, tha Vuçiq.
Ai tha se qëllimi i Quint-it është të parandalojë formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, që është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit nga viti 2013.
“Quint-i po e bën këtë sepse kur më 2 maj dikush nga ekipi menaxhues serb të prezantojë draftin e Statutit, (kryeministri i Kosovës Albin) Kurti do të thotë se e pranon, por që nuk ka komuna serbe në veri të Kosovës që të duan të anëtarësohen në këtë Bashkësi, sepse ata do të “jenë kryetarë të Kurtit në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”.
Ai tha se 23 prilli, kur do të mbahen zgjedhjet në katër komuna në veri të Kosovës, do të jetë një “ditë e tmerrshme” për demokracinë dhe një “ditë e vështirë” për popullin serb.
Ai ka thënë se në tri komunat më të mëdha në veri të Kosovës (Mitrovicës Veriore, Zubin Potok dhe Leposaviq) nuk do të ketë kandidatë serbë, por vetëm kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit dhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila drejtohej nga Hashim Thaçi.
“Nga 15 mijë banorë në Leposaviq, 300 shqiptarë janë të regjistruar në regjistrin zgjedhor, që është dy për qind. Pjesëmarrja në asnjë komunë nuk do të jetë më e madhe se tre apo katër për qind. Do të jetë një ditë kur turpi i Evropës dhe botës do të shënohet zyrtarisht për atë se çfarë organizuan, çfarë mirëpresin dhe çfarë bëjnë”, tha Vuçiq.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës do të mbahen më 23 prill.
(Marrë nga Radio Evropa e Lirë, seksioni në gjuhën serbe. Titulli në origjinal: Vuçiq kritikoi ashpër vendet e Quint-it për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës)