Reportazh mbi punëtorët nga Kosova që punojnë në Kroaci

Reportazh mbi punëtorët nga Kosova që punojnë në Kroaci

Nga: Željka Stipošek dhe Shenida Bilalli

Pas tërmetit në Zagreb dhe në qytetet e tjera të Kroacisë, kantieret e ndërtimit u shtuan shumë. Që në mëngjes, dëgjohen tingujt e çekanëve, gërmuesve … punimeve, si dhe shihen siluetat e punëtorëve në ndërtesat e larta dhe të dëmtuara nga tërmeti. Fakti është se në Kroaci, ndërtimi tërheq shumë punëtorë të huaj, të cilët  duhet të kenë të njëjtat kushte pune si punëtorët vendas. Nevoja për punëtorë të huaj  në Kroaci u shfaq pasi fillouan rindërtimet në Zagreb dhe në zonën e Petrinjës, Glinës dhe Sisakut, shaktuar nga tërmetet e vitit të kaluar.

Kërkesat më të shumta janë në ndërtimtari. Profesioni i ndërtimit kërkon njohuri cilësore, ku përvoja dhe edukimi shkollor janë shumë të rëndësishme. Në mungesë të punëtorëve vendas, fuqia punëtore e huaj importohet.

Sipas Ministrisë së Brendshme, lejet e punës të lëshuara deri tani në Kroaci, janë për profesionet kryesish të ndërtimtarisë – muratorë, marangozë, punëtorë ndërtimi, punëtorë të armatimit, fasadë. Të gjitha këto profesione janë në listën e atyre me mangësi.

 Gjatë vitit 2020, Ministria e Brendshme lëshoi ​​gjithsej 79,284 leje qëndrimi dhe pune, nga të cilat 71,907 leje pune dhe 7,377 leje qëndrimi jashtë kuotës. Ndërtimi kryesonte me 39,640 të huaj. Pjesa më e madhe e fuqisë punëtore të ndërtimit vjen nga Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Ekipi i revistës “ Ilira“ vizitoi kantierin ku janë punësuar punëtorë shqiptarë nga Kosova. Atje biseduam me menaxherin shqipatar , Nazif Krasniqin, 55 vjeç, nga Malisheva e Kosovës, me 33 vite përvojë pune, i cili punon në Kroaci prej 3 vitesh.

Para luftës ka punuar në Zagreb deri në vitin 1991. Më pas u kthye në Kosovë, por për shkak të situatës së vështirë politike dhe regjimit të Millosheviçit iu desh të largohej nga Kosova dhe të shkonte në Gjermani, sepse policia vazhdonte të kërkonte armë në shtëpi e tij, me akuzën se ka qëlluar me të, kërkesë që nuk kishin asnjë lidhje me realitetin.

-U largova nga Kosova, lashë familjen dhe punova në Gjermani për 5 vjet. Kur filloi lufta në Jugosllavi  nuk mund të kthehesha më në Kosovë, dhe mbeta në Gjermani  si i vetëpunësuar në ndërtimin e objekteve.

Nazif Krasniqi ndërton vetëm ndërtesa të mëdha 12 katëshe, por edhe më të vogla deri në 5 kate. Deri tani ka ndërtuar një numër të madh ndërtesash të tilla, ndërsa në Kroaci ka ndërtuar 16 ndërtesa me 5 kate.

Kompania e Nazif Krasniqit quhet “Lami” dhe në Kosovë ka një reputacion shumë të mirë si një kompani e sukseshme. Ata erdhën në Kroaci me ftesë të kompanive kroate dhe punojnë si nënkontraktorë, sepse të huajt nuk kanë të drejtë të punojnë të pavarur, ndërsa në Kosovë, të gjithë punën e kryejmë vetë, nga fillimi deri në fund“, thotë Nazifi.

-Ne nuk kemi të drejtë për të drejtuar të gjithë biznesin, në fakt jemi dora e dyte e punëtorëve, sepse e gjithë puna është kryer nga ndërmarrjet kroate të drejtuara nga udhëheqësit kroatë. Nënkontraktorët nuk punojnë me orë, por me metër katror. Fitimet janë më të mira se në Kosovë, – thotë Nazifi.

Si u angazhuat në punë?

 -Ne nuk kërkojmë kurrë punë! Ata na kërkojnë dhe na ofrojnë  punë duke na pritur me muaj, madje nuk mund ti pranojmë të gjitha ofertat. Pas tërmetit në Kroaci, kërkesa është rritur ndjeshëm dhe shumë punëtorë vinë nga Kosova. Do të ishte mirë të përfshiheshin Ambasadat e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në mënyrë që të ekzaminohen kompanitë që kërkojnë punëtorë dhe të na ndihmojnë me dokumentacionin për marrjen më të shpejtë të lejes të punës. Po ashtu nuk kemi informacion sa para marrin tenderët kroatë, edhe pse ne i kryejmë të gjitha punët- rrëfen Nazifi.

-Unë jam në kontakt me shumë njerëz që punojnë, por tenderat drejtohen nga Kroacia, ku kompanitë kroate kontaktojnë kompani të tjera dhe ua ndajnë punën nënkontraktuesve. Nganjëherë jemi të vetëdijshëm që punojmë shumë më lirë, por çfarë të bëjmë! Jeta nuk është e lehtë për ne në Kroaci, sepse kemi kosto të lartë dhe jeta është e shtrenjtë. Paguajmë deri në 1000 euro për një apartament duke paguar vetë ushqimin dhe sigurimin.

Dokumentacioni dhe sigurimi

Nazifi thotë se ata punojnë ekskluzivisht me leje dhe paguajnë të gjitha sigurimet vetë për kompaninë, dhe si nënkontraktorë duhet të marrin përsipër të gjitha kostot, si pensioni, sigurimin dhe gjithçka tjetër që nevojitet.

Punoj me 6-7 punëtorë,  i kontrolloj ata dhe jam më i qetë

– Ne brenda dy muajve përfundojmë një ndërtesë 5-katëshe, por po të kishte një marrëveshje ndërmjet dy shteteve, do të ishte më e lehtë për ne, por edhe punëtorët do të ishin më të mbrojtur. Dy vjet më parë,  lejen e punës dhe punën i merrje dhe i gjeje më lehtë. Tani kushtet janë vështirësuar sepse kërkohet shkolla e kryer, dëshmi që je i padënuar  dhe kushte të tjera për të kaluar kufirin shtetëror- thotë Nazifi.

Në itinerarin Zagreb-Prishtinë, autobusët janë plot me të rinj që vijnë për punë, por shumë prej tyre i kthejnë në kufi, sepse dokumentacioni nuk është i saktë nga ata që i ftojnë. Ndodhte shpesh dhe ndosh akoma që disa kompani të rreme nga Kroacia dhe Kosova, në bashkëpunim, mashtrojnë personat duke u marrë secilit nga 1.500,00 euro për vendin e punës në Kroaci. Kjo ka ndoshur tre vjet më parë.

-Për shkak të papunësisë në Kosovë, një numër i madh i të rinjve shqiptarë vijnë për të punuar në Kroaci dhe në të gjithë Evropën. Por gjithashtu ndodh që disa njerëz i mashtrojnë. Unë personalisht kam hasur kryesisht në njerëz shumë të ndershëm, por duhet të keni shumë kujdes me kë punoni.

Në fillim marrim një pjesë të parave, e kur mbarojmë punën marrim pjsën tjetër.

-Ky është premtimi dhe këtë presim pas mbarimit të punës. Por ndodh që disa të  na mashtrojnë dhe nuk na paguajnë për punën që kemi bërë. Ata nuk i përmbahen marrëveshjes ose kontratës së premtuar e të nënshkruar. Duhet pasur shumë kujdes,- theksoi ndërtuesi.

-Përvoja ime e pakëndëshme…

 -Pasi mbaruam ndërtesën, pronari nuk na pagoi pjesën e mbetur, dhe nuk kisha mundësi ti paditja ose ti raportoja. Në punën e parë drejtori na mbeti borxh 11.500,00 euro. Pronari vdiq, dhe menaxheri nuk na i pagoi paratë megjithëse na premtoi se -Nëse është e nevojshme, unë do t’ju paguaj nga paratë e mia. Por asgjë, ne nuk i morëm paratë për  7-të punëtorë të cilët punuan për dy muaj të plotë, nga mëngjesi herët 07:00 deri në 21:00 natën vonë. E kalojmë ditën me një sanduiç dhe kur kthehemi në shtëpi jemi të teper të lodhur. Nuk e di se si ata nuk i frikësohen Zotit, kur shikojnë përpjekjet dhe djersën tonë në punë. Njerëz të tillë njollosin fytyrën e njerëzve të ndershëm,- vazhdoj Nazifi  ….

-Udhëtojmë 1200 kilometra për të fituar diçka,  duke lënë familjet në Kosovë, për të kryer punët më të vështira dhe më të rrezikshme, veçanërisht pas tërmetit, në dëborë, shi, diell dhe temperatura shumë të larta, dhe në fund të fundit nuk na paguajnë. Turp… turp i madh! Nuk është profesionale dhe njerëzore – tha  ndërtuesi i zhgënjyer me përvojë të gjatë pune.

Nazif Krasniqi punon me tre djemtë e tij, Islamin 28, Elvis 24 dhe Simonin 19. Të gjithë fëmijët e tij janë të shkolluar. Djali i madh, Islami, i cili punon në  kompani si përgjegjës, është shumë punëtor dhe plot ide. Ai ka mbarur shkollën e mesme dhe i mbetën tre provime për të diplomuar në arkitekturë. Djali i dytë, Elvisi, përfundoi Marketing dhe Menaxhim Biznesi në Kosovë, ndërsa djali  i tretë, Simoni, nuk i ka filluar filloi studimet për shkak të koronës. Beson se do të regjistrohet vitin e ardhshëm.

Nazif Krasniqi thotë se ishte kryesisht dëshira e tyre për të më ndihmuar dhe për të fituar diçka. Arsimi është i shtrenjtë, dhe ata fitojnë diçka nga puna e kryer.

-Ne jetojmë së bashku në një shtëpi dhe është më mirë të punoj me djemtë se sa me të huajt.  Përveç kësaj unë i kontrolloj dhe mësoj ata që të mos përdoren dhe mashtrohen nga të tjerët, raste të shumta në zanatin tim.

Ndonjëherë ndihem fajtor që i solla në këtë punë, në të nxehtë, të vështirë dhe të rrezikshme.

Punojnë gjithë ditën në temperatura të larta, në ndërtesa shumë të ndjeshme. Jam plot frikë se mos u ndodhë diçka. Ata nuk dalin askund, ndërsa bashkëmoshatarët e tyre argëtohen … Të dashurat dhe familjet e tyre janë poshtë, Simoni është i fejuar në Kosovë ndërsa Islami është i martuar dhe gruaja e tij punon si dentiste.

Nuk kanë  rini! E fillojnë punën herët në mëngjes..

Të tre djemtë punojnë me babanë e tyre, Nazifin, një muaj, pastaj largohen për në Kosovë për një javë, e pastaj kthehen përsëri në Kroaci. E kështu thotë Nazif Krasniqi për tre vjet rresht, të tre djemtë nuk kanë rini, disko apo argëtim, por vetëm punë që herët në mëngjes. Ngjarja kryesore e argëtimit të tyre eshtë ndekja e ndeshjes së futbollit në TV.

Në ndërtesën ku punojnë, banuesit na japin plot lavdërime

– Djemtë janë të artë,- tha një zonjë që banon në ndërtesën ku punojmë, -unë për një kohë të gjatë nuk kam parë fëmijë kaq të sjellshëm, të qetë, punëtorë dhe të shpejtë. Sjellje e tillë, kultura dhe respekti për banorët, janë pasqyrim i edukimit të mirë në familje, në këtë rast të shqiptarëve nga Kosova. Urime të sinqerta!

Mjeshtri Nazif, babai i të rinjve, u bashkua në bisedë dhe shtoi:

– Zonjë, sjellja jonë është kultura e njerëzve tanë dhe familjeve tona. Ne jemi Ambasadorët e vendit tonë, Ambasadorët e vërtetë të popullit shqiptar,- e  duke qeshur përfundoi:

 – Gjëja më e rëndësishme është të respektojmë punën, kontratat dhe njerëzit për të cilët punojmë duhet të mbeten të kënaqur, sepse kjo hap derën për punë në të ardhmen.

Në fund të kësaj historie, ndërtuesi  dëshiroi ti rrëfente diçka të rinjve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke i udhëzuar që të mos shkonin të punonin në botë, pa u siguruar për vendin e punës dhe kompanitë , sepse shumë të tilla sot janë të rreme dhe nuk kontrrollohen nga shteti. Unë kam ardhur me ftesë të kolegëve të mi, të cilët i njihja më parë dhe mirë, përndryshe nuk do të kisha ardhur. Tani, ngadalë po mendoj për kthimin në Kosovë, sepse kemi punë për të bërë dhe ka shumë shqiptarë në botë që po kthehen dhe po ndërtojnë Kosovën. Do të ishte më e sigurt për të gjithë punëtorët nga Kosova, që të bashkëpunojnë me Ambasadën e Kosovës në Kroaci, për të qënë të gjithë më të sigurtë dhe të kënaqur.

Screenshot_10
Screenshot_7
Screenshot_8
Screenshot_9
Screenshot_11
Screenshot_12
Screenshot_13
Screenshot_14
Screenshot_15
Screenshot_16
Screenshot_17
Screenshot_18
Screenshot_19
Screenshot_20
Screenshot_22
Screenshot_23
Screenshot_9
previous arrow
next arrow