Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës
24 Prill 2023
Një viti pas kërkesës së Prishtinës Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës miratoi kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm, në të cilin bëjnë pjesë 46 vende.
Fotografi: Dominique Boutin/Sputnik/picture alliance
Dy të tretat e anëtarëve në Komitetit Ministror votuan pro anëtarësimit të Kosovës. Komiteti Ministror i Këshillit e dërgoi tani kërkesën e Kosovës për anëtarësim për diskutim dhe votim në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Në një njoftim, thuhet se vendimi mori parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
Nëse kërkesa e Kosovës mbështetet në Asamblenë e Përgjithshme nga dy të tretat e vendeve anëtare, atëherë i rekomandohet Komitetit të Ministrave që t’i bëjë ftesë Kosovës të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se “vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta, më të rëndësishmin pas pavarësisë së Kosovës’, duke theksuar se procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës “është i gjatë dhe plot sfida”.
Proces i gjatë dhe plot sfida
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se votimi i sotëm për ta avancuar aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës drejt Asamblesë Parlamentare nuk është vetëm ditë e mirë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë, por edhe moment i rëndësishëm për gjithë Evropën.
Vjosa Osmani
“Ky është një hap përpara për Kosovën dhe qytetarët e saj, jo vetëm sa i përket integrimit ndërkombëtar të vendit tonë, por mbi të gjitha për avancimin e gjendjes së të drejtave të njeriut, për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”, tha Vjosa Osmani. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kumtoi se “shteti ynë do të jetë një vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë”.
Serbia do të votojë kundër
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, e themeluar në vitin 1949. Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 pak kohë pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë, pas agresionit në Ukrainë. Serbia vazhdon ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë dhe Presidenti Aleksandër Vuҫiq tha se Serbia do të votojë kundër.