Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho

0
410
Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho
Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho

Rafaela Prifti

Ju keni një karrierë 40 vjeçare në profesionin e fotografit. Në cilën prej katër dekadave të punës do donit të riktheheshit, ose cilën periudhë kohe do donit ta vizitonit, por tashmë me bagazhin e njohurive që keni sot?

Jeta e një fotografi është interesante sepse gjithmonë njihet me vende, kultura e njerëz të ndryshëm. Unë isha njeri me biografi jo të mirë dhe në vitet 90 isha i punësuar si fotograf te revista Ylli. Shërbimet e punës i kryeja me anë të një motori që ishte diçka e rrallë në Shqipërinë e asaj kohe. Nga ana profesionale, gjërat më interesante që i ndjenim të gjithë shumë ishin ndryshimi dhe lëvizjet e viteve ‘90, ‘91 dhe ‘92, kur rinia dhe populli prisnin të ndodhnin ndryshime, atëherë kur kishte entuziazëm dhe kur ke një aparat në dorë, i ndjen këto në formë edhe më intensive. Pas viteve 2000 situata filloi të përmirësohej. Unë pata fituar dy bursa jashtë ku mu dha mundësia të shoh si mendohet apo edhe si lëvizet si fotograf, pra nisa të mendoj si fotograf jo thjesht të fotografoja. Kështu, lindën një pas një, cikle të projekteve si ai i diasporës shqiptare, karrigia për shkrimtarët, të huajt me kostume popullore shqiptare e të tjera. Duke kthyer kokën pas mendoj se tek unë vërehet serioziteti i punës sime dhe atë që në profesionin tonë e quajmë gjetje fotografike. Këto gjetje më kanë dhënë dorë dhe më kanë nxjerrë më në pah.

E kini ditur gjithmonë se do bëheshit fotograf? Ju e kini mësuar zanatin më shumë si autodidakt apo jo? Keni menduar ndonjëherë se çfarë do të krijonit po të mos kishit pasur pasionin për fotografinë?

Kur kam filluar punë në vitin 1982. Nuk kishte të bënte shumë pëlqimi i profesionit. Dhe unë nuk kisha lidhje familjare me zanatin. Kur shkoja te zyrat e punës në Tiranë që kanë qenë aty te Selvia në lagjen tonë nuk kisha ndonjë ide të caktuar për punë. Kisha një kushëri operator dhe ishte diçka që më dukej me interes. Por pasi kisha shkuar disa herë me radhë, një ditë përfaqësuesja e zyrës së punës më tha se do më gjente një vend pune si fotograf. Ky ishte zanat i këndshëm dhe nga ana tjetër mund të ishte hapur vend fjala vjen për mekanik, elektricist. Kështu e fillova punën e fotografit por e mora me seriozitet dhe pastaj u dashuruam me njëri tjetrin, unë dhe profesioni.

Kur thatë se kishit motor dhe se keni punuar te revista Ylli, a mund t’i shpjegoni këto dy referenca për brezin e sotëm? Ç’do të thotë të kishe motor në vitet ‘80 në Shqipëri dhe diçka për revistën Ylli. Këtu mund të përmend, se babai im ka punuar në redaksinë e saj, disa vite para jush.

Babai juaj ka pasur pjesë në formimin tim. Për mua libri Cikua dhe Beni ishte pjesë e fëmijërisë sime. Fshati i babait tuaj Rehova e Kolonjës ishte edhe fshati ku u rrit gjyshja ime nga ana e mamasë, Vangjeli (Thoma) Ndreka, përpara se të martohej në Vodicë. Ndonëse libri ishte shkruar për një kohë tjetër, unë mbaj mend sekuenca të tëra prej tij sot e kësaj dite si psh vendi ku i mbante gjyshja sheqerkat, parakalimi para vajzave të fshatit me gomar etj. Ndërsa për pjesën e motorit, duhet thënë se të kishe motor në vitin 1987 ishte ngjarje në Tiranë. Për ta kuptuar këtë them se është njësoj si të dalësh sot në Tiranë me Ferrari. Madje njerëzit ndalonin në rrugë se motori ishte edhe i bukur por unë mbaja skafandër dhe shumë vetë më njihnin nga targa e motorit, prandaj pyesnin: Kush është ky 1031?

A dihet se ku është motori sot?

Motori ishte “i shtetit” pra më ishte dhënë nga revista. Pas viteve ‘91 revista u mbyll, motorin e dorëzova dhe ato të gjitha ishin pjesë e peripecive të atyre viteve.

Pas punësimit te revista Ylli ju dolët në profesion të lirë?

Po dola në profesion të lirë dhe revista u mbyll. Ishte një moment zhgënjimi por duke punuar me agjencitë e huaja kuptova se fotografë të mirë të AFP-së, Reuters-it etj largoheshin nga puna. Kur pyesnim ku është filani, na thoshin “Ka dal freelance.” Atëherë e kuptova se kjo funksionon në profesionin tonë. Më pas hapa një ekspozitë me ngjarjet e ‘90 dhe ‘91. Kjo më dha kënaqësi sepse pas hapjes në Tiranë dalja në perëndim dhe në vende të tjera si Itali, Belgjikë, Gjermani ishte një përrallë për mua. Përveç pamjeve që shikonim në TV, ne atëherë ishim të padalë. Me këtë rast provova një kënaqësi të veçantë profesionale. 

Për ngjarjet e fillimit të viteve ‘90 ju ishit edhe dëshmitar, edhe fotograf. Po kështu edhe më pas në etapa të tjera të kohës. A e kanë formatuar këto karrierën tuaj dhe si jeni përgjigjur ju momenteve të tilla?

Po, kam ecur shkallë shkallë. Nga një punëtor në laborator në ndërmarrjen komunale ku laja fotografitë tek reporter në revistë, te reportazhet entuziaste të lëvizjes së ‘90, siç e dimë, dhe pastaj te projekte, që janë një stad tjetër, si për shembull, portreti. Unë fitova edhe dy bursa në Paris. Këto janë momente të mira në profesion. Shkrimtarët si babanë tuaj, Kadarenë, Shvarcin unë i shikoja si të paarritshëm. Ne e kishim shtëpinë aty te zyrat e gazetës Zëri i Popullit dhe mbaj mend se mamaja më tregonte kur shihte ndonjë prej tyre të kalonte aty: ‘Ky është shkrimtari i madh Petro Marko!’ e kështu për të tjerët. Por kur mu dha rasti t’i fotografoj, lidha edhe një farë miqësije me disa prej tyre, dhe takoheshim herë pas here. Këto janë pra edhe kënaqësitë e profesionit.

Si ka evoluar fotografia juaj nga një dekadë në tjetrën? A kaluat te portreti si shprehje e artit tuaj fotografik në pjesën tjetër të karrierës dhe në vazhdim?

Është njësoj siç rritet njeriu, shkallë shkallë. Në fillim mund të pëlqej peizazhi, perëndimi ndërsa sot ato të duken pak a shumë vulgare, pra ka shkallët e rritjes edhe profesioni. Portreti është shumë interesant por më interesante sesa zhanret e fotografisë është gjetja e një ideje pra një koncept. Projektin e kristalizon vetë pastaj këshillohesh me familjen dhe miqtë e fushës, e shkruan bukur dhe e paraqet psh te ambasadat, meqë unë jam marrë me ato, të cilat e pranojnë dhe miratojnë. Unë këto projekte i kam edhe si fëmi meqenëse përfshijnë një kohë nëntë mujore, pra nga janari fillon parashtrimi i projektit, në muajt shkurt-mars miratohet buxheti dhe nga shtator-tetori unë dorëzoj projektin. Ky është ritmi i disa punimeve të miat që më ka ngjitur. Një pikë e rëndësishme është edhe arkivi. Duke pasur një arkiv shumëvjeçar aty mund të ketë material të bollshëm, për gjetjen e idesë siç ndodhi me projektin e vajzave të ikura. Ekspozita, e cila u hap para 6 apo 7 viteve, u prit mirë në Tiranë. Një pjesë nga ato foto ishin të kërkuara nga koha e punës në revistë kur duhej bërë një shkrim për një talent psh një soprano apo mjeke e re që luan edhe në film, si rasti i Anisa Markajanit. Kur fillova të merrem me diasporën shqiptare dhe shikoj se kam gjithato fotografi më lindi ideja që më çoi t’i ritakoj ato dhe ndodhi që t’i gjej në profesionet e tyre si Inva Mula, Anisa Markajani dhe me radhë.

E përbashkëta e qindra e mijra fotografive të subjekteve të fotografuara në kohë dhe vende të ndryshme jeni ju, sepse secili subjekt ka qëndruar para lentes së aparatit tuaj dhe është fotografuar nga ju. Çdo foto e juaja “flet” për subjektin po aq sa “flet” edhe për ju. Këndi i aparatit mund të ndryshojë, teknika e fotografimit edhe teknologjia por syri i fotografit është ai që është. Si e përjetoni ju raportin me krijimet tuaja dhe si e përcillni atë te shikuesi?

Kur punoja librin Qëndresa për shqiptarët e Kosovës me fotografi nga kampet ku erdhën shqiptarët, në parathënien e librit Ambasadori i misionit evropian Michel Berreti shprehu idenë se nëpërmjet fotografisë pasqyrohet vetja. Kjo mund të thuhet për fotografinë si edhe për portretin. Po marr si shembull foton e babait tuaj ku unë kam dashur të jap Naum Priftin por edhe portretin e autorit të librit Cikua dhe Beni, e me radhë. Të gjithë shikojnë fotografinëpor ka shumë përtej saj.

Cilët kanë qenë fotografët që keni admiruar dhe i admironi?

Kam parë fotografë të mirë por nuk kam imituar asnjë. Mendoj se fotografia është diçka e brendshme po e pate të ndjerë dhe e do, duket, përndryshe stonon. Nuk mësohet në shkolla. Kërkon sakrificën e vet. Shembulli i portreteve të shkrimtarëve është shumë i mirë se shkrimtarët edhe sot më thonë se ai është portreti më i mirë që kanë. Kjo ndodh ngaqë aty është punuar. Pra, parapërgatitja dhe thyerja e barrierës me subjektin dhe fotografin është po aq e rëndësishme sa edhe fotografia. Me kalimin e kohës syri mësohet të shikojë dritën, të dalloj kompozimin dhe të shoh edhe shumë elemente të tjera. Dikur një fotograf italian më thoshte se fotograf bëhesh atëherë kur i shikon të gjitha sikur të jesh prapa lentes së aparatit, pra me sy fotografi.  

Te ekspozita juaj me e re Një Karrige për Shkrimtarët kam vënë re se ka një përzgjedhje të caktuar të shkrimtarëve dhe emrave të njohur të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Ndonëse është nga projektet më të gjata që përfshin më shumë se dy dekada ju më duket jeni treguar i kursyer në numrin e subjekteve të fotografuara mesatarisht 2-3 në vit. A mendoni se keni pasur kritere shumë selektive për këtë projekt dhe a e quani të papërfunduar?

Këtë projekt e kam nisur në vitin 1998 dhe kam pasur bashkëpunimin e shkrimtares Mira Meksi, madje në zyrat e fondacionit të saj janë bërë fotografitë. E kam thënë se ishte nisma ime personale pa mbështetje financiare dhe institucionale dhe se 46 shkrimtarët dhe autorët e fotografuar janë mjaft. Do doja të kisha dy figura si Petro Marko dhe Lasgush Poradeci por aty janë një elitë e mendimit dhe letrave shqipe. Për këtë flet pozitivisht edhe fakti që ende flitet edhe një muaj pas hapjes së ekspozitës në 19 dhjetor në Tiranë. 

Ju përmendët njohjen e artistëve të paraqitur në këtë projekt dhe faktin që ne jemi rritur me librat e tyre dhe ata kanë arritur statusin e autorëve klasikë. Por njohja është term relativ sot sepse brezi i 20 vjeçarëve të sotëm që shkojnë te Qendra e Librit dhe Leximit mund t’i kenë dëgjuar emrat e tyre por, pa i paragjykuar, mund të mos i kenë lexuar veprat e tyre. Si mendoni se e vlerësojnë ata ekspozitën? Çfarë përftojnë prej saj dhe nga ju si mjeshtër?

Padyshim ky është brezi i ri dhe shumë gjëra kanë ndryshuar. Por unë nuk kam dashur të bëj antologjinë e letërsisë shqipe. Nëse dikush mund të frymëzohet për projekte të tjera për shembull me autorë të diasporës, këtu mjafton të duash profesionin. Për mua është e përfunduar.

Më lejoni një ndërhyrje këtu. Babai im Naum Prifti, një nga shkrimtarët e fotografur në këtë projekt, thotë me humor se është hera e parë dhe e fundit që kam firmosur një karrige dhe që jam fotografuar në aktin e firmosjes së karriges. Kjo më bëri të mendoj për përqasjen midis një akti të themi të panatyrshëm dhe një simbolike të dyfishtë që ka vetë objekti, pra një send shtëpiak që na mbledh në shtëpi dhe njëkohësisht vendi ku ulet shkrimtari për të punuar dhe jo, ta zëmë, një makinë shkrimi. A janë këto të menduara apo ide impulsive?

Meqë e njihja portretin bardh e zi, unë kisha menduar të bëja portrete por ndonjëherë detajet t’i ofron vetë jeta. Në atë kohë kisha sajuar një gjysmë dhome të errët në shtëpi dhe fotot pasi kalonin procesin e stampimit dhe larjes i kaloja me një tharëse por meqë ajo ishte prishur i vura të vetëthaheshin në karrige dhe minder. Aty lindi ideja. Nga ana tjetër, shkrimtarëve, të cilët janë mësuar të firmosin dhe nënshkruajnë librat e tyre, kjo ide ju dukej interesante. Unë u nisa të bëj portrete dhe fotografimi gjatë aktit të nënshkrimit të karriges erdhi më vonë. Ajo mori peshën e vet. Edhe një muaj pas hapjes së ekspozitës, shumë vetë interesohen për gjendjen e karriges.

Sa rëndësi kishte qëndrimi juaj në Paris?

Qëndrimi me bursë në Paris ka pasur shumë rëndësi për mua. Nuk mund të bëhesh fotograf pa qenë në Paris. Kur hapa ekspozitën time të parë aty erdhën pesë francezë dhe blenë pesë punë nga të cilat u ndjeva krenar, Ishte një lloj vlerësimi dhe kënaqësije. Banoja pranë Katedrales së Notre Dam dhe kisha shumë fotografi të saj. Përveç këtyre kisha fotografi me shumë personalitete dhe këto foto i paraqita në ekspozitë. Në Paris u riformatova si fotograf dhe ia ktheva këtë të mirë Parisit me hapjen e ekspozitës për të.  

Te projekti Karrigia por edhe në projekte të tjera si Vajzat e Ikura ju krijoni një lloj hallke lidhëse të dy kohëve, në anglisht përdoret edhe fjala menteshë. E shikoni veten të tillë?

Nuk jam nisur me këtë synim por kështu ndodh dhe për këtë ndihmon shumë arkivi i pasur dhe puna e gjatë e katër dekadave. Tani e tutje do ta përdor edhe fjalën menteshë për fotografinë time.

Nëse një ditë do hapej një ekspozitë me të gjitha punimet tuaja si do të dukej? Çfarë ka ndryshuar dhe çfarë ka mbetur e njëjtë te punimet tuaja?

Shumë interesante për tu menduar kjo. Tirana e qetë e para viteve ‘90 ku jemi lindur e rritur, pastaj vitet e vrullshme të ‘90 më pas shkatërrimet e ‘97 dhe përgjakjet kot fare, fillojnë vitet 2000 me rindërtime që nuk kanë lidhje me Tiranën, transformimet e mira në disa raste por në pjesën më të madhe të këqija. Herë pas here mendoj të hap një ekspozitë retrospektive. Kanë ndodhur shumë ndryshime në këto vite dhe në këtë rast arkivi është i mirë.

Me fotografitë e Tiranës dhe me një arkiv kaq të pasur me portrete, pas 40 vjetëve karrierë, cila është gjurma që ka lënë arti juaj në fotografinë shqiptare sot?

Unë e ndiej se kam lënë gjurmë po vërej se mungon interesimi nga institucionet.

Përse?

Unë di të bëj dallimin midis Tiranës, Italisë, Francës, ku vërehet një disnivel i madh i njohjes së fotografisë. Niveli për vlerësimin e saj të lë për të dëshiruar këtu tek ne. I është bërë jehonë ekspozitave dhe projekteve por nuk shoh vlerësim të përgjithshëm. Librat dhe botimet janë mbështetur nga institucione dhe nga përfaqësitë e huaja në Tiranë. Këtu bie në sy mangësia.

Cilat kanë qenë aparatet që keni përdorur dhe me çfarë punoni sot?

Atëherë kam pasur aparat të kohës me të cilat punonim të gjithë. Ishin marka Praktika kurse tani kam një aparat shumë të mirë dixhital, por nuk kam qenë i dhënë pas njohjes së teknologjisë. Përveç se më duhet një lente e mirë, unë e kam ndërtuar fotografinë mbi bazën e gjetjes dhe të idesë mëshumë sesa te numri i pikseleve.

Edhe pas 40 viteve të tjera cili është elementi më identifikues i fotografisë suaj?

Nuk di të them ndonjë përkufizim por portretet m’i kërkojnë në raste vdekje dhe momente të tjera dhe veçanërisht fotot e ciklit të diplomatëve të veshur me kostume popullore shqiptare janë të identifikueshme si të miat.

Si do ta përshëndetni lexuesin tonë dhe publikun këtu?

Unë e njoh Vatrën dhe kam takuar shumë gjatë vizitës sime në Amerikë në vitin 2009.  Një nga vizitat ka qenë me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Kishës autoqefale shqiptare dhe një vizitë tremujore për projektin me shqiptarët e suksesshëm të Amerikës. Ndërkohë po mendohem për projektet e ardhshme.

Ju falemnderit dhe suksese!

Fotot e kopertinave dhënë nga fotografi Roland Tasho

Nga cikli Shqiptarët në Amerikë: Foto Anthony Athanas, Kostandina (Luka) Lukes – Kryebashkiake, Worcester 2009

Shënim: Biseda është redaktuar dhe përshtatur nga intervistuesja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here